Strategji mbijetese politike e Alimehmetit, jo analizë racionale

0
Shkruan Zef Ndreka
Deklarata “Berisha nuk duhet të ikë! Ai nuk është problemi në PD!” nga Alimehmeti, në vetvete bart disa kuptime të mundshme politike dhe psikologjike, ani pse në dukje formulohet si “apolitike” apo “parimore”.
Si ta lexojnë demokratët këtë deklaratë?
Në planin e brendshëm partiak, kjo është një shenjë e qartë servilizmi.
Dhe e tillë mund të konsiderohet, pra si servilizëm politik, sepse Alimehmeti e di që Berisha kontrollon strukturat, bazën dhe procesin e zgjedhjeve brenda PD-së.
Duke e shpallur këdhtu “të pa fajshëm” për gjendjen e partisë, ai përpiqet të shmang çdo përballje reale me lidershipin aktual dhe kërkon të mbajë një pozitë të favorshme në sytë e militantëve dhe vetë Berishës.
Në kontekstin e demokracisë së brendshme, kjo deklaratë nuk është analizë, por një akt nënshtrimi politik ndaj një figure dominuese siç është Berisha.
Në planin e mesazhit që përcjell kjo deklaratë, duket si një tentativë për neutralitet dhe duket se vjen nga një pozicion apolitik, pra jo si pjesë e një fraksioni, por si analizë e ftohtë e tij..
Por në politikë, çdo deklaratë që mbron status quo-në është pozicion politik, qoftë edhe e paketuar kinse si “objektive”.
Kështu, Alimehmeti, duke thënë se “Berisha nuk është problemi”, ai largon përgjegjësinë nga lidershipi aktual dhe ia atribuon dështimin faktorëve të tjetë të jashtëm, një mënyrë kjo për të mos sfiduar askënd brenda strukturës.
Ndërsa në planin analitik, mbetet një kalkulim karriere politike.
Një figurë si Alimehmeti, me ambicie për t’u pozicionuar si i pranueshëm për të gjitha palët, mund ta ketë përdorur këtë gjuhë për të ruajtur hapësirën për promovim në të ardhmen brenda PD-së dhe për të mos u përjashtuar nga rrethi besnik i Berishës, e njëkohësisht të paraqitet si i moderuar në publik.
Kjo është strategji mbijetese politike, jo analizë racionale.
Deklarata e Alimehmetit, presupozon tezën politike se Berisha është ende shtylla e PD-së dhe pa të partia do të shembet. Gjithashtu presupozon se problemet e PD-së vijnë nga faktorë të jashtëm si shteti, drejtësia, ndërkombëtarët, etj dhe jo nga drejtimi i saj i brendshëm. Po ashtu, kjo deklaratë presupozon se çdo përpjekje për ndryshim brenda partisë është kërcënim për unitetin.
Të gjitha këto janë presupozime konservuese, që justifikojnë mungesën e reformës në PD dhe e mbajnë atë ende peng të një figure.
Aliamehmeti është shtrënguar ta bëje këtë deklaratë so thjeshtë si një qëndrim personal, por si një akt politiko-psikologjik i vetëmbrojtjes. Dhe mund të konsiderohet qartazi një përpjekje për të mos u prishur me lidershipin, për të mos marrë përgjegjësi kritike, dhe për të ruajtur veten në një klimë ku frika nga përjashtimi është më e fortë se analiza e arsyes.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu