Emisioni “Report” në Rai3 program që prej një jave ka nxitur reagime të forta në politikën shqiptare, por edhe në Itali, në puntatën e së dielës nuk e ka transmetuar pjesën e dytë të investigimit për Shqipërinë, investigim të cilin e pati paralajmëruar pothuajse çdo ditë.
Më herët gjatë të dielës, kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi gjatë konventës së partisë së saj se homologu i saj shqiptar, Edi Rama, po sulmohej për faktin e vetëm se po ndihmonte kombin italian. Në fjalimin e saj të gjatë, Meloni kërkoi nga mbështetësit që të shprehnin solidaritet me Ramën.
Ndaj deklaratave të Melonit reagoi Sigfrido Ranucci, autori i emisionit “Report”. Ai shkoi edhe më tej duke paralajmëruar publikimin e pjesës së dytë me të tjera investigime.
Por më pas gjatë emisionit, pjesa e dytë e reportazhit nuk u dha. Madje nuk pati as edhe një shpjegim se pse pjesa e investigimit për Shqipërinë u anulua.