Të gjithë të korruptuarit përpara drejtësisë!

0
Shkruan Lëvizja Bashkë
Hetimet e SPAK-ut ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit kanë zbuluar një model të rrënjosur të marrëdhënieve midis politikës dhe oligarkisë ekonomike në Shqipëri, të cilën Lëvizja BASHKË ka vite që e denoncon. Kjo “martesë” është ndërtuar mbi korrupsionin, favorizimin dhe manipulimin e institucioneve shtetërore për të përmbushur interesat e një grushti të vogël njerëzish të fuqishëm, ndërsa qytetarët shqiptarë dhe interesi publik janë anashkaluar. Rasti i Ilir Metës tregon se si shteti është kapur nga oligarkia, duke ndikuar drejtpërdrejt në politikat publike dhe ekonomike.
Një nga oligarkët e përfshirë në hetimet e SPAK-ut është Samir Mane. Mane ka pasur një marrëdhënie të dyshuar korruptive me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Sipas SPAK-ut, Meta dhe Kryemadhi ndihmuan Manen në miratimin e ndryshimeve ligjore në favor të tij, përfshirë amendamentet në ligjin për minierat, që favorizonin kompaninë e tij Albchrome. Mane ofroi në këmbim përfitime të paligjshme për çiftin, duke përfshirë premtimin e një vile në kompleksin luksoz Rolling Hills, e cila u la pasi marrëveshja u bë publike.
Mbrojtja që kryeministri Edi Rama i bëri në vitin 2014 ligjit për sektorin minerar, duke e paraqitur atë si një nismë revolucionare që do t’i jepte fund “barbarisë” në shfrytëzimin e pasurive natyrore, sot del nën një dritë të re dhe demaskuese. Ligji, i cili sipas SPAK-ut ishte porositur nga oligarku Samir Mane për të favorizuar interesat e tij në industrinë minerare, veçanërisht për kompaninë Albchrome, në fakt nuk ishte as revolucionar dhe as në shërbim të interesave kombëtare, por një mjet për të siguruar përfitime të mëdha për një biznesmen të lidhur ngushtë me qeverinë. Ndërsa Rama fliste për “siguri” dhe “progres”, realiteti është se ligji kishte për qëllim të mbyllte derën për konkurrencën dhe të siguronte favore për oligarkun e preferuar të qeverisë.
Kryemadhi dhe Meta kanë ndërhyrë edhe në tregun e telekomunikacioneve, duke mbështetur marrëveshje midis Vjollca Hoxhës, Samir Manes dhe Theodhori Çamit për trafikun e thirrjeve telefonike. Këto ndërhyrje, të realizuara përmes AKEP-it dhe zyrtarëve të LSI-së, tregojnë se si politika përdoret për të manipuluar tregun dhe për të krijuar përfitime të drejtpërdrejta për kompani të caktuara, duke goditur konkurrencën e lirë dhe të ndershme.
Bashkim Ulaj, një tjetër figurë e fuqishme në biznesin shqiptar dhe një mbështetës i afërt i Sali Berishës, fitoi monopolin e fibrave optike “DVB-T2” në vitin 2010 përmes një tenderi të manipuluar. Meta dhe Kryemadhi, përmes ministrave të LSI-së, përfshirë Edmond Haxhinaston, dhe zyrtarëve të AKEP-it, nisën përpjekjet për t’ia hequr këtë monopol Ulajt dhe për ta kaluar në duart e kompanisë UNIFI Communication INC, në pronësi të Adrian Shatkut, kushëri i Monika Kryemadhit. Megjithatë, Ulaj arriti të ruajë monopolin e tij përmes marrëveshjeve me Edi Ramën, duke forcuar lidhjen e tij me qeverinë aktuale. Kjo kacafytje për monopolin tregon se si oligarkët përdorin politikanë dhe pushtetin politik për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike.
Dosja e Ilir Metës na tregon një realitet të dhimbshëm për Shqipërinë: një sistem ku shteti dhe oligarkët kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë që minon çdo nocion të drejtësisë, konkurrencës dhe interesit publik. Kjo “martesë” e shtetit me oligarkinë ekonomike ka kapur institucionet, ka ndikuar ligjet dhe ka krijuar një ambient ku një grusht njerëzish përfitojnë në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Përmes këtyre skandaleve, është e qartë se korrupsioni dhe ndikimi i oligarkëve në politikë janë kthyer në një pengesë të madhe për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit. Ky sistem, që favorizon një pakicë të pasurish dhe të fortësh, duhet të sfidohet për të rikthyer besimin në institucionet shtetërore dhe për të krijuar një ekonomi të drejtë dhe konkurruese, që shërben për të gjithë qytetarët.
SPAK-u ka një detyrë të madhe përpara: të hetojë me po të njëjtën vendosmëri jo vetëm politikanët që kanë abuzuar me pushtetin, por edhe oligarkët që kanë përfituar nga këto skema. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe hetimet duhet të shkojnë deri në fund duke mos kursyer askënd, sado të pushtetshëm e të pasur qofshin.
SPAK duhet të zgjerojë hetimet e tij dhe të shqyrtojë të gjitha ligjet me porosi që janë hartuar për të favorizuar interesat e ngushta të një pakice të fuqishme në Shqipëri. Ligji për Teatrin Kombëtar, ligji për lojërat e fatit, ligji për aeroportin e Vlorës, ligji për investitorët strategjikë, ligji për arsimin e lartë, ligji për autonominë spitalore dhe ligji për zonat e mbrojtura janë vetëm disa prej atyre që janë kritikuar për favorizimin e oligarkëve dhe kapjen e institucioneve shtetërore. Këto ligje kanë deformuar konkurrencën e drejtë dhe kanë krijuar favore për individë të lidhur me pushtetin, duke dëmtuar interesin publik.
Për më tepër, SPAK duhet të përqendrojë hetimet në koncesionet dhe monopolet e krijuara në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, përfshirë energjinë, naftën, cigaret, telekomunikacionet dhe infrastrukturën. Këto marrëveshje, shpesh të dhëna përmes tenderëve të manipuluar ose ligjeve të personalizuara, kanë lejuar që oligarkë të fuqishëm të fitojnë pasuri dhe ndikim në mënyrë të padrejtë. Hetimi i këtyre koncesioneve dhe monopolëve është vendimtar për të çliruar shtetin nga kapja ekonomike dhe politike dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.
Lëvizja BASHKË do të vazhdojë të ngulë këmbë për sigurimin e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve përpara ligjit, pa kursyer asnjë emër oligarku dhe pushtetari, si dhe të organizojë shoqërinë për t’iu kundërvënë edhe politikisht kapjes së shtetit dhe korrupsionit të gjithanshëm.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu