Tingujt e Lahutës dhe Shqipëria e gjithë botës!

0

Shkruan Zef Ndreka

Po, ndodhi dhe është vërtet një mrekulli shqiptare, gjithashtu edhe një ngjarje me peshë të madhe kulturore.
Futja e Lahutës së Malësisë në listën e UNESCO-s është një certifikim folklorik, por më teper është një vulosje ndërkombëtare se ky instrument, ky art i të kënduarit dhe ky univers epik përbëjnë një pjesë të çmuar të civilizimit botëror.
Ky lajm është kaq i rëndësishëm sepse lahuta është shpirti epik i shqiptarëve.


Ajo mbart në tela kujtesën e brezave, këngët e trimave, besën, nderin, përplasjet historike dhe rrëfimet që kanë mbajtur gjallë identitetin tonë. Me lahutë është kënduar kur nuk kishte libra, kur historia tjetërsohej, kur e vërteta duhej ruajtur në forma të fshehta, por të forta.

Lahuta e Malësisë tashmë në listën e UNESKO-s është i rëndësishëm sepse kultura jonë më në fund po njihet siç duhet.
Dihet se UNESCO nuk pranon çdo gjë. Duhet trashëgimi e gjallë, duhen rrënjë të thella.
Dhe Lahuta jonë i ka të gjitha, origjinalitetin, autenticitetin dhe një traditë që lidhet ngushtë me male, me këngëtarët epikë, me të kaluarën tonë.
Ky lajm është i rëndësishëm sepse përbën një fitore për gjithë shqiptarët, kudo ndodhen.
Ky lajm është një moment krenarie kombëtare dhe një tjetër provë se jemi popull me kulturë të vjetër, me vlerë dhe me zë.
Lahuta është një instrument, por më teper është një vlerë shpirtërore, që tani i përket zyrtarisht trashëgimisë kulturore të njerëzimit.Në fakt, kjo është më shumë se mrekullia, është një kujtesë e qartë se kombi mbahet gjallë me identitet, jo me fjalë të kota politike.
Lahuta është ajo që bashkon, që flet një gjuhë të përbashkët, që i tejkalon ndarjet fetare dhe krahinore.
Në tingujt e Lahutës ka Shqipëri të pastër!
Dhe nga sot, kjo Shqipëri është bërë e gjithë botës.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu