Televizioni kombëtar Top Channel ka publikuar këtë të enjte disa dokumente, që thotë se janë autentike dhe provojnë lidhjet e Monika Kryemadhit me kompani të cilat janë denoncuar si sponsorë të partisë së Vladimir Putinit në Rusi.
“Dosja përmban fakte të pagesave të dyshimta, të bëra dhe të marra nga Monika Kryemadhi, politikane shqiptare dhe bashkëshortja e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Faktet e zbuluara tregojnë se në vitin 2017, Kryemadhi ka bërë dhe ka marrë këto pagesa të dyshimta nga llogaria e saj bankare offshore për kompanitë e kontrolluara nga biznesmenët rusë të naftës”, thuhet ndër të tjera në kronikën dhe shkrimin e Top Channel.
Ndërkohë, menjëherë pas transmetimit, ka reaguar dhe politikania Monika Kryemadhi, e cila akuzon televizionin se financohet me para të vjedhura nga shqiptarët. Ajo paralajmëron dhe një përballjen në gjyq.
“Me shkrime, kronika dhe TV që financohen nga para të vjedhura nga shqiptarët, ka vetëm një rrugë dhe ajo është rruga gjyqësore. Shihemi në gjykatë”, shkruan Monika Kryemadhi.