Tre kompani të reja të industrisë së armëve me hije korrupsioni

0

Në ditët e para të muajit gusht 2025, janë krijuar tre kompani të reja në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë: TIMAK DEFENCE, M.K.D dhe GUNA TACTICAL. Të tria këto shoqëri kanë për “mëmë” kompaninë shtetërore KAYO sh.a, e cila u ngrit në vitin 2024 për të administruar kapacitetet e mbetura të industrisë së dikurshme ushtarake shqiptare: Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik Poliçan.

KAYO drejtohet nga Ardi Veliu, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, një figurë e përfolur shpesh për lidhje me tenderë dhe menaxhim klientelist. Kapitali fillestar i kompanisë është 150 milionë lekë, ndërsa bordin drejtues e përbëjnë shtatë anëtarë me lidhje të forta politike dhe administrative: Ida Malile, Gjergji Methoxha, Ermal Nufi, Aleks Marku, Ervin Feti dhe Grestian Poçi.

TIMAK DEFENCE  nga makina tek armatimi

Shoqëria TIMAK DEFENCE u krijua më 1 gusht 2025 dhe zotërohet 80% nga Arjeta Puca dhe 20% nga KAYO. Objekti i saj është prodhimi dhe përshtatja e mjeteve motorike të posaçme, me arkitekturë të hapur për instalimin e armëve automatike, sistemeve të artilerisë, pajisjeve antidron dhe mbrojtjes aktive.

Praktikisht, kjo kompani po merr ekskluzivitetin për të prodhuar automjete të blinduara për ushtrinë dhe strukturat e sigurisë, duke hapur një treg të ri me fonde të mëdha publike. Dyshimi i parë është se përzgjedhja e ortakut privat, Arjeta Puca, është bërë pa transparencë dhe me lidhje të drejtpërdrejta politike.

M.K.D  municionet në duart e një emri të përfolur

Shoqëria M.K.D është krijuar në të njëjtën datë dhe zotërohet 80% nga kompania MSSC e Emiljano Dusha dhe 20% nga KAYO. Objekti i saj është prodhimi dhe tregtimi i municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm.

Emiljano Dusha është një emër i lakuar në disa tendera të dyshimtë të mbrojtjes dhe sigurisë, me akuza për lidhje klienteliste me zyrtarë të qeverisë. Duke marrë kontroll mbi prodhimin e municioneve, ai përfiton një nga sektorët më të ndjeshëm të industrisë ushtarake shqiptare. Kjo përkon me skemat klasike të transferimit të pasurisë shtetërore drejt interesave private nën petkun e “partneriteteve strategjike”.

GUNA TACTICAL, uniformat ushtarake nën një ortakëri të dyshimtë

E treta në listë, GUNA TACTICAL, zotërohet 51% nga KAYO dhe 49% nga kompania MSSC e Emiljano Dusha. Objekti i saj është projektimi, prodhimi dhe tregtimi i uniformave dhe aksesorëve ushtarakë për forcat e armatosura dhe strukturat e sigurisë.

Edhe në këtë rast, MSSC e Dusha merr kontrollin praktik të sektorit të uniformave, një fushë që ka pasur historikisht tendera me skandale për çmime të fryra dhe produkte me cilësi të ulët. Përqindja 51% që i mbetet shtetit është vetëm formale: vendimmarrja reale dhe përfitimi ekonomik pritet të dominohet nga ortakët privatë.

Modeli i privatizimit të fshehur: nga uzinat e shtetit tek kompanitë klienteliste

Tre kompanitë e krijuara brenda 72 orëve në fillim të gushtit 2025 tregojnë një model të qartë të privatizimit të fshehur: shteti (në këtë rast KAYO) mban një pjesë minoritare të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër u kalon individëve ose kompanive private me të shkuar të dyshimtë.

Kjo skemë, sipas ekspertëve të industrisë së mbrojtjes, rrezikon të kthejë sektorin strategjik të armëve në një çerdhe korrupsioni dhe monopoli, ku kontratat publike do të përfundojnë në xhepat e të njëjtëve individë që kanë fituar tenderë të dyshimtë në të kaluarën.

Nëse këto zhvillime nuk hetohen nga SPAK dhe institucionet e kontrollit, Shqipëria rrezikon të përsërisë historinë e dështuar të uzinave të armëve, por këtë herë me pasoja edhe më të rënda: kapjen e mbrojtjes kombëtare nga klientelizmi dhe korrupsioni.

Publik.al do të ndjekë me vëmendje këtë çështje, duke monitoruar çdo kontratë dhe transaksion që do të lidhet me TIMAK DEFENCE, M.K.D dhe GUNA TACTICAL. Publik Media

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu