Policia ka dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur gjatë natës në Vaun e Dejës, ku i është vendosur tritol kreut të “Rithemelimit”, Benard Ndreca
Nga hetimet paraprake, rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që Ndreca ka hipur në mjet.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
“Rreth orës 07:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse.
Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet.
Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftim.