Pas humbjes së arbitrazhit me biznesmenin italian Francesco Becchetti, Shqipëria rrezikon një tjetër sekuestrim të aseteve në vlerë rreth 13 milionë dollarë. Kërkesa i është drejtuar një gjykate federale në Uashington nga kompania financiare Omni Bridgeway, e cila synon të ekzekutojë një vendim arbitrazhi të fituar kundër qeverisë shqiptare në një mosmarrëveshje gati dhjetëvjeçare.
Detajet e konfliktit
Konflikti nisi në vitin 2007 kur qeveria shqiptare i dha koncesionet e naftës në disa vendburime kompanisë Stream Oil and Gas. Pas ndryshimit të qeverisë, kompania iu shit biznesmenit amerikan Mitchell Malone dhe më pas, në vitin 2017, ajo kaloi në pronësi të GBC Oil Co.Ltd, një kompani e regjistruar në ishujt Kajman me pronarë shqiptarë dhe amerikanë, përfshirë Naim Kasën dhe Kreshnik Grezën.
Në vitin 2017, Albpetrol vendosi të rishtetëzojë vendburimet e naftës, duke pretenduar se GBC Oil nuk kishte përmbushur detyrimet. Për këtë arsye, GBC Oil iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zyrih, duke kërkuar 110 milionë dollarë dëmshpërblim.
Vendimi i Arbitrazhit dhe rreziku i sekuestrimit
Në korrik të vitit 2020, Gjykata e Arbitrazhit vendosi një gjobë prej 12.7 milionë dollarësh ndaj Shqipërisë si kompensim për rritjen e papritur të taksave. Edhe pse qeveria shqiptare e injoroi vendimin, në shkurt të këtij viti, Gjykata Federale e Uashingtonit e konfirmoi atë.
Tani, Omni Bridgeway, e cila ka marrë përsipër ekzekutimin e vendimit, ka argumentuar se ka kaluar një kohë e gjatë pa asnjë përgjigje nga qeveria shqiptare. Duke parë këtë “mosparaqitje të plotë”, kompania i ka kërkuar gjykatës autorizimin për të filluar sekuestrimin e aseteve sovrane të Shqipërisë në SHBA, njësoj siç ndodhi me çështjen e Becchettit. Ky zhvillim ngre alarmin për një tjetër humbje financiare të madhe për vendin.








