Ministria e Brendshme gjermane ka vendosur shkarkimin me efekt të menjëhershëm të kreut të Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit, Arne Schönbohm, pasi rezultoi i lidhur me qarqet ruse.
Der Spiegel njofton se autoritetet gjermane gjithashtu kanë nisur procedimin disiplinor ndaj presidentit BSI-së – autoriteti më i lartë i sigurisë kibernetike i Gjermanisë, që është edhe pjesë e portofolit të ministrisë – për shkak të akuzave që rëndojnë ndaj tij për lidhje me shërbimet ruse.
Zëdhënësi i ministres së Brendshme, Nancy Faeser, konfirmoi se Schönbohm do të largohet nga detyra pasi “reputacioni i tij dhe besimi i nevojshëm për ruajtjen e neutralitetit gjatë udhëheqjes si president i agjencisë më të rëndësishme gjermane të sigurisë kibernetike, është dëmtuar”.
Schönbom u zgjodh në krye të agjencive që mbikëqyrin sigurinë kibernetike dhe atë të komunikimit të qeverisë, në vitin 2016. Ai u vendos nën vëzhgim pasi lidhjet e tij me një kompani ruse, ku punonte më herët, ranë së tepërmi në sy gjatë një dalje publike në një televizion gjerman.
Vetë Schönbom tha se nuk kishte asnjë përgjigje për akuzat kështu që kërkoi nisjen e procedurave disiplinore.
“Meqenëse nuk kishte asnjë përgjigje për akuzat, u kërkova vet të hënën që nisnin procedurat disiplinore për të sqaruar faktet. Deri më tani nuk e di se çfarë ka kontrolluar ministria dhe cilat janë akuzat konkrete ndaj meje”- tha shefi i Sigurisë Kibernetike gjermane.
Schönbohm është akuzuar për ruajtjen e lidhjeve të ngushta me një shoqatë të sigurisë kibernetike që ai bashkëthemeloi dhe drejtoi më parë dhe presidentin e saj aktual të saj, Hans- Wilhelm Dünn. Shkarkimi i shefit të Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit nuk është bazuar në ndonjë gjetje apo pretendim të ri të rëndësishëm, por një rivlerësim i brendshëm i akuzave që tashmë rëndojnë ndaj tij.
Nënkryetari i BSI-së, Gerhard Schabhüser akuzoi ministrinë javën e kaluar për mungesë mbështetjeje. “Besueshmëria e BSI-së dhe menaxhmentit të saj vazhdon të vihet në dyshim në publik“- u ankua ai në një letër drejtuar Ministrisë Federale të Brendshme. “Në funksion të dëmtimit tashmë të konsiderueshëm të reputacionit dhe humbjes së besimit në punën e të gjithë BSI-së, BMI deri tani ka bërë pak për ta kundërshtuar këtë.“