Shkruan Zef Ndreka
Organizimi i protestave në mbështetje të udhëheqëve të UÇK-së, mbetet temë shumë e ndjeshme dhe me peshë historike e politike për mbarë kombin shqiptar.
A ndikojnë këto protesta në vendim-marrje të gjykatës Speciale në Hagë?
Nëse ndikojnë, sa dhe si mund të ndikojnë ato në një vendimi thellësisht politik dhe pa prova ndaj udhëheqësve të UÇK? Për më tepër kur shpenzimet e artikuluara deri më sot nga kjo gjykatë, vetëm për të gjykuar këto 4 përsonsa kanë kaluar 2.4 miliard euro!
Ta analizojmë.
* Të gjitha protestat e organizuara janë shprehje e ndërgjegjes kombëtare.
Këto protesta mbarëkombëtare, në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo në diasporë, sigurisht që nuk mund të ndryshojnë drejtëpërdrejt një vendim gjyqësor, sidomos kur bëhet fjalë për një proces që zhvillohet në kuadër të një gjykate ndërkombëtare si ajo Speciale në Hagë.
Megjithatë, ato kanë fuqi morale, politike dhe ndërkombëtare për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik evropian e botëror për padrejtësinë që po ndodh, për të krijuar presion politik mbi institucionet ndërkombëtare që e kanë mbështetur dhe financuar këtë gjykatë, si dhe për ti kujtuar botës se UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale, por ushtria e një populli që mbrojti ekzistencën e vet kundër gjenocidit.
* Ndaj 4 udhëheqësve të UÇK-së po bëhet gjykim politik!
Kur një gjykatë e caktuar operon me standarde të dyfishta, duke ndëshkuar vetëm njërën palë të një lufte dhe duke heshtur për krimet serbe, ajo humbet karakterin juridik dhe bëhet instrument politik.
Në këtë rast, protestat e shqiptarëve kthehen natyrshëm në mjete legjitime rezistence demokratike, që nuk synojnë të ndikojnë te gjykatësit, por të demaskojnë politikën e padrejtësisë që fshihet pas togës së zezë të drejtësisë selektive.
* Dimensioni financiar dhe moral i kësaj gjykate Speciale është skandal më vete.
Shpenzimi i 2.4 miliardë eurove për gjykimin e katër personave tregon se ky proces nuk është më një çështje drejtësie, por një projekt politik e burokratik që kërkon të justifikojë vetveten.
Me këto para mund të ishte rindërtuar gjithë infrastruktura e drejtësisë në Kosovë, ose mund të ishte ngritur një tribunal real për krimet e kryera nga Serbia ndaj civilëve shqiptarë.
* Ndaj sherben fuqia e bashkimit në këtë rast.
Nëse protestat mbeten të përbashkëta, pa flamuj partie dhe pa përçarje, ato krijojnë një vetëdije të re kombëtare, një zë të bashkuar që i thotë botës se shqiptarët nuk pranojnë të gjykohen për lirinë e tyre.
Një zë i tillë mund të mos ndryshojë dënimet në letër, por mund të ndryshojë perceptimin ndërkombëtar, të forcojë kauzën në opinionin publik dhe të rikthejë dinjitetin kombëtar që padrejtësia synon ta zbehë.
Protestat nuk janë në vetvete presion mbi gjykatën, por orientim.i qartë dhe presion mbi ndërgjegjen ndërkombëtare. Ato mund të mos ndryshojnë aktgjykimin, por mund të ndryshojnë historinë se si ky aktgjykim do të mbahet mend si një turp i Europës ndaj një populli që luftoi për liri.








