Policia arrestoi sot Albana Ferrajn, e akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ata thonë se ajo ka marrë ryshfet për të ndihmuar një kompani italiane të fitojë një kontratë në vitin 2016. Ferraj është vënë sot në pranga.
Por si është historia e dosjes që nisi dy vite më parë?
Në muajin tetor të 2020-tës, SPAK nxori 4 urdhër-arreste për 4 zyrtarë të OSHE-së, pasi akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzim me barazinë në tendera duke favorizuar një kompani italiane duke përfituar ryshfet 131 mijë euro.
Asokohe, pra dy vite më parë u arrestuan ish drejtori i prokurimeve të OSHEE, Elis Bushati, Athinta Papa, Irma Derhiri, ndërsa Albana Ferraj, ish drejtoreshë e kabinetit pranë OSHEE u shpall në kërkim.
Urdhër arrestet nga SPAK u firmosën nga prokurori Klodian Braho pas përgjimeve për një periudhë të gjatë kohore ku janë vënë re shkelje në procedurave të 4 zyrtarëve.
Nga hetimet e bëra nga SPAK Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Derhiri, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, sipas dosjes kanë kryer veprimet në kundërshtim me ligjin duke favorizuar padrejtësisht kompaninë italiane “Com Metodi” s.p.a për të përfituar shumën prej 131 mijë euro.
Albana Ferraj, e cila në rolin e drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të kabinetit të OSHEE ka marrë dhe arkëtuar këto përfitime.
Ferraj kishte krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe kompanisë italiane duke përdorur një shoqëri të tretë me seli në Shqipëri për të fshehur natyrën e kundraligjshme të këtyre parave që përfitoi përmes korrupsionit pasiv me kompaninë “Com Metodi” s.p.a.