Deklarata e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, në përpjekje për të mbështetur Kryeministrin Edi Rama në aksionin kundër ndërtimeve pa leje, përbën një akt vetëdemaskimi institucional që, në vend që të forcojë narrativën e qeverisë, ekspozon rrënjët e një sistemi të degraduar që ka funksionuar për më shumë se një dekadë. Në përshkrimin e tij të Shqipërisë, Manja nuk kursen asnjë imazh grotesk: kioska që zaptojnë hapësira publike, kasapë që therin bagëti pas dyqaneve, qoftehane mbi trotuarë, plehra në çdo cep, ndërtues që shesin të njëjtin apartament disa herë. Kjo panoramë nuk është thjesht një përshkrim i realitetit urban, por një akt akuzues ndaj vetë qeverisjes që ai përfaqëson. Nëse Shqipëria është kthyer në një rrumpallë, siç thotë Manja, atëherë kush e ka lejuar, ushqyer dhe institucionalizuar këtë rrumpallë për 12 vite me radhë?
Analiza e Manjës nuk ka nevojë për interpretim pasi kemi një shtet rrumpallë, të degraduar, të degjeneruar ku anembanë sundon kaosi. Pasqyrimi i Manjës është si film me metrazh të shkurtër, ku kryefjala e shtetit 12 vjeçar të Edi Ramës është kaosi. Si për ti vënë kapak floriri gjithë kësaj tragjedie shqiptare Ulusiu i jep të drejtë kryeministrit të tij duke akuzuar drejtësinë që nuk pranon të ndryshojë dhe të vërë zbatojë epshet shtazarake të kryeministrit të tij për tu hakmarrë ndaj drejtësisë.
Në përpjekje për të justifikuar aksionin aktual si një pastrim moral dhe institucional, Manja përfundon duke e pranuar se paligjshmëria është kthyer në mentalitet. Kjo nuk është më një shkelje sporadike, por një kulturë e rrënjosur, një sistem paralel që ka funksionuar në simbiozë me shtetin zyrtar. Dhe ky pranim, i bërë në mënyrë të pavetëdijshme, është një dëshmi e qartë se qeverisja e Edi Ramës ka dështuar në ndërtimin e një shteti ligjor. Në vend që të artikulojë një reformë të qëndrueshme, Manja përdor një gjuhë të mbushur me imazhe të forta, por pa substancë institucionale. Ai nuk flet për mekanizma kontrolli, transparencë, ndëshkueshmëri apo reforma në drejtësi. Ai flet për tenda metalike dhe varreza makinash, si të ishte një regjisor i një filmi grotesk, ku çdo skenë është një metaforë e dështimit.








