Një këmbanë alarmi është ngritur sërish për megaaferën e inceneratorëve, të denoncuar prej shumë vitesh nga CNA.al.
Alarmin e ngriti kreu i PL-së, Ilir Meta, i cili tha në një intervistë me Alba Alishanin se kjo aferë është e mirëdokumentuar në të gjitha aspektet.
Ai deklaroi se ndonëse puna nuk po bëhet si duhet dhe skandali ka dalë në dritë, pagesat e paligjshme për inceneratorët nuk kanë ndaluar.
“Ish-LSI dhe Partia e Lirisë kanë qenë pararendëse për të zbardhur aferën e shekullit. Kjo është një histori që daton që në shkurt apo mars të vitit 2021. Në mënyrë të vazhdueshme Partia e Lirisë apo ish-LSI ka bërë shumë hapa para drejtësisë, e cila ka ecur me një vonesë të jashtëzakonshme duke relativizuar përgjegjësinë e personave kryesorë në këtë çështje. Me investigimin e fundit të bërë publik nga Kryemadhi është e qartë se në krye të këtij mashtrimi është Edi Rama.
Kjo është një aferë e mirëdokumentuar në të gjitha aspektet. Në vazhdimësi pranë Partisë së Lirisë vijnë informacione jo vetëm për këtë aferë. Pagesat e paligjshme vazhdojnë dhe është alarmante që të ndërpriten menjëherë nga institucionet e drejtësisë. Informacionet vazhdojnë të shtohen brenda dhe jashtë vendit, jo vetëm për këtë aferë, por edhe për afera të tjera”, theksoi Meta./ B.A.