Vazhdon seanca për formimin e Qeverisë, Albin Kurti prezanton kabinetin dhe programin: Votimi, përgjegjësi shtetërore! Rrezikojmë të shkojmë në zgjedhje të reja

0

Ai e ka përmendur se rrezikohet humbja e shumë miliona eurove nga mungesa e ratifikimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, sidomos Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Kurti ka thënë se partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë treguar gatishmëri për të bashkëqeverisur prandaj situata ka ardhur deri këtu.

“Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”.

Mes tjerash, ai ka thënë se janë edhe 33 agjenci të pavrara që kanë mbetur pa mbikëqyrës dhe që dëmet për shtetin janë të mëdha.

“Prandaj ftoj secilin deputet të Kuvendit, që sot kur Qeveria të hidhet në votim, të votojë jo thjesht për interes partiak, por për interesin publik e shtetëror që t’i japim vendit Qeverinë e re”, ka deklaruar Kurti.

Albin Kurti e vazhdoi fjalimin duke përmendur disa nga arritjet më të mëdha, sipas tij, të qeverisjes së tij gjatë mandatit të fundit.

Ai citoi institucione e qendra kërkimore të huaja, si qendra amerikane Gallup dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pastaj kërkoi votat e deputetëve në mënyrë që të vazhdohet kjo lloj qeverisjeje.

“Ne jemi vendi më demokratik në rajon”, tha Kurti, duke shtuar se kjo është arritur nga puna e të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës.

“Unë do të jem përherë i gatshëm, si në këto katër vjet, për diskutime deri në shterim”, tha Kurti.

Ai tha se këtë e ka dëshmuar kur ka debatuar me orë të tëra për buxhetin dhe qeverisjen e tij katërvjeçare në dy seanca të kërkuara nga opozita, në dhjetor të vitit të kaluar./REL

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu