Dënimi me 22 vjet burgim i Salih Mustafës është vendimi i fundit i Dhomave të Specializuara, për të cilin ka pasur shumë kritika në Kosovë. Për monitoruesit e punës së gjykatës, Specialja është duke dhënë dënime më të ashpra se Tribunali i Hagës e gjykatat në Kosovë.
Gjykata Speciale ka marrë një vendim tjetër, i cili ka hasur në shumë kontestime në Kosovë.
E ka dënuar Salih Mustafën me 22 vjet burgim, duke ia hequr kështu vetëm katër vjet, nga dënimi paraprak i shqiptuar nga shkalla e parë.
Specialja, sipas avokatit dhe hulumtuesit të lartë në Fondin për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, po shqipton dënime të rënda.
“Në rast se e krahasojmë politikën ndëshkimore të Gjykatës Speciale me gjykatat vendore dhe Tribunalin e Hagës, po shihet që Gjykata Speciale është duke dhënë dënime më të rrepta për personat të cilët gjykohen pranë këtij institucioni”, është shprehur avokati, Amer Alija.
Alija beson Salih Mustafa se do ta ankimojë këtë vendim edhe në Gjykatën Supreme.
“I kanë mbetur vetëm edhe mjetet e jashtëzakonshme juridike, të cilat mund të parashtrohen në Gjykatën Supreme dhe atakon ligjin penal, apo procedurën penale dhe në rast se gjykata e shkallës së dytë ka bërë shkelje të ndonjë ligji, në rast se nuk e ka zbatuar ligjin më të favorshëm penal, atëherë shkalla e tretë mund ta zbusë dënimin apo ta rikthej në tërësi në rigjykim”, vijon ai.
Megjithatë, shumë shpresë nga këto dy institucione, të cilat ndodhen brenda Dhomave të Specializuara, nuk ka avokati Ardian Bajraktari.
“Përveç mungesës së transparencës së punë dhe veprimeve të kësaj gjykate, tani e kemi të shpërfaqur edhe tendencën e trajtimit të pabarabartë të palëve në procedurë. Në bindjen time mund të gjinden elemente që cenojnë të drejtat kushtetuese të palëve të përfshira në procedurë. Unë jam pesimist që mund të ketë ndonjë korrigjim të lëshimeve që janë bërë përgjatë ecurisë së procesit”, ka deklaruar Ardian Bajraktari.
Rasti i Salih Mustafës, u bë i pari i krimeve të luftës për të cilin vendosi Gjykata e Apelit.
Kjo shkallë e Speciales kishte punë edhe në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të cilëve ua hoqi nga tre muaj nga dënimi paraprak.