Shkruan Ndoc M. Shaben
Veshje që janë përpunuar nga tradita në përshtatje me veçoritë e jetës e historisë së bashkësisë etnike shqiptare. Ato kanë variante që ndryshojnë sipas moshës, seksit, krahinës, kushteve të punës, jetesës, zakoneve e festave. Në to pasqyrohen veçantitë e kulturës dhe të shijeve artistike të popullit tonë, të ruajtura me vazhdimësi në epokat e mëvonshme historike, sidomos në mjediset fshatare.
Në shekujt e mesjetës së vonë V.P.Sh. ende përgatiteshin nga gratë fshatare, disa elementë i punonin mjeshtra shetitës ose zejtarë të qyteteve. Lënda e parë ishin pëlhurat shtëpiake, si edhe shajaku e zhguni i bardhë, i zi ose blu i errët dhe rrallë i kuq. Për t’i qepur e zbukuruar përdorej gajtan leshi, pambuku a mëndafshi, me ngjyra të ndryshme tipike për çdo zonë etnografike. Në shek.XVIII kishte mjaft xhokaxhinj në pazaret e qyteteve kryesore.
Kostumi popullor kryente disa funksione praktike, sociale, estetike, ceremoniale e rituale. Në veshjet gjetën pasqyrim ndryshimet sipas klasave dhe shtresave shoqërore të bartësve. Rol me rëndësi luante sasia dhe cilësia e zbukurimeve të veshjes dhe e aksesorëve që e plotësonin atë. Aksesorët luanin gjithashtu rol të dorës së parë edhe nga ana estetike e rituale, veçanërisht në kostumin e martesës. Bashkë me tiparet e tjera etnografike, veshjet kanë pasur një larmi të madhe sipas krahinave, kryesisht nga format e prerjes e nga zbukurimet.
Në veshjet për burra tipi më i përhapur deri në fund të shek.XIX ka qenë veshja me fustanellë (shih: Fustanella) dhe veshja me tirq e eila, që në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të kaluar fillon të shtrihet edhe në zona ku nuk mbahej më parë, duke zbritur gjithnjë drejt jugut. Veshja me brekushe shtrihej kryesisht në Shqipërinë e Mesme, kurse ajo me poture në një pjesë të mirë të Shqipërisë së J, sidomos pas daljes nga përdorimi të veshjes me fustanellë. Deri nga fillimi i shek.XX në disa zona të vendit përdorej tipi i veshjes me këmishë të gjatë e dollamë (ose cibun).
Në veshjet për gra, më i përhapuri ishte tipi me këmishë të gjatë e një përparje (që plotësohej me një xhokë leshi për stinën e ftohtë) dhe që shfaqet me variante të shumta e të pasura zonale. Interes të veçantë për origjinalitetin e saj të theksuar paraqet veshja me xhubletë (shih: Xhubleta). Të tjerë tipa veshjesh për gra ishin veshja me këmishë të gjatë e dy futa (njëra përpara, tjetra prapa) dhe veshja me mbështjellëse.
Krahas larmisë zonale zotëronin edhe tipare të përgjithshme, mbarëshqiptare ose me shtrirje mjaft të gjerë ndërkrahinore. Ka edhe tipare që 1 afrojnë disa nga veshjet tona me tipa të ngjashëm veshjesh të popujve të tjerë të Ballkanit. Ndër elementët e ndryshëm përbërës të V.P.Sh. disa e kanë prejardhjen nga kulturat e hershme mesdhetare dhe lidhen me veshje analoge të përdorura nga ilirët (si p.sh. xhubleta, brezi me rrema, kapuçi i gjatë, përparja me thekë, fustanella, tirqit e kallçijt, opingat, këmisha e tipit «dalmatika», xhoka etj.), shumë të tjerë kanë origjinë mesjetare.
Veshjet popullore kanë edhe vlera artistike të veçanta si në prerjen e qepjen, ashtu edhe në qëndisjet e shumëllojshme e gjithashtu në stolitë që i plotësojnë (brezat e paftat, varëset e gjerdanët, vathët e unazat, qostekët etj.).