Në pamje tregohen dy nga tre të rinj të dhunuar në Malin e Zi dhe plagët e rënda të marra në pjesë të ndryshme të fytyrës dhe trup.
Ndërsa ende nuk dihen motivet e qarta të dhunës ndaj tyre dyshohet se Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaci, janë dhunuar nga një grup personash me origjinë serbe në qytetin Herceg Nov më herët gjatë ditës.
Ngjarja
Policia shqiptare njoftoi se sipas komunikimeve me autoritetet malazeze, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit.
“Tre shqiptarët kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit. Të tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike“, njoftoi policia.
“Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim. Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit. Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi iu ka vënë në dispozicion avokat, shtetasve shqiptarë. Tre shtetasve shqiptarë, pasi të bëjnë kallëzim, do t’iu vihen në dispozicion fotografi të autorëve të dyshuar, me qëllim identifikimin e tyre dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet më tej në njoftimin e policisë, që shton se është në kontakt të vazhdueshëm me homologët malazezë, për veprimet që po kryhen për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Sipas disa raportimeve mediatike të pakonfirmuara zyrtarisht, dyshohet se agresorët i kanë dhunuar shqiptarët pasi i kanë dëgjuar të flasin shqip.
Lidhur me rastin reagoi dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili bëri me dije se tre shqiptarët “janë dhunuar nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake”.
Ambasada shqiptare në Malin e Zi si dhe ministria e brëndshëm e Malit të Zi, gjithashtu kanë reaguar lidhur me ngjarjen.
Ndërkohë, kryedeministri malazez konfirmoi identifikimin e një prej autorëve.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët”, shkroi Milojko Spajić në rrjetin social “X”.