Kryeministri Edi Rama ishte në Vlorë, atje ku zhvilloi një takim me drejtuesit e Bashkisë dhe deputetët e Qarkut, duke rikthyer kështu vëmendjen drejt qytetit ku më parë ka qenë edhe ligjvënës.
Takimi ka zgjatur rreth 90 minuta, por duket se diçka nuk ka shkuar sipas pritshmërive që kreut socialist, njëherazi edhe Kryeministër.
Një video e publikuar nga faqja ‘Disidentët’ tregon Kryeministrin Edi Rama që ka reaguar në një mënyrë jo normale në publik, duke iu drejtuar një grupi personash, mes të cilëve edhe kryebashkiakja Bruna Mersini.
Nuk dihet se çfarë ka ndodhur konkretisht, por nga pamjet kuptohet një shpërthim i Kryeministrit që me duar i drejtohet grupit që ka përballë.
Të bërtitura apo sharje është e vështirë të kuptohet, por nga pamjet dallohet Kryeministri Rama që shfaqet i nervozuar, ndërsa ata që qëndrojnë jo larg tij, duken të shokuar. Rama i drejtohet me duar, më pas tregon me gisht diçka, në një moment që tregon se takimi me drejtuesit e bashkisë dhe deputetët, ka qenë ndoshta një “katastrofë”.
Skena ka zgjatur disa sekonda dhe më pas Rama largohet me automjetin e tij.
Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri shpërthen ndaj të vetëve duke shprehur pakënaqësi, por njëherazi momente të tilla tregojnë se Rama ka humbur qetësinë. Dhe kjo qetësi e humbur tregon se gjërat nuk shkojnë aq ‘vaj’ për Kryeministrin, veçanërisht me të tijët.








