2 pasuri në pronësi të Alda Klosit janë vënë në sekuestro nga policia me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Konkretisht bëhet fjalë për 1 apartament dhe 1 garazh në rrugën ‘Kongresi i Lushnjës’.
Vendimi për sekuestrimin e tyre ka ardhur pas arrestimit të ish-zyrtares më 3 Shkurt, ndaj të cilës prokuroria ka ngritur 3 akuza. Konkretisht atë të mosdeklarimit të pasurisë, pastrim parash dhe deklarim të rremë para Oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Vepra e fundit lidhet me historinë e vjedhjes në banesën e marrë me qira prej saj në rrugën e Kosovarëve, për të cilën në pranga u vunë Havier Dobi dhe nëna e tij, Rozeta Dobi.
Ishte dëshmia e kësaj të fundit që implikoi Alda Klosin, pasi në deklarimet e saj ajo rrëfeu se shuma prej rreth 500 mijë Eurosh që iu gjet në banesë i përkasin ish-zyrtares.
Vetë kjo e fundit, këmbëngul se vetëm 120 mijë Euro janë qenë të sajat, lekë këto që ishin marrë hua për kurimin e xhaxhait në Amerikë. Në pretendimet e saj Rozeta Dobi gjithashtu ka pohuar se gjatë kohës që ka punuar në banesën e Klosit, ajo ka parë shuma të konsiderueshme parash.
Deklarimet e sanitares ish-zyrtarja i mohon kategorikisht, megjithatë prokuroria po heton origjinën e burimit të parave, teksa po kryen verifikime edhe për pasuri të tjera në pronësi të Alda Klosit.