Shkruan Sokol Pepushaj
Vila e Arben Krajës në Gji të Lalzit doli në “shitje”. Çmimi është i lartë, por kush e fiton paranë pa djersë, ja vlen, qoftë edhe për variacion apo strategji VIP-ash.
Pikat ku takohen ekstremet, këtej fokusohen, tek të pushtetshmit.
Arben Kraja, në optikën e ambasadores Yuri Kim është “Përbindëshi” i anti-krimit që zvarritet sa tek vila, joshja, apo presioni i “Përbindëshave” antiamerikanë.
Arben Kraja me hajdutë, janë në triumf të “komedisë”, të “duartrokitur” nga diplomatët dhe fëmijët po aq sa Tomi dhe Xherri, sa macja dhe miu.
Po pse nuk e shijojnë shqiptarët?
Jo se nuk i duan filmat vizatimorë, por sepse ky “maçoku” i SPAK-ut nuk paguhet për të larguar bezdinë që i sjell miu, as për të bërë skena me komplote që të qeshin Bota me Shqipërinë, por për të zënë “Peshk”.
“Maçoku” i SPAK-ut nuk zë as “peshk” as “mi”.
Është i “shtypur”, i sulmuar, jeton me frikë mes joshjes dhe presionit. “Përbindëshat” që kanë hapur gojën të përpijnë SPAK-un, identifikohen me të pasurit e të pushtetshmit e këtij vendi, ndaj shtiret si gjynah.
Se ka shumë para, joshje dhe “Përbindësha”, vila e Arben Krajës është virale sot.
Shqiptarët nuk pyesin shumë, ku i vodhi paratë ky tipi, por sa shitet.
Ok pra, vila shitet 2 milion dollarë dhe pikë.
Tek shuma e çmendur 2 milion dollarë, po, keni të drejtë që rrudhni buzët, ndaj le të bëjmë “gjyqin” këtu.
Këtu, pasi në gjykatë është po aq e pamundur, sa vetë Arben Kraja të arrestojë një hajdut, sa Tomi maçok, ta zhdukë miun Xherr.
Këtej, jo Arben Kraja, por cili prokuror nuk e ka ngjyer gishtin në korrupsion, ose pak më qartë, cili nuk është mes pasurisë, joshjes dhe presionit?
Edhe shitja e vilës, ka art.
Vërtetë vizatimi është ballkanas, por vlera 2 milion dollarë, krijoi situatë dramatike, trembi blerësit, hapi oreksin për hajdutët, i dha mundësi ish deputetit Myslim Murrizi të bëjë video dhe ta nisë në ambasadën amerikane, që ta shohin se edhe Arben Kraja është “Peshk” i madh, që t’u thonë se shqiptarët u besojnë syve të vet, se njohin mirë hajdutët e vet.
Se kanë qarkulluar llafe pazari andej nga SPAK-u, ka pasur joshje, më qartë “blerje” prokurorësh. Meqë jo vetëm Myslim Murrizi ka video, vlera e një prokurori, alias Arben Krajës është hermetike, ku zor hyjnë blitz-et.
Rreth kreut të SPAK-u ka pasur pazare, se po, e ka thëne vetë ambasadorja, por “vizatimi” më interesant ende nuk është publikuar. Kot, nuk e kemi kryeministrin “piktor” dhe “shkrimtar”.
Që ka shitur piktura dhe libra e dimë, por që ka lënë pas Ibrahim Kodrën dhe Ismail Kadarenë, ende nuk i kemi faturat.
Kështu janë punët këtej.
Edhe Wall Street-i i Arben Krajës ka pasur kërcime të çmendura. Sa më shumë silleshin rreth Arben Krajës kriminelë e politikanë, hajdutë e diplomatë, gangsterë e piratë, rritej çmimi, jo i prokurorit, por i vilës.
Videoja e Myslim Murrizit, në vend t’i prishte punë Arben Krajës, zgjidhi gjithë ekuacionet. Edhe të çmimit 2 milion dollarë të vilës, edhe të joshjeve.
Muza, Pazari i Roskovecit.
Aty, një tregtar hokatar, kishte një viç dhe një gjel. Çmimet; viçi 1500 lekë dhe gjeli 75 000 lekë, krijuan atmosferë.
Njerëzit shtyheshin t’i afrohen viçit. Tregtari, nuk ngutej, njëlloj si 4 Klanet Mafioze. Kishte zënë një qoshe, i hipur në një podium që të mos e marrë turma përpara. Pasi u kënaq me “rrëmujën”, u tha mbani vesh milet:
Vërtetë viçi shitet 1500 lekë“, por shkon bashkë me gjelin, e ju e shihni, gjeli shitet fiks 75 000 lekë. Pra bashkë jepen për 76 500 lekë.
Kaq u desh, pushuan zhurmat, u larguan.
Po këtej nga SPAK-u pse nuk pushojnë zhurmat?!
Sepse këtej askënd nuk e tremb çmimi. Dollarë kanë sa të prodhojë toka drogë e sa të ketë skllevër që nuk u çajnë kafkat padronëve.
Por diçka pritet të ndryshoi.
Pasi ne u bëjmë përditë publicitet pazareve, joshjeve, presioneve, nuk mund të mos nisen andej nga Gjiri i Lalzit dhe vilat e tjera të interesuarit.
Nuk përjashtohen as diplomatët, jo për gjë, por të shohin me sy ato që shohin shqiptarët.
Nëse nuk ju intereson fare çfarë presin e çfarë shohin shqiptarët, atëherë ju lutemi, zotërinj diplomatë, shkoni tek pasuritë, tek leku, qoftë edhe në respekt të metaforës që Vila e Arben Krajës shitet 2 milion dollarë./Pamfleti