Pas suksesit të vazhdueshëm në skenën shqiptare dhe jashtë vendit, drama “Vizita” me regji të Davide Iodice do të përmbyllë vitin 2025 me një tur të gjerë në disa prej teatrove më të rëndësishëm italianë.
Rita Gjeka, një prej protagonisteve të shfaqjes, thotë se ky tur përbën një arritje të madhe për teatrin shkodran dhe për gjithë ekipin që e ka shndërruar atë në një përvojë poetike dhe prekëse në çdo skenë.
Ndonëse shfaqja luhet në gjuhën shqipe, publiku i huaj krijon një lidhje të fortë emocionale me të, falë temës universale dhe mënyrës së interpretimit sipas Gjekës.
“Vizita” është drama që bazohet në historinë e një engjëlli që zbret në Tokë dhe përballet me përçmimin dhe paragjykimet e njerëzve, si “i huaj, i ndryshëm e i deformuar”, duke ofruar një reflektim të thellë mbi natyrën njerëzore dhe pranimin e tjetrit.








