Gazetari Ferdinand Dervishi ka depozituar ditën e sotme në SPAK një kallëzim penal për përgjegjësit e ndërhyrjes në sistemin TIMS, në datat 2 dhe 3 gusht 2023.
Dervishi bën të ditur se kallëzimi në SPAK nis me emrin e ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, ministrit pasardhës Taulant Balla, një numri drejtuesish të lartë të policisë dhe përfundon me emrat e ekzekutorëve në terren të vjedhjes së databazës së TIMS. Gjithsej 12 persona.
Ai tregon më tej se akuzat janë 13 dhe nisin me “falsifikim i dokumenteve” dhe përfundojnë me “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gazetari shprehet se “ky grup është përgjegjës jo vetëm për ndërhyrjen në sistemin TIMS por edhe në emërimet flagrante në majën e kupolës së Policisë, si rasti i Ervin Muçës, me të kaluar kriminale në Itali, me probleme me ligjet në Shqipëri, të cilin e morën nga rruga dhe e emëruan Drejtor Departamenti në Polici duke i dhënë edhe gradën Drejtues i Lartë”.
Dervishi deklaron se ka dyshuar që në fillim që ndërhyrja kishte lidhje me pastrimin e të dhënave që TIMS ruante për ‘Xibrakën’.
“Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e të tjerë zyrtarë heshtën dhe për 20 orë nuk vepruan, duke rrëzuar praktikisht shtetin, njëlloj si në rastin e mosekzekutimit nga Policia te urdhër-ndalimeve të Prokurorisë per vrasjet e 21 janarit 2011.
Më pas ustallarët e Rilindjes e sabotuan edhe komisionin hetimor parlamentar, edhe dërgimin në SPAK të çështjes.“- deklaron Dervishi në një postim në Facebook.
Postimi i plotë:
VJEDHJA E TIMS, XIBRAKA DHE KALLËZIMI NË SPAK!
Sot, depozitova në SPAK, me funksionet e një gazetari, një kallëzim penal për përgjegjësit e ndërhyrjes në sistemin TIMS, në datat 2 dhe 3 gusht 2023.
Dyshoja qysh në fillim që ndërhyrja kishte lidhje me pastrimin e të dhënave që TIMS ruante për XIBRAKEN.
Por nuk kisha prova.
Bindje dhe të dhëna kisha për vjedhjen në serverat e TIMS – një ngjarje që u lajmërua menjëherë nga punonjësit, por që, për habi, eproret e tyre nuk u ndien
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e të tjerë zyrtarë heshtën dhe për 20 orë nuk vepruan, duke rrëzuar praktikisht shtetin, njëlloj si në rastin e mosekzekutimit nga Policia te urdhër-ndalimeve të Prokurorisë per vrasjet e 21 janarit 2011.
Më pas ustallarët e Rilindjes e sabotuan edhe komisionin hetimor parlamentar, edhe dërgimin në SPAK të çështjes.
Aq të zellshëm u treguan, saqë detyruan dhe nje deputet me profesion të parë klerik i Zotit, të bënte, në të gjitha hapat, rolin e djallit.
Para pak ditësh Prokuroria e Tiranës mori të pandehur një person të vetëm për ngjarjen. Pra, si të gjitha historitë ku ka pasur mëkate politika edhe ajo po shkonte kokoshi – një thelë.
Ky lajm dhe fakti që çështjen e TIMS e kisha denoncuar dhe ndjekur si gazetar, më detyroi që të bëj një premtim dhe këtë premtim ta mbaj.
Kallëzimi nis me emrin e ish-ministrit te Brendshëm Bledi Çuçi, ministrit pasardhës Taulant Balla, një numri drejtuesish të lartë të policisë dhe përfundon me emrat e ekzekutorëve në terren të vjedhjes së databazës së TIMS. Gjithsej 12 persona.
Akuzat jane 13. Nisin me “falsifikim i dokumenteve” dhe përfundojnë me “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ky grup është përgjegjës jo vetëm për ndërhyrjen në sistemin TIMS por edhe në emërimet flagrante në majën e kupolës së Policisë, si rasti i Ervin Muçës, me të kaluar kriminale në Itali, me probleme me ligjet në Shqipëri, të cilin e morën nga rruga dhe e emëruan Drejtor Departamenti në Polici duke i dhënë edhe gradën Drejtues i Lartë.
Veprime që u nisën e përfunduan në pak ditë kalendarike, si të kishte dhënë urdhër Zoti.
E premtova dhe e bëra kallëzimin me bindje absolute dhe me qëllim për të respektuar veten dhe karrierën time.
E bëra kallëzimin edhe për ti dhënë një shembull kurajoje shoqërisē sonë të marrë peng nga një grusht politikanësh të korruptuar dhe njëkohësisht kriminelësh ordinerë.