Shkruan Sokol Pepushaj
Vjosa Osmani është “fshehur” qysh se Albin Kurti i Prishtinës u bë “trim” si Edi Rama i Tiranës. Vjosa Osmanin po e kërkojnë gjithandej nga vargmalet e Pindit në Greqi ku buron lumi Vjosa e deri në Radac të Pejës, ku nis maratonën 285 kilometërshe Drini i Bardhë.
Këtej nëpër Ballkan, zyrtarët, më shumë se me punët për të cilat paguhen, po merren me Presidenten e Kosovës, ku është, pse nuk flet.
Ja, kryeministri Albin Kurti nuk dëgjon nga veshët ç’thotë “Shtëpia e Bardhë” për shtyrjen e afatit të konvertimit të targave të makinave serbe në Kosovë; as Edi Ramës nuk ja kap “antena” valët e drejtësisë për transparencë pasurie, prandaj luajnë “kukafshehti”, merren me punët e të tjerëve.
Shprehja e urtë jona, “as në Qiell as në Tokë”, në aparencë shkarravitë “vizatimin”, se Presidentja e Kosovës është “lojtare” amerikane, të zezën e bën të bardhë, hajdutin hero, nxin me re të dendura qiellin e Ballkanit, sa yjet dhe avionët shpërndajnë dritë e tym bashkë.
Po, kjo vjeshtë ka shumë smog.
Mbi Qiellin e Tiranës, më shumë numëron avionë që ngrihen e ulen nga Rinasi, sesa yje. Tymi i zi lart në qiell, i mbështjell yjet me terr.
Njerëzit poshtë, vendosin baste kush e çan më shpejt errësirën, ‘Naimi’, ‘Lasgushi’ apo ‘Migjeni’, kush bën xixa më të forta Belinda Balluku apo Olta Xhaçka,
Kjo e fundit, ditët e fundit, ishte me veshët hapur në Washington, kur Gabriel Escobar plasi “Bombën” përmbi Ballkan.
Për fatin e saj të mirë, shigjetat e pakënaqësisë fluturuan drejt Prishtinës e ende jo për në Tiranë.
Deklarata se “Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta shtyrë vendimin për targat serbe”, sikur u solli ujë në tubat e tharë antiamerikanëve të Tiranës dhe Prishtinës. Mediat, me një frymë, po mbushin eterin se fitorja e Albin Kurtit dhe humbja e Vjosa Osmanit i bën lëmsh plot “nyje” politikat e Washingtonit për Ballkanin Perëndimor.
Po kërkohet edhe nëpër spitale, se mos Vjosa Osmani është e sëmurë.
Të gjithë diçka po bëjnë.
Albin Kurti dhe Edi Rama janë në atë gjendje që nuk dinë ç’i pret. Nëse qenve të racës “Doberman” u rritet truri më shumë se kafka, këtyre u është rritur egoja me shumë se mundësia, prandaj edhe “kafshojnë” të zotët.
Harruan Hashim Thaçin, po kryqëzojnë Vjosa Osmanin, janë me kurriz nga amerikanët, si në tërbim.
Në këtë ndeshje historike, po prisnim një “bilbil” nga dy ambasadat amerikane, në Prishtinë dhe Tiranë.
Jo veç s’ka fërshëllimë, por as ka pse të ketë, sa kohë ushtarët e Aleksandër Vuçiç ende nuk po i nxjerrin duart nga xhepat.
Meqë fillimi dhe fundi i gjësë, është ndeshje mes lindjes dhe perëndimit, një autogol i Presidentes së Kosovës nuk dëmton ligën, përkundrazi sjell përmbysje të tabelës së skuadrave të Ballkanit Perëndimor
Që këto ngjarje s’kanë një sistem War, largojeni nga mendja, që hajdutët e Ballkanit e kanë rrugën të çelur, mbajeni për kafkat tuaja.
Ja, ta zëmë se ndodhi ajo që duan shqiptarët, ç’ndodh?
Bien shigjetat e diellit mbi skutat e errëta të pushtetit, dalin nga dyert e dritaret insektet, rrëzohen përdhe dy qeveritë, e Prishtinës dhe e Tiranës.
Pra ka sistem War, ka opsion, ka edhe ekuacion ku, pse të mos mendojmë se Vjosa Osmani luan për Amerikën, ha 1 “autogol”, rrëzon 2 Qeveri./Pamfleti