Vogëlushi që e gjuajti gjeneralin me gur

0

Shkruan Kolec P. Traboini

A e njihni atë njeri që ecën nëpër shtegun e ahishtave të diellit
e nëpër vragë të ballit të tij të purpurtë kalon,
që kthen pas e, në ofshamë hap një portë në kujtesën e gurit,
zhytet në muzgjet e anktheve të djeshme
ku vritej loti në qerpikun e burrit – e në brazdat tinzare
të vjeshtës ekzekutoheshin edhe gjethet.
Ja thanë krahët e shpirtin ja bënë eshkë, parvazin
ku mbështeste kokën në ëndërrim ja dogjën,
mohit i ranë shkollës, punës banimit në qytetin e Shkodrës,
se baba ju arratis dhe ai asokohe ferishte gjuajti një gjeneral me gur
sepse nuk e lejonte Hilmi Seitin t’ja shante baben “armik”;
bash ky burrë!
I lindur në mes malesh e reflekse ujrash të kristalta,
përcjell brenda vehtes edhe erën e lehtë të korijeve të Shkrelit
e cila e shtyn gjithnjë në largim, besa edhe përtej oqeanike,
ku një dashuri e re për jetën zë fill në tokën e Linkolnit
veç, pa mundun kurrë ta largojë nga imazhi i brigjeve
shkëmbore prej nga ka ardhun.
Nëse shihni një njeri të mirë e të urtë përskaj avenjuve të Nju Jorkut
bën vaki edhe me lokalet e Dem Balidemës a Gjergj Dedvukajt
tek kuvendon me vllezërit Gojçaj a Astrit Totën për shtatoren
e Nanë Terezës,
një shkodran i gjatë sykaltër, që në meditim të kujton Budën
e Krishtin e vargjet i tingëllojnë me frymëmarrjen e gjoksit të Uitmanit;
ndalojeni, takojeni e flisni me të si me vetvehten,
si burri me burrin.
A e njihni atë njeri që ecën nëpër shtegun e ahishtave të diellit
e nëpër vragë të ballit të tij të purpurtë kalon
që kthen pas e, në ofshamë hap një portë në kujtesën e gurit?
Ai është poeti Luigj Çeka,j që në fëmininë e përlotun
e gjuajti gjeneralin me gur.
Nga libri “Trinia ime”, Boston-Tiranë 2006
ISBN 99943-36-70-3

Poezia “Vogëlushi që gjuajti gjeneralin me gur” mbështetet në një ngjarje reale në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër. Luigj Kol Çekaj, RIP, kur e ekspozova poezinë në Internet më 30 nëntor 2018 bëri këtë shënim:
“I dashuri Kolec! Nuk ka më shumë se dy muaj, që me kembnguljen e fëmijve kam hapur edhe vete F.B. tim! Ndryshe deshta që të rikujtoj, se unë…përsëri kam mbetur ai personazhi yt i çuditshem të cilin si askush tjetër e keni ringjallur te poezia brilante që Ju mjeshtri i Madh, ma keni përkushtuar mua…Të faleminderit Kolec dhe me beso, se më keni gëzuar aq fort sa me përjashtim të nji personaliteti të konfirmuar si Ju vështirë se mund të më besojnë.
Të fala shumë , Luigji.”

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu