Votat e emigrantëve, ndryshon lista e deputetëve të PS; çfarë ndodhi mes Xhaçkës dhe Gjylametit

0

Ka vijuar gjatë orëve të vona të natës, numërimi te Parku Olimpik i Tiranës për votat e diasporës së Greqisë.

Sipas tabelave zyrtare të KQZ-së, janë numëruar dhe referuar 192 155 zarfe me vota të emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit, nga 195 141 që ka qenë numri total.

Deri tani, Partia Socialiste ka fituar 114 126 vota, ose 60,06% dhe Partia Demokratike 46 009 vota, ose 24,21%.

Diferenca e votave mes dy partive të mëdha ka kaluar mbi 68 mijë vota në favor të PS-së.

Në shkallë vendi (duke llogaritur diasporë dhe qarqe) PS gjithashtu ka një diferencë shumë të thellë me mbi 312 mijë vota nga demokratët. Aktualisht socialistët kanë një total me mbi 840 mijë vota, kurse demokratët 528 mijë vota.

Nisma Shqipëria Bëhet, ka siguruar 14 353 vota nga diaspora ose 7,55%, 5864 vota Mundësia, ose 3,09%, 2,25% Lëvizja Bashkë dhe 1,19% Partia Socialdemokrate. Të tjerat janë nën pragun e 1%-shit.

Deri tani PS ka siguruar 83 mandate, pasi arriti ta ruante mandatin e 12-të të Fierit pas numërimit të zarfeve të emigrantëve të Greqisë për këtë qark për partitë, teksa Nisma Shqipëria Bashkë tentonte që t’ia hiqte.

PD ka mbetur në kuotën e 50 mandateve, pasi ruajti mandatin e katërt të Lezhës dje me deputetin Kastriot Piroli, PSD me 2 mandate, Mundësia po 2 mandate dhe nga 1 mandat Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.

Aktualisht vijon numërimi edhe për votat preferenciale, ku gara më e fortë mbetet ajo e Tiranës brenda PS.

Deputetja Olta Xhaçka ka arritur që t’i ‘rrëmbejë’ mandatin koleges së saj brenda partisë, Blerina Gjylameti me vetëm 2 vota diferencë, teksa u numëruan gati 43 mijë vota të diasporës së Greqisë.

Gjylameti ndodhej vetëm 19 vota para Xhaçkës në numërimin e qarkut dhe të diasporës së shteteve të tjera, teksa ajo e Greqisë dha verdiktin final duke ia kaluar mandatin Xhaçkës. Nga numërimi rezultoi se Xhaçka mori 74 vota te zarfet e Greqisë dhe Gjylameti 53.

Votat e emigrantëve, ndryshon lista e deputetëve të PS;

Deputetja tjetër nga kuotat gjinore që hyri prej listës së hapur të PS ishte ministrja Anila Denaj.

Për një vend luftohet aktualisht mes deputetëve Ornaldo Rakipi dhe Xhemal Qefalia. Rakipi ka krijuar një shkëputje me të paktën 200 vota.

Në PD gara konsiderohet e mbyllur, pasi Jorida Tabaku ndodhet gati 3 mijë vota para Ilir Alimehmetit dhe vota e diasporës nuk pritet të ndryshojë gjë për mandatin e vetëm të listës së hapur në Tiranë.

Garë për preferencialet ka edhe në Lezhë vetëm brenda kandidatëve të PD-së dhe PS-së për t’i zënë vendin njëri-tjetrit në një mandat, vetëm brenda partisë dhe jo mes tyre. Te PD Kastriot Piroli duket shumë i shkëputur nga ndjekësi Aleksandër Lala te lista e hapur dhe në PS lufta më e fortë bëhet mes Admir Kadelit dhe Marjeta Nelit, me këtë të dytën që ndodhet qindra vota para kolegut të partisë.

Gara mes partive për të rrëmbyer mandat përfundoi dje (17 maj), ku PD e ruajti mandatin e katërt vetëm për disa dhjetëra vota. Në Kukës gara brenda PD-së për mandatin e listës së hapur përfundoi me përmbysje në favor të deputetit Isuf Çela, që tejkaloi Shkëlqim Shehun.

Ndërsa, Besa Spaho në Korçë përpiqet ta ruajë mandatin nga socialistja tjetër Eslemvera Zake.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu