Vrasja e shtetasit italian Edoardo Sarchi në zonën e Salarisë, ku si autor i dyshuar është identifikuar Gazmend Braçe, ka rikthyer në vëmendje një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2019, në ambientet e Spitalit të Fierit.
Asokohe, Gazmend Braçe u përfshi në një përleshje të armatosur mes familjeve Braçe dhe Zhapaj, ku mbetën të plagosur pesë persona. Ngjarja ndodhi brenda një institucioni shtetëror, por policia tentoi të minimizonte shqetësimin e qytetarëve.
Para 6 vitesh sipas një denoncimi të bërë nga një qytetar për JOQ Albania, autoritetet kanë fshirë pamjet filmike të kamerave të sigurisë si brenda spitalit, ashtu edhe në një lokal në Levan ku dyshohet se nisi konflikti i përgjakshëm.
Në dëshminë e tij, qytetari pretendonte se arma e zjarrit u vetlëshua nga një efektiv policie, duke i krijuar mundësi Gazmend Braçes dhe një personi tjetër, Danielit, të qëllonin mbi vëllezërit Zhapaj. Po sipas këtij burimi, autorët e fisit Braçe janë liruar menjëherë pas ngjarjes.
Ngjarja e vitit 2019 nuk ishte e para për Braçen. Qytetarë të ndryshëm kanë denoncuar se ai është i përfshirë në shumë ngjarje kriminale, teksa theksohet se është i mbrojtur sepse është djali i nipit të ish kryetarit të Kuvendit, socialistit Gramoz Ruçi.

*Në foto Aleksandër Zhapa që u plagos në ngjarjen e 31 gushtit 2019 nga Braçe








