Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Spanjë, ku një shqiptar është ekzekutuar. Sipas mediave iberike, ngjarja ka ndodhur në La Selva të Gironas ku shqiptari pas vrasjes është braktisur në derën e spitalit “Blanes”.
Sipas policisë, mjeti që e braktisi ishte “Audi” ngjyrë e zezë me targa të huaja dhe brenda tij mendohet se kanë qenë 3 persona. Shqiptari, i cili ishte qëlluar me plumb në pjesën e pasme të kokës, nuk kishte mjet identifikimi me vete dhe autopsia e tij pritet të zhvillohet të hënën.
Disa orë pas ngjarjes, në stacionin e policisë Lloret de Mar Mossos d’Esquadra, është paraqitur një shtetas i cili deklaron se ka dijeni për krimin. Policia ende nuk ka deklaruar nëse personi është i përfshirë në vrasje apo ka qenë në automjetin që braktisi trupin e viktimës. Paraprakisht mendohet se shkak i ngjarjes janë përplasjet për trafikun e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në Spanjë.
Bëhet fjalë për një skenar të përsëritur në territorin spanjoll, pasi nuk është hera e parë që një shqiptar vritet dhe braktiset në derën e spitalit.
Në dhjetor 2019 një 23-vjeçar shqiptar ndërroi jetë në një spital në Valencia, pasi u gjet i plagosur dhe i braktisur të mërkurën në mbrëmje para dyerve të spitalit “La Fe”.
I riu ishte qëlluar me armë zjarri, ndërsa kishte plagë të rënda në bark dhe në pjesën e shpatullës. Edhe pse stafi mjekësor i dha menjëherë ndihmën e parë, 23-vjeçari me kombësi shqiptare nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Më 25 Prill 2023, një tjetër shqiptar u gjet pajetë në dyert e një spitali në Girona. Targat e mjetit që e lanë te dera dhe u larguan, çuan në gjetjen e drejtuesit dhe identifikimin e viktimës. Mossos d’Esquadra kanë arritur të identifikojnë viktimën, i cili ishte pa dokumente, por kanë kontrolluar targën e makinës e cila e kishte sjellë dhe kanë gjetur drejtuesin e saj.