Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mbajti një fjalim të gjatë mbrëmjen e së hënës për çështjen e Kosovës. Ai tha se nuk është e lehtë të gjendet diçka në planin franko-gjerman për Kosovën që do të entuziazmonte përfaqësuesit e Serbisë. Ai tha se ky plan “de facto” është një kornizë e re negociuese. Nëse Beogradi refuzon planin do të përballej me sanksione të vështira të cilat Vuçiç i përmblodhi me pak fjalë.
“Erdhën tek unë përfaqësues të Gjermanisë, Francës, Italisë, BE-së dhe Departamentit të Shtetit. Në fjalinë e dytë mu tha: “Duhet ta pranoni këtë plan dhe nëse nuk e pranoni, do të përballeni me ndërprerjen e procesit të integrimit në BE. Së dyti, do të përballeni me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve. Së treti, do të përballeni me të gjitha masat në kuptimin ekonomik dhe politik që do të dëmtojnë Republikën e Serbisë. Ata e përsëritën këtë tre herë dhe çdo herë unë reagova shumë ashpër” – tha Vuçiç.
“Që ta kuptojnë njerëzit, nuk ka përparim për ne në Evropë nëse nuk bashkëpunojmë për këtë çështje. Të gjithë e kemi parë versionin e parë të të ashtuquajturit plani franko-gjerman i cili nuk ndryshon shumë nga versioni i dytë. Por nuk është vetëm kaq, është më shumë se kaq. Por unë kam frikë se askush nuk ka dashur të flasë për kontekstin dhe me çfarë po ballafaqohet Serbia në të vërtetë”, – tha presidenti serb.
“Nuk mund ta pengojmë anëtarësimin e tyre në organizata ndërkombëtare si Këshillin e Evropës, as nuk mund ta pengojmë anëtarësimin e tyre në NATO, megjithatë kam thënë se nëse presin duartrokitjen tonë, diçka të tillë nuk do të marrin, por nuk mundemi ta parandalojmë atë”, ka deklaruar Vuçiç.