Yuri Kim; kush është për burg, të bëhet gati!

0

Hajdutët janë në kohë të keqe, në shtatorin e fundit. Asnjëri nuk e shikon me sy të mirë ambasadoren amerikane, secili i lutet Djallit të vet që ajo të largohet më 22 janar të vitit që vjen… 

Shkruan Sokol Pepushaj

Hajdutëve u është hapur dera e burgut. Para se të futen aty, për të mos dalë më, se kështu ka ngjarë edhe në Kroaci, do u bëhet një kontroll i imët për çdo pasuri e prapësi.

Ajo që njerëzit besojnë, drejtësia, është e thjeshtë fare, por ajo që hajdutët e kriminelët ëndërrojnë, sundimi e pasurimi, ka komplikacione.

Anomalitë e tyre i ndjen edhe shoqëria.

Kështu ka ndodhur deri sot e ende nuk ka një tjetër formulë, as në fillim, as në fund.

Do kemi modelin kroat.

Atyre që nuk e besonin ambasadorin Donald Lu për formatin Kroat në drejtësinë me mbikëqyrje  amerikane, po u nxjerrin sytë “xixa”. Mosbesimi u është bërë besim…

Andej, në Kroaci, nga 3198 dosje, nuk ka dështuar asnjë. Andej, përveç të penduarve që janë dënuar nga 4 deri 10 vjet, ende nuk ka dalë nga burgu asnjë.

Edhe këtej nga ne, fillimi është i mirë.

Adriatik Llalla, Gjin Gjoni, Bashkim Dedja e Xhezair Zaganjori janë fakte, apo jo?

Ishin para pak kohësh shumë lart, si Arben Kraja sot. Por ranë poshtë, shumë poshtë, e sytë u “xixëllojnë” labirintheve të burgut, që e kanë si një e një bëjnë dy.

Edhe tatëpjeta, ka ca mundime.

Shumë tregojnë histori më rrënqethëse në rënie se në ngjitje. Kur hipin lart, ishin të lehtë, i kishin xhepat e barkun bosh e nuk i ndjenin sa sot goditjet që vijnë, gjithmonë nga nuk e pret, se “i yti ta futë”, thotë populli. Meqë jemi këtu, Edi Rama do të  detyrohet t’i lëshojë të vetët, por le të rrimë këtu ku zvarriten hajdutët, rrugës për në burg.

Ne i kemi ndjekur edhe kur shtyheshin e kacavirreshin “mureve” të Sali Berishës, Ilir Metës, Fatos Nanos, Edi Ramës, apo kur “pllaquriteshin” nëpër “vaskat” e Fatmir Mediut, Vangjel Dules, Shpetim Idrizit, Monika Kryemadhit, Skënder Gjinushit, Petrit Vasilit etj.

Ishin aso kohe ”Peshq” e “Ngjala”  që u shndriste lëkura, ishin, që ‘s’prekeshin me pupël’. Për nga luksi e paratë tejkalonin mbretër e sheikë…

Sot janë në rënie.

Kishin tjetër mendje, të ndërronin “portat”, por nuk e çonin “antenën” andej nga rrezikohet sistemi.

Sistemin e tronditi vetëm mbështetja amerikane.

Kjo i ka tërbuar hajdutët që po pësojnë humbje dhe zor ta kapin pranverën pa shkuar para drejtësisë. Ja u “plagosën” Lefter Koka dhe Alqi Bllako, kanë pësuar fraktura Arben Ahmetaj, Fatmir Mediu, Ilir Beqja, janë me “antibiotikë” ato që kanë provuar të jenë ministra, deputetë, krye bashkiakë, doganierë, hipotekarë, hajdutë thuaj…

Sot këta, edhe në vrasjet e porositura kanë defiçenca. Po vuajnë për ato që vrasin ditën me plumba, por porositin therje me thika, e patjetër natën. Kaq poshtë u ka rënë kartagjena.

Po, ndodh. Ushtritë në tërheqje i kanë humbjet më të dhimbshme se në sulm. Këta tanët edhe në i paçin shumëfish, as nuk i dhimbsen ndokujt, as të mos çuditen fare.

Ushtarët e betejave luftarake kanë objektiva, kanë gavetën plot në sulm e bosh në tërheqje, kurse këta antiamerikanët tanë, janë, s’dinë as ata se çka.

Kur u nisën drejt të “pushtojnë” zyrat e shtetit, nuk kishin jo gaveta, por as pagure, as lugë e pirunë, ndërsa në rënie, kanë mbushur “tepsitë” e me zor zvarritin këmbët nga pesha e gjësë së vjedhur.

Kur pesha e padrejtësive rëndon mbi secilin, cilido ëndërron të vijë ajo që nuk e njohin ende shqiptarët, drejtësia.

Është ndarë shapi nga sheqeri.

Të veçuar nga shoqëria dhe të shoqëruar nga njerëz me vese, me pasuri të çuditshme, presin plot ankth e frikë se kush dhe kur po vjen t’u thotë, erdhi momenti të bëhet drejtësi.

Drejtësia është armiku i çdo pasaniku që nuk di as vetë ku i mori milionat e dollarëve, prandaj gjithsecili që është për burg e di se rruga nuk ka kokë, nuk ka dalje…

Pakënaqësitë publike kanë krijuar “Itakën” e tyre. Aty me zor frymojnë njerëz të varfër mes  resurseve si rrallë ndokund, aty ngre “dallgë” neveria, urrejtja, zemërimi që nuk ka kush bën as matjen e tij të sinoreve ku kanë ngritur resorte e jetesë luksi hajdutët.

Sa për “dallgët” e zemërimit, këta do e gjenin ilaçin, por problem kanë investimin publik amerikan dhe ambasadoren Yuri Kim që njeh cilindo hajdut me emër e mbiemër, cilëndo pronë e pasuri, dhe normalisht, pritshmëritë e një populli që beson.

Hajdutët janë në kohë të keqe, në shtatorin e fundit. Asnjëri nuk e shikon me sy të mirë ambasadoren amerikane, secili i lutet Djallit të vet që ajo të largohet më 22 janar të vitit që vjen.

Po a i dëgjon Dreqi këta?

Kjo është çështja. Djalli nuk dëgjon nga veshët, se është nervoz për vete. Edhe 22 janari 2023 do të jetë vazhdimësi pune, deri në përmbushje të pritshmërive, e asgjë më shumë.

Të tërë diçka presin.

Është e para herë në historinë tonë që edhe njerëzia edhe hajdutët presin të njëjtën gjë, komandën nga Yuri Kim; kush është për burg, të bëhet gati!/Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu