Shkruan Sokol Pepushaj
Pas 100 vitesh pritje, ambasadorja Yuri Kim, doli vetë në “semaforin” e një kronike televizive. Udhëtimi pa viza drejt Amerikës, nuk nënkupton 7000 e ca kilometra nëpër hapësirë lirie, por vënien në punë të “semaforit” në kryq të kryqëzimit të lirive dhe të drejtave njerëzore, duke i dhënë fund makthit se aty komandojnë me radhë, herë Edi Rama me Ilir Metën dhe herë Sali Berisha me Ilir Metën.
Deri tani rregullat i kanë vendosur vetë
Në Shkodër, ka rreth 20 vjet që bashkia i ka blerë semaforët sa frëngu pulën në Itali. Ka dhënë më pastaj tenderë për ti instaluar në çdo rrugë, ka lëshuar para ‘vu’ për mirëmbajtje të gjësë që nuk ekziston. Kishin qëlluar hedhurina. Në gjithë historinë e kryeqendrës së Veriut, nuk ka as edhe një kronikë me semafor ndezur. As ditën e përurimit, nuk kanë hapur as syrin jeshil, as të kuqin.
Po si u përcoll lajmi në media?
Hapini kronikat e kohës. Ca hamallë me kamera në supe, që marrin nga tre katër rroga, u mbajnë bishtin e mikrofonëve zyrtarëve me sytë dac, dhe u shkrepin blitze nga larg poçeve qorre varur në shtylla.
Në një kësi kronikash, pas 100 vitesh, shqiptarët duhet të përgatiten të përballojnë emocionet, jo më shumë për “semaforin” blu të tyre, se sa për të kuqin që ua ndezi ambasadorja Yuri Kim pushtetarëve.
Ç’na duhen “semaforët” e tokës, kemi të hapësirës?
Do kaloni pa pengesa përmbi Atlantik dhe pikë. Por kaq, nuk është kaq. Cep më cep të kapitalit ekonomik dhe politik, një progres raport realist, është detyrë shtëpie që përmblidhet në kapitullin 24 për anëtarësimin në BE. Pra, pas “semaforit” të kuq, janë tërë të korruptuarit, mashtruesit e prokurimeve publike, trafikantët dhe anëtarët e krimit të organizuar, pastruesit dhe shpërdoruesit e parave.
Realizimi me hir a pahir i kushteve, nënkupton lëvizjen e lirë te shtetasve edhe në Amerikë dhe ndez sinjalin “stop” për hajdutët, kriminelët, pengestarët e zgjerimit të tregjeve në shërbim të ekspansionit ekonomik e zhvillimeve komunitare.
Shqiptarët në 32 vjet strapacime e padrejtësi, e kanë gërmuar me thonj dhe ndërtuar jo keq bazamentin e tyre në çdo cep të Globit, përveçse në vendin e vet, ku zhgërryhen bark-derrat.
Cilësitë e integrimit na kënaqin, shifrat e emigrimit na dhëmbin.
Pra, jo nga misteri për lëvizjen e lirë, se shqiptarët i çelin rrugët ngado, por se do të ndizet drita e kuqe për garipët e fshatit, hajdutët e kriminelët, bën lajm fakti, se s’ka më, ligjin e bën i forti, pasi ka dalë vetë Yuri Kim në “semafor”./Pamfleti