21 Janari, një krim shtetëror i mbetur pa drejtësi

0

Shkruan Zef Ndreka

Rasti i djeshëm i thirrjes së Lulzim Bashës në SPAK si dëshmitar në çështjen e vrasjes së 4 protestuesve më 21 janar 2011, është një kthesë e fortë, e vonuar por domethënëse, në historinë politike dhe morale të Shqipërisë postkomuniste.
Kjo ngjarje është një zhvillim hetimor, por më tepër ajo është një rikthim simbolik i llogaridhënies ndaj një prej episodeve më të errëta të tranzicionit shqiptar.
21 Janari deri më sot është një krim shtetëror i mbetur pa drejtësi.
Në atë ditë të ftohtë janari, katër qytetarë, Aleks Nikaj, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi u vranë në bulevard, përballë Kryeministrisë, gjatë një proteste që kishte si kauzë korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit të kohës.
Vrasjet ndodhën përballë kamerave, nën urdhrat e një zinxhiri komandues që askush se mori kurrë përsipër.
Hetimi u zvarrit, u deformua dhe u mbyll në nivele të ulëta hierarkike, ndërsa urdhëruesit realë politikë dhe operacionalë u mbrojtën nga një sistem i kontrolluar.
Në këtë kontekst, thirrja e Bashës nga SPAK për të dëshmuar, qoftë si dëshmitar apo si person që kishte rol komandues, është jo vetëm një akt ligjor, por një provë e moralitetit publik.
A do të guxojë drejtësia të prekë kastën e pandëshkueshme të politikës shqiptare?
Lulzim Basha është njeriu midis dosjeve dhe dështimeve.
Basha, në atë kohë ministër i Brendshëm, por që në mënyrë të çuditshme ishte drejtues operacioni policor nga tarraca e Kryeministrisë, ka qenë gjithmonë një figurë kontradiktore.
Një burokrat i ngritur shpejt nga sistemi ndërkombëtar apo nga dikushi, një njeri që e ndërtoi karrierën mbi mbrojtjen e Berishës dhe jo mbi bindje demokratike, një politikan që për 15 vite ka lëvizur mes rolit të “pastruesit” të mëkateve të Berishës dhe “mishërimit” të dështimit opozitar.
Dorëzimi i vulës dhe logos së PD-së pas vendimit të gjykatës është për shumëkënd kulmi i degradimit të një figure që dikur shihej si “alternativa perëndimore”.
Nqs dikur Berisha e përdori për të pastruar imazhin e vet pas 21 janarit, sot duket se drejtësia e përdor Bashën si dëshminë e vonuar të ndërgjegjes për një krim shtetëror.
A mund të jetë Basha i penduar?!
Në plan njerëzor, pendesa do të ishte gjesti i vetëm që mund ta shpëtonte nga harresa.
Nqs Basha, ndryshe nga të tjerët, do të kishte guximin të tregonte zinxhirin real të urdhrave, pra, kush dha urdhrin për të qëlluar, kush fshehu provat, kush urdhëroi manipulimin e pamjeve, ai do të hynte në historinë politike shqiptare si i penduari që prishi murin e heshtjes.
Por, për ta bërë këtë, duhet të ketë guxim moral dhe historia e tij nuk e dëshmon këtë. Ai ka zgjedhur gjithmonë rrugën e kompromisit, të heshtjes, të lojës së dyfishtë.
Cili do jetë fati i tij politik?
Pas këtij episodi, rruga e tij politike është e vështirë të rikthehet.
Ai nuk ka më bazë morale në PD, e cila është kthyer në një “front berishist” të verbër.
Nuk ka as besim publik nga elektorati që e sheh si simbol të dështimit.
Ndërkombëtarët që dikur e mbështetën, e kanë kuptuar se është produkt i një sistemi të sëmurë, jo ilaçi i tij.
Por nqs drejtësia do të ecë deri në fund, Basha do të përballet me dy rrugë:
– Pendimin dhe bashkëpunimin e plotë me drejtësinë, për të treguar të vërtetën e 21 janarit, qoftë dhe si një akt spastrimi moral.
– Vazhdimn e heshtjes dhe mbrojtjen e Berishës, që do të thotë vdekje politike e ngadaltë, pa dinjitet dhe pa histori.
Sidoqoftë, Lulzim Basha është sot një figurë që përfaqëson humbjen e moralit politik në tranzicionin shqiptar, njeriu që kishte mundësinë të jetë ura mes së shkuarës dhe një të ardhmeje europiane, por u bë hallka e fundit e një zinxhiri të vjetër korrupsioni dhe gjaku.
Nëse do të ketë një çast shpëtimi për të, ai do të vijë vetëm kur të tregojë të vërtetën për 21 janarin, jo si ministër, por si njeri që ishte atje në tarracë, mes urdhrave dhe zjarrit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu