Kreu Blog

85 milimetër që ndalën një super-projekt, si ngeci hekurudha e Kinës në mes të shkretëtirës

0

Pamja duket pothuajse absurde. Një hekurudhë prej 234 kilometrash, e ndërtuar në shkretëtirën Gobi, me ura, infrastrukturë dhe funksionalitet të plotë, arrin në kufirin e Kinës dhe Mongolisë dhe ndalet atje. Jo sepse burimet ose teknologjia e disponueshme kanë mbaruar, por sepse kanë mbetur vetëm 20 kilometra që nuk janë përfunduar për 13 vjet.

Një projekt që filloi në vitin 2012 për të zgjidhur një nga problemet më të mëdha logjistike të Azisë, mbetet i papërfunduar në një pikë që duket pothuajse e parëndësishme në hartë.

Megjithatë, problemi nuk është i parëndësishëm. Në thelb qëndron një ndryshim prej vetëm 85 milimetrash në gjerësinë e shinave hekurudhore. Mongolia përdor gjerësinë sovjetike prej 1,520 mm, ndërsa Kina përdor gjerësinë ndërkombëtare prej 1,435 mm. Kjo distancë e vogël është e mjaftueshme për ta bërë të pamundur kalimin e të njëjtëve trena nga një vend në tjetrin, duke detyruar mallrat të transportohen në kufi. Në praktikë, kjo do të thotë vonesa, rritje të kostove dhe humbje të avantazhit kryesor që premton hekurudha.

Problemi 85 mm që bllokoi gjithçka

Projekti ishte hartuar për të transportuar sasi të mëdha qymyri dhe metalesh nga minierat e Mongolisë në industrinë kineze, pa pasur nevojë për radhë të pafundme kamionësh që kalonin Gobin. Faza e parë u përfundua në vitin 2022, me linjën që arrinte në kufi, duke ulur koston e transportit të qymyrit nga 32 dollarë në vetëm 8 dollarë për ton.

Megjithatë, pjesa thelbësore që do të lidhte dy rrjetet u la pas, duke e lënë projektin të papërfunduar aty ku kishte më shumë rëndësi.

Zgjidhja e preferuar është ndërtimi i një linje me dy binarë, në mënyrë që trenat mongolë dhe kinezë të mund të qarkullojnë pa transportim transbordi. Kjo është një lidhje ndërkufitare prej 19.5 kilometrash në Qafën Gashuun Sukhait, e cila përfshin gjithashtu ura deri në 31 metra të larta për të mbuluar ndryshimet në lartësi në të dyja anët. Kjo fazë filloi në vitin 2025, me një datë përfundimi të synuar në vitin 2027, megjithëse shumë tashmë e konsiderojnë afatin kohor tepër optimist.

Foto: Google

Pas problemit teknik, fshihet edhe një ngatërresë e madhe ekonomike… Mongolia ka rezerva të mëdha lëndësh të para, me depozitën Tavan Tolgoi të vlerësuar në 6.4 miliardë ton qymyr, ndërsa Oyu Tolgoi është ndër depozitat më të rëndësishme të bakrit dhe arit në botë, me një prodhim të parashikuar prej 500,000 ton bakri në vit deri në vitin 2030.

Megjithatë, vendi nuk ka qasje në det dhe është shumë i varur nga Kina për eksportet e tij, me rreth 90% të lëndëve të para që tashmë shkojnë atje.

Hekurudha mund të dyfishojë eksportet e Mongolisë nga 83 milionë në 165 milionë ton në vit, duke rritur ndjeshëm të ardhurat e saj. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ajo forcon më tej varësinë ekonomike nga Kina, duke krijuar një ekuilibër delikat midis zhvillimit dhe varësisë.

Për Pekinin, rëndësia e projektit është po aq e madhe, pasi siguron akses të qëndrueshëm në lëndët e para kritike në një kohë tensionesh gjeopolitike dhe pasigurie në treg.

Shkretëtira që nuk fal gabimet

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ekziston edhe vetë Gobi. Një nga mjediset më të pafavorshme në planet, me temperatura që variojnë nga -40 gradë në dimër në mbi 40 gradë në verë. Këto luhatje ekstreme bëjnë që shinat të zgjerohen dhe tkurren, duke përshpejtuar konsumimin e tyre dhe duke rritur nevojat e mirëmbajtjes. Stuhitë e rërës mbulojnë shpesh linjat, ndërsa bora kufizon funksionalitetin në muajt e dimrit, duke krijuar një mjedis ku vihet në provë edhe inxhinieria më e sofistikuar.

Kështu, një projekt që mund të ndryshojë rrjedhat tregtare në të gjithë rajonin mbetet i bllokuar në fazat e tij përfundimtare. Jo për shkak të mungesës së ekspertizës apo financimit, por sepse këtu kryqëzohen detajet teknike, vështirësitë gjeografike dhe interesat politike dhe ekonomike.

Pse ka kaq pak interes për të krishterët e persekutuar?

0

Shkruan Konstantin Luci

Një nga paradokset më të mëdha të kohës sonë është ky: të krishterët janë grupi fetar më i persekutuar numerikisht në botë, por vuajtja e tyre merr shumë pak vëmendje nga media globale, politika ndërkombëtare dhe opinioni publik. Sipas raportit Open Doors World Watch List 2026, mbi 388 milionë të krishterë pra 1 në 7 të krishterëve në të gjithë botën vuajnë nivele të larta persekutimi ose diskriminimi vetëm për shkak të besimit të tyre.
Në 50 vendet më të rrezikshme, mbi 315 milionë të krishterë përballen me persekutim ekstrem ose shumë të lartë. Vetëm gjatë periudhës së raportit, u regjistruan 4.849 të krishterë të vrarë për shkak të fesë së tyre, shumica dërrmuese në Afrikën Sub-Sahariane (veçanërisht në Nigeri, ku u vranë 3.490 vetë). Qindra kisha u sulmuan, mijëra u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa në vende si Koreja e Veriut, Somalia, Libia, Eritrea, Jemeni, Sudani, Pakistani, India dhe Kina, besimtarët përballen me burgosje, tortura, diskriminim sistematik ose vdekje.Megjithatë, kjo tragjedi njerëzore rrallëherë bëhet lajm kryesor. Pse ndodh kjo heshtje kaq e theksuar?
Arsyeja e parë është perceptimi i gabuar në Perëndim se Krishterimi është feja e “privilegjuar”, e “të bardhëve” dhe e kolonializmit historik. Shumë gazetarë, akademikë dhe aktivistë e shohin Krishterimin si fe të pushtetit, jo si fe të viktimave. Prandaj, është e vështirë për ta të pranojnë që sot shumica e të persekutuarve janë njerëz të varfër, jo-të bardhë afrikanë, aziatikë, etj që vuajnë në fshatra të largëta ose nën regjime autoritare. Kjo krijon një “hierarki të viktimave”, ku disa grupe konsiderohen më “të denjë” për solidaritet dhe vëmendje.
Arsyeja e dytë lidhet me bias-in sekular të medias perëndimore. Shumë gazetarë nuk e kuptojnë ose nuk e marrin seriozisht motivimin fetar. Për ta, feja është diçka private, jo diçka për të cilën njerëzit vrasin ose vriten. Prandaj, sulmet ndaj të krishterëve shpesh paraqiten si “konflikt etnik”, “probleme me banditë” ose “ndryshim i klimës” (si në rastin e Nigerisë), në vend që të quhen hapur persekutim fetar ose xhihadist.
Arsyeja e tretë është frika nga akuzat për “islamofobi”. Në shumicën e rasteve më të rënda, persekutuesit janë grupe islamike ekstremiste (Boko Haram, ISIS, etj.) ose shtete me shumicë myslimane. Të raportosh këtë realitet rrezikon akuza për racizëm ose urrejtje, sidomos në Evropë ku shqetësimet për integrimin janë të mëdha. Si rezultat, media dhe politikanë preferojnë heshtjen për të mos “provokuar”.
Arsyet e tjera janë më praktike: historitë nga zonat e largëta dhe të rrezikshme kushtojnë shumë për t’u mbuluar, nuk sjellin klikime aq sa skandalet politike ose çështjet sociale në Perëndim, dhe shpesh bien ndesh me interesa ekonomike (tregti me Kinën, vendet arabe, etj.). Edhe brenda vetë komuniteteve të krishtera perëndimore, disa grupe liberale ndihen të pakëndshme të theksojnë këtë çështje, sepse duket si “viktimizim” ose si diçka “e djathtë”. Në fund të fundit, kjo heshtje krijon një standard të dyfishtë të rrezikshëm në të drejtat e njeriut. Liria fetare duhet të jetë universale, jo selektive sipas modës politike ose korrektësisë politike. Të krishterët në Nigeri, Pakistan, Indi ose Kore të Veriut nuk janë kolonizatorë ata janë fshatarë, studentë, nëna dhe fëmijë që duan vetëm të adhurojnë Jezusin lirshëm.Në Shqipëri dhe Kosovë, ku kemi vuajtur vetë persekutimin komunist kundër çdo feje, duhet të jemi më sensitivë ndaj kësaj padrejtësie globale. Pak interes do të thotë më pak ndihmë, më pak presion diplomatik dhe më shumë vuajtje në heshtje. Çështja e të krishterëve të persekutuar nuk është vetëm çështje fetare është çështje e dinjitetit njerëzor dhe e lirisë bazë. Sa më shumë ta heshtim, aq më shumë i lëmë persekutuesit të veprojnë pa u ndalur. Është koha që zëri ynë të jetë më i fortë.

Vlerësim për Lezhën dhe komunitetin

0

Shkruan Zef Ndreka

Ky është jo vetëm një lajm mjaft pozitiv, por edhe një arritje që meriton vlerësim për Lezhën dhe komunitetin e saj.
Fitimi i një çmimi si Covenant of Mayors në kuadër të “Green Champions”, tregon se qyteti po ecën në një drejtim që sot është me rëndësi, me zhvillim të qëndrueshëm dhe përfshirja të gjërë sociale.
Është plotësisht i merituar ky vlerësim sepse iniciativat e Bashkisë Lezhë gjatë këtij mandati, kanë qënë dhe janë të prekshme për qytetarët e thjeshtë. Ndaj çmimi ndërkombëtar ka vlerë reale sepse përkthehet në më shumë hapësira të gjelbra funksionale, më pak ndotje, transport më të mirë dhe shërbime më cilësore.
Është plotësisht i merituar ky vlerësim sepse inisiativat dhe projektet e Bashkisë Lezhë janë modele të qëndrueshme dhe modele zhvillimi gjithëpërfshirës
Vetë termi “inclusive” nënkupton përfshirjen e të gjitha shtresave, nga të rinjtë tek të moshuarit, nga zonat urbane tek ato periferike, ndaj ky çmim është sinjali më i mirë dhe një mundësi për ta vendosur Lezhën në hartën e qyteteve që synojnë standarde europiane. Ndaj është një sfidë e vërtetë që fillon me kthimin e këtij vlerësimi në ndryshim të përditshëm të jetës së qytetarëve.
Urimet janë plotësisht të merituara, ashtu siç edhe pritshmëritë në rritje.

Salla e Konstantinit të Madh në Vatikan

0

Shkruan Konstantin Luci

Në zemër të Pallatit Apostolik të Vatikanit ndodhet një nga sallat më madhështore dhe simbolike të Rilindjes: Salla e Konstantinit të Madh. Kjo sallë, e emërtuar në nder të perandorit romak Konstantinit të Madh (306–337), u përdor historikisht për pritje solemne dhe ceremoni zyrtare të rëndësishme. Afresket madhështore të sallës u realizuan nga disa nga artistët më të talentuar të shkollës së Rafaelit: Giulio Romano, Giovanni Francesco Penni dhe Raffaellino del Colle. Tema qendrore e gjithë dekoracionit është fitorja e Krishterimit mbi paganizmin. Në katër muret kryesore shpalosen katër episode historike të rëndësishme:
1-Pagëzimi i Konstantinit
2-Beteja e Urës së Milvianit
3-Shfaqja e Kryqit
4-Dhurimi i Konstantinit për Papën Silvestrin I
Këto afreske u porositën fillimisht nga Papa Leo X (1513–1521), por u përfunduan në vitin 1524 gjatë pontifikatit të Papës Klementit VII. Tavani origjinal prej druri u zëvendësua më vonë me tavanin aktual të stilit barok, me urdhër të Papës Piu IV (1559–1565). Në qendër të tavanit ndodhet afresku madhështor që përshkruan Triumfin e Krishterimit, duke kulmuar kështu mesazhin e gjithë sallës: fitorja përfundimtare e Krishtërimit mbi botën pagane. Salla e Konstantinit të Madh nuk është vetëm një kryevepër artistike e Rilindjes, por edhe një deklaratë e qartë: momenti kur Perandoria Romake u kthye drejt Krishterimit dhe kur kisha doli nga katakombet.

Der Standard: A do hetohet Gramoz Ruçi për vrasjet e 2 prillit në Shkodër? Ja si përgjigjet Rama (Intervista e plotë)

0

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për austriaken “Der Standard” ka shprehur kritika në lidhje me Bashkimin Europian dhe politikën e saj të zgjerimit. Madje Rama shprehet se nuk është çudi që edhe vitin e ardhshëm, Shqipëria të mos marrë ftesë nga BE.

I pyetur nëse po hetohet Ruçi brenda partisë socialiste për kohën kur ka shërbyer si ministër i Brendshëm i komunizmit, Rama është shprehur:

“Kjo është hetuar dhe gjykuar në gjykatë dhe është liruar nga të gjithë akuzat e çmendura. Pse duhet që partia të hetojë tani për këtë. Unë jam për një kohë të gjatë lider i kësaj partie. Unë kam qenë edhe lider i lëvizjes antikomuniste. Kjo Parti Socialiste që unë drejtoj nuk ka asnjë lidhje me të kaluarën …”, tha Rama.

Intervista e plotë

Standard: Në Shqipëri, këto ditë, komisionet e verifikimit fillojnë të gjejnë ata gjykatës dhe prokurorë, që janë të korruptuar, ose që kanë shpërdoruar detyrën e tyre. Çfarë prisni ju nga ky proces?

Rama: Këto verifikime janë vendimtare për një arkitekturë të re të sistemit, të cilin e kemi ndryshuar me anë të reformave të thella. Ne kemi një pallat të ri drejtësie. Dhe këto verifikime do të sigurojnë që banorët e këtij pallati të skanohen, disa nuk do të mund të futen brenda. Do të varet edhe nga akuzat, që do të bëjnë (paraqesin) një formë të re drejtësie. Së shpejti do të shohim rezultate konkrete.

Standard: Por edhe rezistencë kundërshtuese apo?

Rama: Rezistenca kundërshtuese ishte e pranishme që në ditën e parë. Por tani procesi e ka kaluar pikën kritike dhe reformat nuk u ndrydhën.

Standard: Sa thellë ka zënë vend korrupsioni në sistemin e drejtësisë shqiptare?

Rama: Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve me siguri do të pushohet. Procesi i tanishëm nuk lejon hapësirë për ta, që ata t’i shpëtojnë, apo të depërtojnë në sistem.

Standard: Reforma e drejtësisë është e lidhur edhe me fillimin e tratativave për anëtarësim me BE-në. Kur do të mund të fillojnë ato?

Rama: Kjo nuk dihet kurrë me BE-në, sepse tek ajo ndryshojnë vazhdimisht pozicionet dhe kushtet. Ne na u tha që tratativat fillojnë kur të bëhet reforma kushtetuese në kapitullin e drejtësisë. Kështu, ne e ndryshuam Kushtetutën, por bisedimet për anëtarësim nuk filluan. Pastaj na u tha, që për të filluar tratativat është i rëndësishëm ligji për komisionet e verifikimit. Pastaj na u tha që janë të rëndësishme zgjedhjet, që të mund të fillojmë. Tani, ne i kemi kryer të gjitha dhe do të shohim. Mund të bëhet vitin e ardhshëm, në qoftë se Këshilli i BE shpreh një mendim pozitiv për këtë, por edhe mund të jetë, që mos të bëhet vitin e ardhshëm. Nuk është fjala për Shqipërinë. Procesi i zgjerimit është bërë gjithnjë e më shumë jo-fair dhe për shtetet më pak i parashikueshëm. Kjo ka të bëjë me vetë Europën.

Standard: Presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker në fjalën e tij “State of the Union” ka folur për perspektivën e zgjerimit, por në letrën e tij drejtuar Presidentit të Këshillit, ai ka përmendur veçmas vetëm Serbinë dhe Malin e Zi në vitin 2025 dhe Shqipërinë as e ka përmendur …

Rama: Unë nuk mendoj se kjo duhet lexuar kështu. Ai nuk i ka përjashtuar të tjerët, ai ka përmendur vetëm Serbinë dhe Malin e Zi veçmas, sepse ato janë tashmë në tratativa.

Standard: Ka një shqetësim të dytë, që shtetet e Ballkanit të përafrohen në BE, jo më në bazë të arritjeve të tyre, – pra, parimi i regatave – por si një rajon.

Rama: …Unë nuk dëshiroj që të hiqet dorë nga parimi i varësisë nga arritjet dhe unë nuk besoj se BE-ja do ta bëjë këtë. Sepse kjo ka rëndësi që shtetet të përmirësohen faktikisht. Nëpërmjet integrimit në BE, ne mund të modernizojmë vendet tona dhe të ngremë institucione. Por BE-ja duhet të reformohet. Unë kam besim se aksi i rivendosur midis Berlinit dhe Parisit do ta çojë përpara këtë. Unë jam dakort edhe me presidentin francez Emanuel Macron, se duhet të ketë shpejtësi të ndryshme. Sepse, nëse dëshirohet që në fund të kihet një BE fleksible dhe funksionuese, atëherë duhet shkuar përpara dhe jo çdo gjë të ndërtohet me vendime me konsensus.

Standard: A prisni ju një ndryshim kursi në strategjinë e zgjerimit?

Rama: Këtë nuk e pres. Dhe problemi nuk është se çfarë thotë Europa, por çfarë bën ajo. Ata kanë thënë që nuk bëjnë zgjerim, por çështja në të vërtetë është se sa zgjerim bëjnë. Në rastin tonë është tërësisht jo-fair, sepse ne jemi një shtet i NATO-s, Mali i Zi ka aderuar në NATO shumë më vonë. Përveç kësaj, tek kapitujt vendimtarë të drejtësisë, ne jemi shumë më përpara se Mali i Zi. Edhe Serbia duhet t´i bëjë akoma këto reforma. Ne këtë e kemi bërë tashmë. Është fantastike që ata janë në tratativa! Është thjesht jo-fair që ne nuk jemi në tratativa! Unë nuk e kuptoj edhe këtë frikë të pabesueshme të udhëheqësve europianë, kur ata vazhdimisht lidhin fillimin e tratativave për anëtarësim me zgjedhjet (në vendet) e tyre, ose me mosdashjen e opinionit publik. Kjo është çmenduri! Do të ishte e kuptueshme po të ishte puna për vetë anëtarësimin, por këtu bëhet fjalë për tratativa. Pra, për këta politikanë do të ishte shumë e thjeshtë të thonë: Ne nuk do të pranojmë kurrë shtete të rinj në BE, në qoftë se ata nuk plotësojnë kriteret. Por tratativat sidoqoftë janë vetëm diçka, që neve na ndihmon të ecim më shpejt përpara dhe atyre asnjëherë nuk mund t’i shkaktojë dëm.

Standard: Mendoni se shtetet e BE-së duan ta ngadalësojnë procesin e zgjerimit?

Rama: Nuk është fjala se çfarë mendoj unë, kjo është e ndjeshme, e dukshme dhe e qartë. Ndonjëherë pyes veten, nëse udhëheqësit europianë kanë menduar apo jo për këtë. Ose ndoshta është puna se kjo çështje është shumë poshtë në axhendën e tyre dhe prandaj, ata dëgjojnë vetëm administratat apo këshilltarët e tyre. Këtu çështja politikisht është plotësisht e qartë. Ata mund të thonin: Ne bëjmë tratativa me të gjashtë shtetet në Ballkan dhe ne do të jemi plotësisht të rreptë dhe nuk do të ketë asnjë aderim (anëtarësim) për sa kohë që ju nuk do të jeni të gatshëm. Por është absurde të thuhet: Ju jeni një kandidat për anëtarësimin, por ne nuk bëjmë bisedime me ju. Kjo është njësoj si të thuash: Ne duam të martohemi, por nuk flasim për dasmën.

Standard: Ju keni thënë se, në qoftë se nuk do të ketë bashkim të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, do të krijohen “unione më të vogla“. Kjo ka çuar në atë, që në Serbi janë rritur frikërat nga një Shqipëri e Madhe, pra, nga një bashkim i Shqipërisë dhe Kosovës. I kuptoni ju këto frikëra?

Rama: Këto frikëra nuk rriten. Kjo do të ishte njësoj, sikur unë, për diçka që thotë Vuçiç (President i Serbisë, shënim i redaksisë), të thoja se ai flet për Serbinë e Madhe. Nuk është se unë e dëshiroj këtë, por është fjala për logjikë. Kosovarët ishin nën një regjim shumë brutal dhe ata nuk mund të udhëtonin për në Europë dhe tani, ata kanë një shtet të vetin dhe prapë nuk mund të udhëtojnë për në Europë. Nuk ka vetëm lodhje zgjerimi, ka edhe një lodhje durimi.

Standard: Kur ju përmendni „unione më të vogla“, është e qartë që ju flisni për një union me Kosovën.

Rama: Ne nuk jemi më në komunizëm dhe prandaj mund të flasim haptas. Gjyshërit e kosovarëve të rinj jetonin në një shtet që nuk e njihte kombësinë e tyre dhe statusin e një republike. Tani, ata kanë në të vërtetë një shtet të vetin, por tani ata janë izoluar në një gjendje pezull. Ata janë popullsia e vetme në gjithë Europën që nuk mund të dalë jashtë vendit të saj. Dhe në fakt, për shkak të ndonjë budallallëku! Atyre u janë vënë kushte që të lirohen nga vizat për zonën e Shengenit. BE-ja ka thënë: Ju duhet që në fillim të bëni një marrëveshje kufitare me Malin e Zi, por njëkohësisht BE-ja bën tratativa me Serbinë, me një shtet që akoma nuk e ka njohur Kosovën, jo më kufijtë e Kosovës.

Standard: Këtu është fjala për Serbinë dhe Kosovën. E shihni ju veten si fuqi mbrojtëse e shqiptarëve, sepse ju shpreheni për fqinjët?

Rama: Unë do të kisha thënë të njëjtën gjë, nëse do të ishte e njëjta padrejtësi kundrejt serbëve. Po të ishte e izoluar Serbia, unë do të thoja: Ç’është ky budallallëk?

Standard: Po të shikojmë pas në muajt e fundit, partitë shqiptare nga Maqedonia erdhën këtu dhe ju i ndihmuat të arrinin një marrëveshje. Ata ishin shqipatarë nga një vend fqinj. Prandaj po ju pyes, nëse ju e kuptoni veten si mbrojtës të shqiptarëve. Në fund të fundit jemi në Ballkan, ku të menduarit në mënyrë etnike është qëndrore dhe është e lidhur me çështjet e stabilitetit dhe integritetit të territoreve të shteteve. Prandaj ju pyes për këtë .

Rama: Nuk besoj se do të shkaktonte skandal, në rast se qeveria austriake do të interesohej për austriaket jashtë vendit. Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë minoritet, por një kombësi shtetformuese. Nëse ndihmohen ata, ndihmohet Maqedonia të konsolidohet …

Standard: … edhe në rast se kjo çon në konflikt me qeverine Maqedonase ? Pati shumë kritika.

Rama: Unë nuk kam konflikt me njeri. Gruevski (ish kryeministri i Maqedonisë shënim i redaksisë) dhe unë jemi miq të mirë dhe më pas, ai sulmoi të ashtuquajturën Platforma e Tiranës, ai e dinte se kjo nuk ishte arsyeja që ai nuk arriti të krijonte qeverinë.

Standard: Eshtë e qartë përse e bëri Gruevski këtë. Por këtu është fjala për diçka tjetër, është fjala për marrëdhëniet midis vendeve në Ballkan. Për Bosnie Herzegovinën, është shumë keq kur Kroacia fqinjë ndërhyn.

Rama: Kushetuta jonë shprehet qartë, se shteti shqiptar interesohet për të gjithë shqiptarët jashtë. Unë nuk i them atyre se çfarë duhet të bëjnë dhe unë nuk kam ndërhyrë në fushatën elektorale në Maqedoni. Por, në rast se ata kërkojnë ndihmë, unë nuk ju them jo. Dhe gjithnjë do ta bëj këtë, pavarësisht se çfarë thonë të tjerët. Kjo është një gjë e natyrshme dhe nuk është interferencë. Për ne, Maqedonia është e rëndësishme. Çdo kërcënim për integritetin e Maqedonisë është i rrezikshëm për të gjithë rajonin.

Standard: Kjo është e vërtetë . Por nga pala Maqedonase u tha se ndërhyrja juaj krijoi destabilizim.

Rama: Ju po më intervistoni mua. Në qoftë se keni pyetje për ata, atëhere duhet t’jua drejtoni atyre. Unë nuk mund të përgjigjem për ata

Standard: Jam e interesuar për pasojat në tregëtinë tuaj. Eshtë njoftuar se kontrollet kufitare me Kosovën do të lehtësohen shumë . Kjo është propozuar më parë dhe Komisioni i BE ka thënë se menaxhimi i kufirit nuk është i mundur vetëm nga njëra anë.

Rama: Keni ju kontrolle në kufi me Gjermaninë ?

Standard: Ne jemi në zonën Schengen

Rama: Pse duhet të kemi ne kontrolle kufitare, kur ju nuk keni?

Standard: Po ne jemi në zonën Schengen

Rama: A keni kontrolle kufitare me Zvicrën?

Standard: Po

Rama: Pikërisht këtë lloj kontrolli kufijsh, si ato midis Austrisë dhe Zvicrës do të kemi ne me Kosovën.

Standard: Çfarë dëshëroni të ndryshoni në menaxhimin e kontrollit të kufijve me Kosovën ?

Rama: Tani ka kontrolle shumë të rënda dhe duam një menaxhim kufiri më të lehtë, por jo pa kontroll. Sidoqoftë, palët do të jenë sëbashku.

Standard: Si menaxhimi i integruar i kufirit midis Malit të Zi dhe Shqipërisë?

Rama: Edhe më të lehtë. Sipas një studimi të Bankës Botërore, njerëzit dhe mallrat presin 3,800 vjet në një vit në kufijtë në Ballkan.

Standard: A do të merrni të njëjtat masa për lehtësimin e kufirit me Malin e Zi dhe Greqinë?

Rama: Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë me çdokënd. Por në rastin e Kosovës duhet ta bëjmë këtë, sepse shumica e njerëzve kalojnë në këtë kufi.

Standard: D.m.th është për trafikun e pasagjerëve?

Rama: Jo, është e lidhur me transportin e mallrave në të gjithë rajonin, çka është pjesë e një plani veprimi që kemi adoptuar me Komisionerin Hahn.

Standard: Shqipëria ka qenë prodhuesi më i madh i kanabisit në Europë, vitet e fundit. Tani shumë plantacione janë shkatërruar, por policët janë përfshirë shumë në tregëtinë e kanabisit. Çfarë do të bëni rreth kësaj?

Rama: Kjo është një çështje e mbyllur, nuk ka një problem real me këtë. Rezultatet e monitorimit do të tregojnë në fund të muajit, se kanabisi është zhdukur nga toka e Shqipërisë. Ka vetëm disa pika të vogla, shumë më pak se sa kultivohet në vende të tjera të Europës. Eshtë bërë e zakonshme të flitet për “krimin shqiptar”, por kjo është raciste.

Standard: Policë të përfshirë në trafikun e drogës nuk janë ndjekur penalisht. Autoritetet e hetimit ndërkombëtar kanë konfirmuar se ka një problem.

Rama: Unë kurrë nuk kam thënë se s’ka patur problem. Ka të bëjë se mbi çfarë imagjinate krijohen opinionet. Kam lexuar një raport të BE mbi korrupsionin dhe kishte shuma që janë më të larta se Prodhimi Kombëtar Bruto. Prandaj le të flasim seriozisht. Kishte një problem para se ne të hynim në qeveri dhe ne kemi deklaruar luftë kundër drogës.

Standard: Pas shkatërrimit të plantacioneve në Lazarat u përhapën më shumë plantacione kanabisi.

Rama: Kjo nuk është e vërtetë . Ju duhet të kuptoni diçka shumë të thjeshtë Deri në vitin 2015, të gjitha deklaratat e policisë ishin sekrete, pra, jo publike. Ne i kemi publikuar ato, më pas prandaj njerëzit kanë folur më shumë rreth kanabisit. Por, në qoftë se shkon në arkivat e para vitit 2013, do të shikoni se ka pasur kanabis kudo. Në qoftëse do të vërtetën, unë të them të vërtetën. Në qoftë se doni të qëndroni me imagjinatën tuaj, qëndroni me imagjinatën tuaj.

Standard: Ka edhe një ligj, i cili është i diskutueshëm, është për importimin e plehrave.

Kryetari i ri i Parlamentit Gramoz Ruci, ishte Ministër i Brendshëm në vitin 1991, kur 4 vetë u vranë në demonstratë në Shkodër. A po bëhen hetime brenda partisë tuaj socialiste për atë kohë?

Rama: Kjo është hetuar dhe gjykuar në gjykatë dhe është liruar nga të gjithë akuzat e çmendura. Pse duhet që partia të hetojë tani për këtë. Unë jam për një kohë të gjatë lider i kësaj partie. Unë kam qenë edhe lider i lëvizjes antikomuniste. Kjo Parti Socialiste që unë drejtoj nuk ka asnjë lidhje me të kaluarën …

Standard: … megjithese ai ka qenë ish ministër i Brendshëm

Rama: …i cili ishte ministër i Brendshëm në periudhen e tranzicionit, saktësisht pas revoltës. Ai ka vepruar në mënyrë të shkëlqyer, sepse ai organizoi zgjedhjet e para të lira dhe të drejta si ministër i Brendshëm dhe në këto zgjedhje, presidenti komunist humbi zgjedhjet. Pjesa tjetër janë thjesht broçkulla dhe nuk e kuptoj sesi mund të diskutohet në 2017, kur ne kemi miratuar ligjin që lejon publikimin e të gjithë dosjeve nga koha e komunizmit, kemi punuar për rreth 1 vit me Gjermaninë për këtë propozim. Ne kemi hapur “Shtëpinë e gjetheve” dhe muzeun e bunkerit të komunizmit, në mënyrë që njerëzit të trajtojnë të kaluarën dhe ne i kemi paguar kompensim të gjithë ish të përndjekurve politikë që janë gjallë. Dhe tani ju më thoni mua ish ministër i Brendshëm?

Standard: Po, sepse ai është simboli i asaj kohe. A ka diskutime në partinë tuaj për këtë?

Rama: Jo, sepse partia është shkëputur prej tyre kohë më parë dhe ai nuk është symbol i asnjë gjëje. Ai është vetëm objektivi i një opozite barbare, e cila kërkon vetëm të demonizojë njerëzit. Një numë r i madh shqiptarësh e respektojnë atë shumë, sepse ai ka treguar integritet dhe ka reformuar partinë dhe unë jam i kënaqur që parlamenti tani punon si një parlament dhe jo si një klub të dehurish – pak muaj më parë

Kryeministri izraelit zotohet të shtypë persekutimin islamist të të krishterëve në mbarë botën

0

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu doli para udhëheqësve të krishterë sionistë në Florida dhe dha një mesazh të qartë: Izraeli nuk do të rrijë duarkryq ndërsa islami radikal masakron besimtarët.
“Ju jeni përfaqësues të sionistëve të krishterë që e bënë të mundur sionizmin hebraik,” i tha Netanyahu grupit. “Ne nuk kemi miq më të mirë.”
Ai e paraqiti luftën si një betejë të përbashkët për qytetërimin judeo-kristian kundër armiqve të tij më vdekjeprurës. “Unë e shoh betejën kundër nesh dhe betejën kundër traditës sonë judeo-kristiane, që në thelb zhvillohet në të gjithë globin, dhe zhvillohet kryesisht nga dy forca, islami radikal shiit dhe islami radikal sunit.”
Netanyahu nuk e kundërshtoi persekutimin. Të krishterët përballen me masakra në Nigeri, Siri, Liban, Turqi dhe më gjerë. Ndërsa popullatat e të krishterëve kanë rënë ndjeshëm në të gjithë Lindjen e Mesme nën presionin islamist, Izraeli qëndron si vendi i vetëm ku ata janë të mbrojtur dhe në të vërtetë mund të rriten.
“Një vend mbron komunitetin e krishterë, i mundëson asaj të rritet, e mbron atë dhe sigurohet që të lulëzojë,” deklaroi ai. “Ai vend është Izraeli. Nuk ka tjetër. Asnjë.”
Pastaj erdhi goditja: Izraeli do të vërë në punë inteligjencën e tij të nivelit botëror dhe teknologjinë e përparuar për të ndaluar vrasësit. Netanyahu u zotua të shtojë përpjekjet në vitin 2026, duke ndërtuar koalicione me aleatët për të mbrojtur komunitetet e krishtera të cenueshme përmes ndarjes së informacionit, burimeve dhe veprimeve të drejtpërdrejta aty ku është e nevojshme.
“Besimi duhet të flasë zërin e tij, dhe terrorizmi duhet të përballet, jo të kuptohet, të përballet dhe të mposhtet,” tha ai. “Ne po bashkohemi me një përpjekje për të pasur në thelb një Kombe të Bashkuara të vendeve që mbështesin komunitetet e krishtera në të gjithë botën. Ashtu siç po na ndihmoni ju, ne duam t’ju ndihmojmë përsëri.”
Në një rajon ku Islami radikal i ka shndërruar kishat në shënjestra dhe besimtarët në martirë, premtimi i Netanyahut depërton në zhurmë. Izraeli po del si një mbrojtës në vijën e parë i të krishterëve kur shumë udhëheqës perëndimorë ofrojnë vetëm fjalë boshe. Kjo aleancë midis hebrenjve dhe të krishterëve nuk është ndjenjë – është një përgjigje me shtyllë çeliku ndaj barbarëve që duan ta tërheqin botën përsëri në Epokën e Errët.
Ndërsa kritikët ankohen nga anët, faktet në terren tregojnë ndryshimin: të krishterët lulëzojnë nën mbrojtjen izraelite dhe zhduken nën sundimin islamist. Netanyahu sapo e bëri të qartë se në anën e kujt është Izraeli në këtë luftë qytetërimesh.

Transporti publik kërkon paketë emergjente: Duam 100 lekë/litër subvencion

0

Operatorët e transportit publik në Shqipëri kanë kërkuar miratimin e një pakete emergjente antikrizë, ku masa kryesore është kompensimi me 100 lekë për litër naftë për një periudhë 6-mujore. Sipas përfaqësuesve të sektorit, kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të shmangur reduktimin e shërbimit deri në 30% në nivel kombëtar, në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të karburantit.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, theksoi se skema e propozuar është e zbatueshme dhe e bazuar në modelin e vitit 2022, kur një fond prej rreth 300 milionë lekësh u përdor për të kompensuar operatorët. Sipas tij, mekanizmi parashikon kompensim të drejtpërdrejtë mbi bazën e faturave reale dhe deklarimeve tatimore, duke garantuar transparencë dhe kontroll mbi fondet.

Përveç subvencionimit të naftës, operatorët kërkojnë edhe lehtësime fiskale, përfshirë heqjen e taksës së qarkullimit dhe akcizës, si dhe uljen e TVSH-së nga 20% në 5%. Këto masa synojnë të ulin kostot dhe të garantojnë vijimësinë e një shërbimi publik jetik. Një përgjigje nga qeveria pritet së shpejti, pas takimit të paralajmëruar mes përfaqësuesve të sektorit dhe ministrave përkatës.

Orët e para të misionit historik rreth Hënës të Artemis II

0

Misioni Artemis II i NASA-s është nisur me sukses dhe anija kozmike tashmë ndodhet në orbitë rreth Tokës.

Katër astronautë u ngritën në orët e para të mëngjesit nga Florida për misionin Artemis II, një udhëtim me rëndësi të lartë rreth Hënës që përbën hapin më të guximshëm të Shteteve të Bashkuara deri më sot për rikthimin e njerëzve në sipërfaqen hënore, në një garë me Kinën për dominim në hapësirë.

Raketa Space Launch System (SLS) e NASA-s, me kapsulën Orion, u aktivizua pak para perëndimit të diellit në Qendrën Hapësinore Kennedy në Cape Canaveral, Florida, duke dërguar ekuipazhin e saj të parë – tre amerikanë dhe një kanadez, në orbitë rreth Tokës. Mjeti hapësinor, me lartësi sa një ndërtesë 32-katëshe, u lëshua në qiell të pastër, duke lënë pas një kolonë të madhe avulli të bardhë.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën për të ndjekur këtë moment, duke mbushur rrugët dhe plazhet përreth, në një atmosferë që kujtoi misionet Apollo të viteve 1960 dhe 1970. Ky konsiderohet hapi më i madh i NASA-s deri tani drejt krijimit të një pranie të përhershme në Hënë.

“Gjatë këtij misioni historik, ju merrni me vete zemrën e ekipit Artemis, frymën e guximshme të popullit amerikan dhe partnerëve tanë në mbarë botën, si dhe shpresat e një brezi të ri”, tha drejtuesi i nisjes, Charlie Blackwell-Thompson, pak para ngritjes.

“Suksese dhe udhëtim të mbarë, Artemis II. Le të nisim”.

Pesë minuta pas nisjes, komandanti Reid Wiseman raportoi: “kemi një lindje të bukur të Hënës, po drejtohemi drejt saj”. Në bord ndodhen piloti Victor Glover, Christina Koch dhe kanadezi Jeremy Hansen. Ky është ekuipazhi më i larmishëm në historinë e misioneve hënore, duke përfshirë gruan e parë, astronautin e parë me ngjyrë dhe qytetarin e parë jo-amerikan në një kapsulë të tillë.

“Pamje e mrekullueshme”, tha Wiseman gjatë ngjitjes. “Është e jashtëzakonshme të jesh në këtë lartësi”. Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi pas nisjes se agjencia është rikthyer në misionet me astronautë drejt Hënës, duke e cilësuar ndërprerjen gjysmë shekullore si të përkohshme.

Sipas zyrtarëve, ekuipazhi është “i sigurt, i mbrojtur dhe në gjendje shumë të mirë shpirtërore”. Ata nuk do të zbresin në Hënë gjatë misionit 10-ditor, por do ta rrethojnë atë dhe mund të udhëtojnë më larg nga Toka se çdo njeri më parë.

Anija do të qëndrojë në orbitë për 24 orët e para për kontrolle teknike. Nëse gjithçka shkon sipas planit, do të marrë miratimin për t’u nisur drejt Hënës. Nisja nuk ishte pa sfida, për shkak të disa problemeve teknike para fluturimit.

Ekuipazhi hasi disa çështje të thjeshta, përfshirë sensorë në sistemin e menaxhimit të mbetjeve, të cilët dhanë të dhëna të papritura. Inxhinierët punuan me astronautët për kontrolle shtesë dhe rikonfigurim të sistemit.

Orion ka sisteme rezervë, ndaj këto probleme lidhen më shumë me komoditetin dhe funksionimin afatgjatë sesa me rrezik të menjëhershëm. NASA theksoi se do të ndërhyjë nëse situata përkeqësohet.

Kontrolli i misionit konfirmoi se sistemi ishte funksional dhe i këshilloi astronautët të prisnin stabilizimin para përdorimit.

Gjumi i ekuipazhit do të ndahet në dy faza: rreth katër orë pushim fillestar, ndjekur nga një manovër për stabilizimin e orbitës, dhe më pas edhe rreth katër orë e gjysmë të tjera.

Gjithashtu, u identifikuan disa çështje të tjera: një valvul uji e mbyllur që duhej të ishte e hapur dhe një ndërprerje e përkohshme elektronike, e ngjashme me atë të misionit Artemis I. Asnjë prej tyre nuk konsiderohet kërcënim për misionin.

Astronautët do të studiojnë sipërfaqen e Hënës me detaje për rreth tre orë gjatë misionit. Ata do të testojnë gjithashtu kontrollin manual të kapsulës Orion dhe do të kryejnë prova për manovra të ardhshme.

Më pas, do të udhëtojnë mijëra kilometra përtej Hënës për të testuar sistemet jetike, përfshirë mbështetjen e jetës, shtytjen, energjinë dhe navigimin. Ekuipazhi do të marrë pjesë edhe në eksperimente mjekësore, duke dërguar të dhëna dhe imazhe nga hapësira e thellë.

Siguria e Kosovës nën kërcënimin e raketave me rreze të gjatë

0

Përgatiti Valona Tela

Shkurtimisht
Kosova shihet si një shënjestër potenciale e Iranit, për shkak të pranisë së KFOR-it dhe bazës amerikane Bondsteel, por mbetet e mbrojtur përmes ombrellës së NATO-s dhe bashkëpunimit me aleatët.
Kapacitetet e reja raketore të Iranit, të demonstruara nga sulmi ndaj Diego Garcias, sugjerojnë se rrezja e goditjes mund të arrijë deri në 4.000 km, duke përfshirë edhe pjesë të Evropës.
Ekspertët paralajmërojnë për një kërcënim real ndaj Evropës, megjithëse mbetet e diskutueshme nëse raketat iraniane mund të depërtojnë mbrojtjen ajrore të NATO-s.
Diego Garcia në Oqeanin Indian ndodhet rreth 4.000 kilometra larg Iranit. Përpjekja për ta goditur me raketa ka ngritur alarmin për fuqinë raketore të këtij vendi dhe ka shtuar frikën se ai mund të synojë pjesë të mëdha të Evropës – teorikisht edhe Kosovën.

Raketat u nisën më 20 mars drejt një baze ushtarake të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar – njëra dështoi, ndërsa tjetra u rrëzua. Ajo që arriti të fluturonte, përshkoi rreth 3.000 kilometra nga baza e nisjes.

Ushtria izraelite tha se Irani ka lëshuar raketa balistike me rreze të gjatë drejt një objektivi amerikan, duke dëshmuar kapacitete prej rreth 4.000 kilometrash – mjaftueshëm për të vënë në shënjestër edhe kryeqytetet evropiane.

“Këto raketa nuk kanë për qëllim të godasin Izraelin. Rrezja e tyre arrin kryeqytetet evropiane. Berlini, Parisi dhe Roma janë brenda rrezes së kërcënimit të drejtpërdrejtë”, tha shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.
Instituti për Studime të Luftës (ISW), me seli në Uashington, vlerësoi se kjo ishte përpjekja më e largët ndonjëherë e Iranit për të goditur një objektiv me raketa.

“Sulmi tregoi se raketat iraniane mund të arrijnë përtej kufirit prej 2.000 kilometrash, të cilin regjimi ka thënë prej kohësh se e ka vendosur vetë si limit… Sulmi i tentuar përmbys disa nga supozimet për programin raketor të Iranit, veçanërisht sa i përket kërcënimit që ai mund të paraqesë për Evropën”, sipas ISW-së.

Deri më tani besohej se Irani nuk kishte kapacitet të godiste në distanca të tilla, ndërsa vetë regjimi pretendonte se kishte vendosur atë kufi prej 2.000 kilometrash në programin e tij të raketave balistike.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani disponon rreth 14 lloje të ndryshme raketash të tilla – të pajisura me koka luftarake bërthamore ose konvencionale.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, NATO-ja nuk komentoi sulmet ndaj Diego Garcias dhe kapacitetet raketore të Iranit, duke iu referuar vetëm deklaratës së mëparshme për rastin kur Turqia interceptoi me sukses sulme të ngjashme nga Irani.

Ndërsa aftësitë e raketave iraniane vazhdojnë të shqyrtohen, një zyrtar i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti, se ky është një dimension i ri i luftës me Iranin dhe se mbrojtja ajrore e kontinentit – katër vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë – është mjaft e varfëruar. Deri më tani, BE-ja i ka ndarë Ukrainës mbi 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për të luftuar pushtimin rus.

Mark Cancian, kolonel i pensionuar i Marinës amerikane, aktualisht këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, e konsideron kërcënimin ndaj Evropës si “shumë real”.

Sipas tij, bazuar në rrezen e demonstruar të lëshimeve të kaluara raketore, Irani mund të godasë disa pjesë të Evropës Juglindore. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e kanë parashikuar këtë rrezik prej kohësh dhe kanë ndërtuar sisteme mbrojtëse në Poloni dhe Rumani, por paralajmëron se Evropa ende nuk është plotësisht e përgatitur.

“… sepse, kërcënimi është relativisht i ri. Hapat e parë për mbrojtje kundër Iranit janë ndërmarrë, ndërkohë që po zhvillohen kapacitete në lindje për mbrojtje kundër raketave dhe dronëve rusë. Polonia ka ndërtuar një ushtri dhe sistem të mbrojtjes ajrore shumë të fuqishëm, ndërsa hapa të ngjashëm po ndërmerren edhe nga vendet baltike”, thotë Cancian për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Më skeptik për kapacitetet e Iranit për të goditur drejtpërdrejt Evropën shprehet Gordan Akrap, ish-zyrtar i komunitetit të inteligjencës kroate, tani ligjëruses në Universitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë “Dr. Franjo Tugjman”.

“Së pari, duhet konfirmuar nëse Irani ka raketa që mund të godasin objektiva në distanca prej 4-5 mijë kilometrash. Edhe nëse i ka ato mundësi – duke marrë parasysh flotën e madhe në Mesdhe dhe shpërndarjen e sistemeve antiraketore – jam i bindur se ato do të shkatërroheshin gjatë fazës së afrimit, pasi do të duhej të kalonin mbi Izraelin ose Turqinë. Me shumë gjasa, do të neutralizoheshin në ato hapësira”, thotë Akrap për Exposenë.

Në këtë kontekst, Kosova përfshihet gjithashtu në analizë, për shkak të pranisë së saj ndërkombëtare. Vendi strehon misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, si dhe bazën më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel. Sipas të dy ekspertëve, kjo e bën Kosovën shënjestër potenciale, por jo të pambrojtur.

Koloneli Cancian thekson se Kosova përfshihet brenda mbulimit të sistemit antiraketor të NATO-s në Rumani dhe mund ta forcojë mbrojtjen e saj duke bashkëpunuar ngushtë me aleancën.

“Shumë vende kanë marrëdhënie me NATO-n që u mundësojnë të koordinojnë gjëra të tilla si mbrojtja ajrore. Natyrisht, suedezët dhe finlandezët i kanë pasur këto marrëdhënie shumë vite para se të bëheshin anëtarë. Kështu që, është e mundur ta vendosësh një vend të vogël nën ombrellën e NATO-s pa qenë domosdoshmërisht anëtar i saj”, thotë Cancian.

NATO-ja, përkatësisht forca e saj KFOR, mbikëqyr hapësirën e ulët ajrore të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra – është nën kontrollin e Hungarisë – vend anëtar i NATO-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se gjatë mandatit të ri qeverisës, do të ndahen mbi 1 miliard euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila posedon tashmë armë të blera nga aleatët e NATO-s.

Akrap pajtohet se Kosova përfiton nga marrëdhënia e saj me NATO-n, por sugjeron se e ardhmja e sigurisë nuk mund të mbështetet vetëm te strukturat e mëdha si Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, për shkak të sfidave të mëdha në marrjen e vendimeve. Ai thekson se forma më fleksibile të bashkëpunimit, si marrëveshja në mbrojtje e Kosovës me Shqipërinë dhe Kroacinë, mund t’i ndihmojnë asaj të përgatitet më mirë për sfidat e ardhshme.

“Askush nuk mund të dalë më fitues nga asnjë konflikt ose luftë, nëse vepron i vetëm. Prandaj, duhet të ndërtohen partneritete, si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të brendshëm. Përçarjet nuk i shërbejnë askujt, përveç sulmuesve”, thotë Akrap.

Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, i cili është rreshtuar pranë Serbisë kundër njohjes së pavarësisë së saj. Disa qytetarë serbë kanë shpërndarë në rrjete sociale koordinatat e bazës amerikane Bondsteel, duke i bërë thirrje Iranit që ta sulmojë atë.

NATO-ja i ka thënë Radios Evropa e Lirë se KFOR-i vazhdon të sigurojë ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa autoritetet e vendit kanë thënë se po monitorojnë nga afër implikimet e mundshme të luftës, por nuk kanë sqaruar më shumë.

Cancian argumenton se Kosova dhe Evropa janë tashmë të përfshira indirekt në këtë luftë, përmes ndërprerjeve të energjisë, bllokimit të dërgesave të naftës në Ngushticën e Hormuzit dhe pasigurisë ekonomike, ndërsa, në vlerësimin e Akrapit, këto vende duhet të shqetësohen me të drejtë edhe nga aksionet e mundshme terroriste nga individë apo rrjete të lidhura me Iranin.

“Nuk duhet të harrojmë faktin se shumë pjesëtarë të organizatave të ndryshme shiite i kanë sulmuar caqet perëndimore dhe izraelite gjetiu nëpër botë”, thotë Akrap.

Konflikti në Iran shpërtheu më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta për të frenuar programin bërthamor të Republikës Islamike. Në kundërpërgjigje, Irani dhe aleatët e tij goditën Izraelin dhe objektiva të SHBA-së në vendet aleate – nga Arabia Saudite deri në Qipro.

Cancian thotë se sulmi ndaj Diego Garcias ishte një mesazh i Iranit se ka ende “letra për të luajtur” edhe pas disa javësh luftë.

“Me fjalë të tjera, ai godet vende që strehojnë baza amerikane ose që e lejojnë SHBA-në t’i përdorë bazat e saj në territorin e tyre”, thotë ai.

Sipas tij, askush nuk mund ta dijë me siguri se sa do të zgjasë kjo luftë dhe shmang çdo parashikim të qartë. Ai thekson se negociatat e mundshme që përfliten, janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, pasi gjashtë palë do të duhet të bien dakord: SHBA-ja, Izraeli, ndërmjetësit, Garda Revolucionare e Iranit, shtetet e Gjirit dhe aktorët kryesorë globalë – Evropa dhe Japonia.

Në pak fjalë, ekspertët e përshkruajnë situatën si një kërcënim në evolucion, me gjithnjë e më shumë shtete që zhvillojnë kapacitete për të goditur në distanca të mëdha. Kjo nënkupton që Evropa, sipas tyre, duhet të përgatitet për një botë ku kërcënimet nuk janë më të kufizuara gjeografikisht.

Në këtë kuadër, Akrap nënvizon se Kosova duhet të veprojë me mençuri, të ndjekë politika të përgjegjshme dhe të pranojë kompromise strategjike, që do t’i avanconin marrëdhëniet e saj me BE-në dhe me NATO-n.

Si të përballeni me një fëmijë kokëfortë, mësoni më shumë si të edukoni fëmijët

0

Jeta e prindërve që kanë një fëmijë kokëfortë mund të jetë sfiduese: nga larja e dhëmbëve, te ushqimi apo shkuarja në gjumë, gjithçka shpesh duket si një betejë ku rrallë ka fitues.

Edhe pse mund të jetë një fazë e përkohshme zhvillimi ose një tipar karakteri me të cilin duhet të mësoheni, është mirë të dini se fëmijët me vullnet të fortë shpesh kanë potencial të madh për sukses. Studime kanë treguar se ata kanë më shumë gjasa të arrijnë rezultate të mira dhe të jenë të suksesshëm në të ardhmen.
Prindërit e fëmijëve kokëfortë përballen me sfida të veçanta kur bëhet fjalë për disiplinën. Kërkesat e thjeshta apo ndëshkimet shpesh kthehen në përplasje ku asgjë nuk funksionon.

Në këto momente, prindërit mund të ndihen sikur nuk kanë kontroll. Por duhet kuptuar se qëllimi i disiplinës nuk është ndëshkimi, por mësimi i vlerave.

“Ju nuk mund të kontrolloni personalitetin e fëmijës, por mund të ndikoni në atë që ai mëson”, theksojnë ekspertët.

Hapi i parë është të mos hiqni dorë nga autoriteti.

Vendosni kufij të qartë që nuk kalohen, pavarësisht emocioneve. Kur fëmija zemërohet, bërtet apo sillet në mënyrë agresive, tregojini qartë se ku është kufiri.

Në vend që të reagoni me nervozizëm, mund të thoni: “E shoh që je i/e zemëruar. Sa e madhe është kjo ndjenjë nga 1 në 10? Çfarë mund të bësh që të ndihesh më mirë?”

Kjo qasje e ndihmon fëmijën të ndihet i dëgjuar dhe i kuptuar. Sa më shumë të ndihet kështu, aq më shumë do të jetë i gatshëm të dëgjojë.

Një tjetër hap i rëndësishëm është vendosja e rregullave të qarta familjare.

Ekspertët rekomandojnë tre rregulla bazë që vlejnë për çdo situatë:

Fëmijës duhet t’i bëhet e qartë se çdo sjellje që nuk përmbush këto parime nuk është e pranueshme.

Por këto rregulla funksionojnë vetëm nëse zbatohen vazhdimisht.

Nëse fëmija ju thotë “Nuk të dëgjoj” apo “Të urrej”, reagimi i menjëhershëm me nervozizëm vetëm sa e përkeqëson situatën.

Mos bërtisni dhe mos reagoni me agresivitet. Ju nuk jeni kundërshtari i fëmijës suaj.

Detyra juaj si prind është të tregoni qetësi, të dëgjoni dhe të udhëhiqni. Fëmijët nuk mund të mësojnë të kontrollojnë veten nëse ne, si të rritur, nuk e bëjmë këtë.

Çelësi është ta shihni fëmijën si individ në zhvillim.

Qëllimi nuk është ta detyroni të hajë perime, të ndajë lodrat apo të bëjë detyrat. Qëllimi është ta ndihmoni të kuptojë pse këto janë zgjedhje të mira dhe ta motivojë veten për t’i bërë.

Në fund, detyra e prindit është e qartë: të edukojë, të udhëheqë dhe të mbështesë fëmijën që të bëhet versioni më i mirë i vetes.

POSTIMET E FUNDIT