Deputetët e Partisë Demokratike, kanë kërkuar përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të ministres dhe deputetes Elisa Spiropali për gjuhën fyese ndaj deputetit demokrat, Edmond Spaho.
Firmave për mbledhjen e sekretarit të Etikës dhe marrjen në shqyrtim të kërkesës së opozitës, i është bashkuar edhe Gazmend Bardhi.
Ka qenë deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se Spiropali ka përdorur gjuhë fyese ndaj Spahos.
Shkak duket të jetë bërë një ironi që ministrja Spiropali bëri ndaj Edmond Spahos, që nuk ndodhej në seancë për shkak të përjashtimit pas shkuljes së mikrofonit të foltores dhe rënies së bilbilit përreth 6 orëve që ajo seancë zgjati.
“Kërkojmë zyrtarisht përjashtimin 10 ditë nga kuvendi të Elisa Spiropalit për gjuhën e përdorur në drejtim të deputetit Edmond Spaho.
Duke përfituar nga përjashtimi pa rregulla i bërë deputetit Spaho dhe mos prezenca e tij në sallë që të merrte përgjigjen që meritonte, Elisa Spiropali nxorri arsenalin e saj fyes që i shkon përshtat komunikimit që përdorin rilindasit në zyrat e shtetit por që nuk përputhet me kodin etik të kuvendit.
Në parlament e kanë bërë zakon të fyejnë dhe të mallkojnë pa pyetur për kod etik sepse kanë kartonat e mandateve të blera që i mbrojnë dhe rregulloren e kanë kthyer në copë letër për recitim parlamentar”, shkruan Zhupa.