Shkruan Sokol Pepushaj
Përballë “pasqyrës” se skandaleve të Edi Ramës me FBI-në dhe ambasadën Amerikane këtu në Tiranë, nuk mund të besosh se përgjimet dhe hetimet nuk kanë “vibruar” nëpër çdo skutë të errët të korrupsionit.
Siç është e vërtetë që korrupsioni ekziston që kur askush nuk e di, është po aq e vërtetë se ligji nuk ka mundur ta frenojë këtë fenomen të përbuzshëm, sidomos në shoqëritë e pa emancipuara.
Abuzimi me pushtetin, këtej tek ne, nuk është parë si krim, por thjeshtë si “dobësi” njerëzore, e pranueshme të kufizohet me ca votime ligjesh në letra dhe ca deklarata të forta të ambasadorëve, duke goditur më fort shkaqet se sa objektet.
Prandaj edhe deklaratat bëjnë “reaksion”…
Tani që Qeveria është zhytur në korrupsion, që nuk ngjizin mashtrimet, nuk ngjizin as akuzat tekniko-ekonomike, se “fajin e ka Sali Berisha”.
Arsyet pse Edi Rama shihet si një pirat që nuk guxon askush ta çojë në burg, shpjegohen me qëllimin e ndërkombëtarëve për të shëndoshur të tëra “plagët” e Ballkanit njëkohësisht, edhe me ca kompromise të familjes së mëkatarëve.
Nëse Edi Rama, nuk do të kishte akses në kualifikimin ose jo të shqiptarëve për “fluturimet” mbi Atlantik, deklaratat e tij publike, nuk do të mund të përligjnin as sesi rimodelimin dhe kurajimin e mafies shtetërore, si pjesë e riskut ekonomik të zhvilluar me paratë tona në Amerikë, por edhe politik në fasadën e Ballkanit, tashmë të lidhur me shirit të kuq: ”Zonë Krimi!”.
Ky imazh është shfaqur gjithandej e nuk fshihet dot.
Kur Edi Rama u fut në zyrat e FBI-së në New York, Damian Gjiknuri dhe Ilir Beqaj qëlluan mbi urën e Urakës në Burrel. Nëse për vizat e shqiptarëve në Amerikë lejohet “kujdestaria” e Bablokut hajdut, edhe ura ishte ndërtuar me mbikëqyrje amerikane dhe drejtuesi i saj ligjor I. B. kishte ikur nga ata dhe ishte bërë me këta. Damiani njoftonte për “tërmet” në vjedhje votash; Babloku “plehëronte” dhe “spërkaste” me “pesticide” këto “frutat” e mafies që sot u janë kalbur nëpër epruveta dhe qelbin deri në Kongresin Amerikan, ku republikanët i kanë nëpër duar e dosje.
Po kush janë ata e kush këta?
Gjithmonë ata janë opozita, këta pushteti. Kur ndërrojnë pozicionet, ndërrojnë edhe emrat, por ata dhe këta, ngelen…
Këta që para 10 viteve ishin ata, dallojnë nga ata, që aso kohe ishin këta.
Ata sot, ishin të hurit e të litarit dje, këta sot, ishin “kockë e lëkurë” dje, prandaj janë kaq të uritur sot, sa duhet të ruash xhepat edhe kur i takon në rrugë.
Sapo të mbyllen në kafaz Tigri dhe Ujku, “hungërimat” do jenë aq të fuqishme, sa do të zgjojnë nga gjumi edhe diplomatët. Do “fluturojnë përmbi fshat ca çafka, do u vejnë tek burgu Hoxha e Prifti për t’u kënduar suret e rruzaret shpirtrave, pasi për jetesën këtej, fjalët e mira bëjnë alergji”.
Pas dështimit në përligjje të spastrimit të vet, edhe duke bërë pis Partinë, me shitje të miqve hajdutë, të diktuar nga anatemomi i energjive të zhgënjyera dhe presioni amerikan, Babloku i Mafies nuk është as ai që prin, as ai që nxjerr Saliun përpara.
Është ngrirë sa nuk e ndjen as shiritin “Zonë Krimi”, ku e kanë rrethuar shqiptarët.
Kështu e kanë vesin këta, ngrij e shkrij “akuj”, prit e përcill ambasadorë e skandale, tërhiq e mos këput premtime, fut e nxirr “kaseta” në televizione ku “partizanët” e SPAK-ut me llastik “vrasin” ca “peshq” të vegjël dhe ca Tigra e Ujqër që fshati i ka zënë në kotec të pulave e nuk i lëshon pa ndëshkim.
Po ata hajdutë që nuk kapen tek koteci?
Ata janë këta, këta që kanë pushtet e para pa kufi, që “forca” e tyre palos drejtësinë e padrejtësinë, ambasadorë e diplomatë…
Super skandali mes super të korruptuarit Edi Rama e super spiunit të FBI-së McGonigal, ka shkarkuar një super stres e super “dhimbje” tek një popull super perëndimor, që e mërzitë kjo super heshtje super idiote.
Heshtja e qeverisë dhe opozitës, mediave dhe SPAK-ut, po jep të njëjtin efekt, zemërimin e njerëzve nga Kelmendi në Konispol. Tërë fshati mendon se të gjithë këta dinë gjithçka duhet dhe fshehin gjithçka munden. Madje, secili i thotë secilit, se po, edhe Yuri Kim, diçka di!
Por sa kohë do të mbahet mbi “paterica” kjo qeverisje e neveritshme?!
Zhvillimet në Kongresin Amerikan, do të na tregojnë ne, na ka vjedhur apo jo hajdutët që i kemi zënë në mallin tonë!
Pra, ç’të bëjmë, duhet pritur “skeçi” fshatar; Edi Rama për burg është, por fshihet mes FBI-së e Yuri Kim./Pamfleti