Fatos Tushe, ish-kryebashkiaku i Lushnjës, është dënuar sot me 5 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Një muaj pasi ai u lirua nga qelia, më 26 janar 2023, sepse i kishte përfunduar periudha e dënimit, Fatos Tushe duhet të rikthehet përsëri në burg.
Prokuroria Speciale kishte ankimuar vendimin e lirimit në Gjykatën e Apelit dhe sot ëhstë vendosur që Fatos Tushe të dënohet me 5 vite burg. Për shkak se përfiton nga gjykimi i shkurtuar, ish-kryebashkiaku socialist do vuajë 3.4 vite burg.
Rrjedhimisht, nëse afati i parë i burgimit me 2.4 vite burg i ka përfunduar më 26 janar 2023, Fatos Tushe me vendimin e sotëm duhet të rikthehet përsëri në qeli për të vuajtur dhe një vit burg.
Sipas SPAK, Fatos Tushe dhe shtetasi Flamur Peqini me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë kanë favorizuar kompaninë “Euro Alb shpk” me administrator shtetasin Bujar Murati në prokurimin për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 28.5 milionë lekë.
Hetimi ka evidentuar se edhe pse kjo firmë është shpallur fituese dhe me të është lidhur kontrata më datë 11 nëntor 2020, ndërkohë që përfitimin dhe punimet në fakt i ka kryer biznesmeni Ibrahim Lami i “Loti SHPK”, i cili është lidhje e ngushtë e kryebashkiakut Fatos Tushe dhe Flamur Peqini.