Kancelari gjerman kundërshton paqen në Ukrainë pa largimin e forcave ruse

0

Kancelari Olaf Scholz kundërshtoi sërish mundësinë e paqes në Ukrainë pa tërheqjen e trupave ruse, ndërsa vlerësoi se lufta do të zgjaste shumë dhe dha një pasqyrë nga bisedat e tij telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.

Presidenti federal Frank-Walter Steinmeier, nga ana e tij, kërkoi pajisjen e forcave të armatosura gjermane.

“Investimi në sigurinë tonë nuk do të thotë vetëm zgjerim i buxhetit (të mbrojtjes), por mbi të gjitha do të thotë të bëjmë një përpjekje më të madhe për të kontribuar në sigurinë e rajonit të NATO-s në tërësi. Të jesh në terren të mbron nga përfshirja direkt në luftë”, tha Steinmeier gjatë vizitës së homologut të tij çek Petr Pavel.

“Me sulmin e saj ndaj Ukrainës, Rusia shkatërroi rendin paqësor në Evropë,” shtoi presidenti gjerman, ndërsa zoti Pavel, një ish-gjeneral i NATO-s, tha se “Gjermania mund të tregojë aftësitë e saj udhëheqëse në shumë fusha,  në mbrojtjen e përbashkët evropiane, por edhe në rindërtimin e Ukrainës pas luftës”.

Kancelari gjerman duke folur në një event në “Rheinische Post”, kundërshtoi përsëri mundësinë e paqes në Ukrainë pa tërheqjen e forcave ruse.

“Ne nuk mund të përfundojmë me një paqe të diktuar nga Rusia”, theksoi kancelari dhe shprehu vlerësimin e tij se lufta nuk do të përfundojë së shpejti.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për mundësinë që do të marrë shumë kohë”,  shtoi ai, duke theksuar se “presidenti rus nuk duhet ta fitojë luftën.

“Ukraina duhet të jetë në gjendje të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e saj”, deklaroi ai.

Duke iu referuar bisedave telefonike që ka pasur me Vladimir Putin muajt e fundit, kancelari shpjegoi se ndonjëherë ato zgjasnin deri në një orë e gjysmë, ndërsa ndonjëherë presidenti rus nuk përdor përkthyes sepse flet edhe gjermanisht “kur i përshtatet” rastit.

Scholz shpjegoi më tej se bisedimet e tij me zotin Putin janë gjithmonë në konsultim me aleatët e Gjermanisë dhe bëhet e qartë kur një komunikim është i afërt.

“Nuk është si të dërgosh një SMS dhe të pyesësh: Shihemi sërish?”, tha kancelari dhe sqaroi se pavarësisht dallimeve, diskutimet zhvillohen gjithmonë në një atmosferë mirësjelljeje.

Duke analizuar situatën në lidhje me luftën në Ukrainë, kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Christoph Heusgen, i tha transmetuesit privat Ntv më herët sot se gjendja e ushtrisë ruse është “shumë e keqe” dhe vuri në dukje se rusët” nuk kanë qenë në gjendje të lëvizin frontin më tej në Ukrainë dhe të zënë një pozicion, jo domosdoshmërisht me rëndësi strategjike, pas muajsh luftimesh në Bakhmut.”

Përveç kësaj, tha zoti Heusgen, forcat e armatosura ruse po përballen me një problem serioz të furnizimit me municion, ndërsa shumë shpesh, tha ai, “ushtria ruse dhe mercenarët e Prigozhin, trupat e Wagnerit, luftojnë kundër njëri-tjetrit”.

Duke iu referuar vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Moskë, diplomati veteran gjerman vuri në dukje se të dy liderët janë në thelb të varur nga njëri-tjetri, por marrëdhënia midis dy vendeve tani është përmbysur.

“Putini tani nuk është asgjë më shumë se kamarieri i Xi dhe Rusia është stacioni i karburantit me zbritje i Kinës”, tha ai.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu