Ndotja e ajrit në Tiranë është në nivele alarmante. Studimi i laboratorit Italian “Neotes”, i cili në bashkëpunim me redaksinë tonë bëri të mundur nxjerrjen e rezultatit të ndotjes së ajrit në 20 pika të ndryshme të Tiranës, risolli edhe njëherë në vëmendje situatën e rëndë në të cilën ndodhet kryeqyteti.
Kur kanë kaluar dy javë nga publikimi i rezultateve, askush nga autoritetet nuk ka reaguar. Në të kundërt ambientalistët dhe ekspertët e fushës, e kanë vlerësuar këtë studim të laboratorit të njohur.
“Studimi në vetvete sjell një risi. Është ndër të parat raste ku kemi angazhimin e një laboratori të akredituar në një nga vendet e Bashkimit Europian, i cili kryen matje në bashkinë e Tiranës për të evidentuar situatën me përqendrimin e ndotësve në ajër”- tha Rodion Gjoka, Drejtues i Njësisë së Mjedisit dhe Energjisë.
Ndërsa për doktor Ilir Alimehmetin studimi është shumë serioz, përderisa është bërë nga një laborator i certifikuar.
“Përtej vlerësimit të punës së një laboratori italian, të cilit, përpara se t’i kërkohej bashkëpunim nga ne, duhej t’i ishte kërkuar nga autoritetet shqiptare…”
“Plani i monitorimit të cilësisë së ajrit përcakton 129 pika monitorimi, të cilat duhet të jenë stacionare dhe të monitorojnë për 24 orë në gjithë Shqipërinë, ku vetëm Tirana ka mbi 25 pika të përcaktuara si hotspote për monitorimin. Ne nuk kemi asnjë pikë stacionare në Tiranë që monitoron 24 orë. Kemi praktika nga shoqëria civile, ose siç keni bërë ju, por s’kemi stacione të miratuara nga ligji shqiptar, kjo sepse s’kemi burime financiare për ta blerë dhe as burime njerëzore që ta vënë në punë”, shtoi Gjoka.
Françeska Korançe, ekspertja e mjedisit pohoi se matja e nivelit të ndotjes nuk bëhet nga bashkia Tiranë, por falenderoi laboratorin Italian që bëri të kuptojmë se sa e rëndë është situata.
“Mjafton të ngjitesh rrugës së Dajtit për të parë renë e murrme që mbulon të gjithë Tiranën, dhe që për specialistët është me pasoja të pariparueshme për shëndetin tonë”, thotë ajo.
Mos harrojmë se dy komponentët me nivelin më të lartë janë Benzeni dhe Dioksidi i Azotit, të dyja këto substanca të klasifikuara si tepër të rrezikshme për shëndetin. Gjithçka në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Por a ka një plan konkret dhe a ka një buxhet të përcaktuar për të minimizuar ndotjen?
Gjoka deklaroi si më poshtë: Janë mbi 100 milionë euro taksë gjelbërimi, mbetjesh, karbonit që taksohet çdo litër nafte që merr. Në vit mendohet që nga kjo taksë buxhetit të shtetit t’i shkojë 20 mln euro, me të cilat do të kishte zgjidhur pjesën e monitorimit, gjurmimit të ndotjes së ajrit.
E përveç kësaj edhe një plan të detajuar urbanistik për zgjerimin e hapësirave të gjelbra, që në fakt shihen vetëm në projektet e pyllit orbital.
Studimi i laboratorit “Neotes” në bashkëpunim me redaksinë tonë, është bërë në tetë ditë, nga të cilat katër ditë ishin me reshje të dendura shiu, ccfarë sipas ekspertëve italianë, kjo përkthehet me reduktim të nivelit të ndotjes gjatë periudhës tetë ditore. Me shumë gjasa, nëse këto matje do të kryheshin në kohë të mirë, do të kishim rezultate të tjera…me nivel ndotje shumë herë më të lartë. Por faktet e publikuara, fatkeqësisht nuk kanë alarmuar asnjë zyrtar përgjegjës për situatën.