Presidenti kinez Xi Jinping është takuar sot me kryeministrin rus Mikhail Mishustin në Pekin, që është vizita e nivelit më të lartë nga një zyrtar rus në Kinë që prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Mediat kineze thanë se presidenti Xi kishte ofruar mbështetjen e Pekinit ndaj Moskës në fushat e “interesave kyçe” mes vendeve.
Kina e Rusia vitet e fundit kanë zgjeruar bashkëpunimin e tyre ekonomik e diplomatik, duke u afruar edhe më shumë pas sulmit rus ndaj Ukrainës, megjithse Pekini thotë se mbetet ‘neutral’.
Xi i tha Mishustin se Kina e Rusia do të vijojnë t’i ofrojnë njëra-tjetrës “mbështetje të fortë në interesat e tyre kyçe dhe do të forcojnë bashkëpunimin në arenat multilaterale”, shkruante agjencia kineze Xinhua.
Mishustin u takua gjithashtu me kryeministrin kinez Li Qiang të cilit i tha se “lidhjet mes Kinës e Rusisë janë në një nivel shumë të lartë”, pas ceremonisë së pritjes në Pallatin e Popullit në Pekin.
Kina është në fakt partneri më i madh tregtar i Rusisë teksa vitin e fundit këmbimet mes tyre arritën në $190 miliardë, sipas të dhënave të doganave kineze.
Gjatë takimeve, ministrat e dy vendeve nënshkruan një seri marrëveshjesh për bashkëpunim tregtar, në sporte e në drithëra, njoftonte agjencia Xinhua.