Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, ka njoftuar ngrirjen e marrëdhënieve tregtare me Perunë në kuadër të mosmarrëveshjeve të nisura me qeverinë e Dina Boluarte që kur mori detyrën në vend të Pedro Castillo.
“Derisa të rivendoset normaliteti demokratik, ne nuk duam të kemi marrëdhënie ekonomike apo tregtare me Perunë”, tha Lopez Obrador, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me dorëzimin në krye të Aleancës së Paqësorit që duhet të bëhet pikërisht mes Meksikës dhe Perusë.
“Nuk është një ndarje, thjesht një pushim”, shtoi Presidenti meksikan, i cili më pas tha se donte t’ia kalonte presidencën e Aleancës Kilit, i cili integron bllokun bashkë me Kolumbinë.
Vendimi i Presidentit meksikan vjen në kuadrin e një shtrëngimi të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, pasi plenumi i Parlamentit peruan miratoi një mocion për shpalljen e Lopez Obrador si person “non grata” në vend.
Arsyet e mocionit kujtojnë ndërhyrjen e përsëritur në punët e brendshme peruane nga Presidenti meksikan me deklarata mbi situatën politike në Peru dhe mbi ndryshimin e qeverisë pas grushtit të dështuar të shtetit, nga Presidenti i atëhershëm Pedro Castillo, i 7 dhjetorit 2022.
Ditët e fundit kreu i shtetit meksikan e kishte përcaktuar Boluarte si uzurpatore për kryerjen e një grushti shteti duke marrë në mënyrë të paligjshme trashëgiminë e Castillo-s.