Shkruan Sokol Peppushaj
Edi Rama nuk është ky që shihni. Ndjenjat e çlirimit të energjive të brendshme, nuk frymëzojnë vetëm liri për të vetët që të pasurohen me të vjedhur, por ironi e urrejtje të kontrolluara e ricikluara në dashuri.
Nga zgafella e zezë e fshehtësisë, forca për kundërshtarët që i krijon vetë, shpërthen gjithherë pa parashikueshmëri, sa ua heq trurin edhe miqve, edhe armiqve.
Ja, pas grushteve që hëngri Albin Kurti në Parlamentin e Kosovës, nuk tha si të tjerët, mirë ja bënë, nuk zë mend ndryshe ky që as telefonin nuk ma hapë prej kohësh, por nxori shaminë dhe “qau” në Twitter.
Bëri një tip “fejtoni”, të dobët letrarisht për parlamentarizmin, duke u lutur për dhunuesit që nuk dinë çka bëjnë e lënë të nënkuptohet se ky është lider global, që shuan edhe atë tymin e molotovit artizanal që dikur kryeministri i sotëm kishte lëshuar në Parlamentin e Kosovës.
Se nuk ha pykë Albini dihej, por edhe sa ha pykë Babloku, nuk dihej.
Albini, që vjen nga përplasjet e forta me amerikanët, europianët dhe gjithë botën perëndimore për ngjarjet e krijuara në veri të Kosovës, i qëlluar me grushte dhe i qullosur me ujë nga ca deputetë të opozitës, e preku atje ku nuk pritej Edi Ramën.
I doli në krah me një lëvizje, në pamje të parë konfliktuale, duke ngatërruar edhe më keq mosmarrëveshjet që nuk jemi mësuar t’i shohim të çliruara nga liri të lidhura me nyje interesash.
Si mjeshtër i krijimit të kontrasteve, arriti të zbehë lajmin se në Parlamentin tonë ka plasur skandali i inceneratorëve dhe shumë deputetë i ka me një këmbë në Kuvend e një në burg, dhe të mbushë eterin me ndjenjën shpirtërore që i gufon nga mungesa e shpirtit.
Edhe për ngjarjet e tjera që priten ta nxijnë Bablokun, se SPAK-u do i marrë gjithë hajdutët, priten akrobaci të standarteve sorosiane, pse jo edhe më të papritura se fabula e sotme ku grushtet i hëngri Albin Kurti e dhimbjen e ndjeu Edi Rama!/Pamfleti.