Republikanët drejt shkarkimit të udhëheqësit demokrat të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA

0

Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Kevin McCarthy është duke luftuar për jetën e tij politike pasi një rebel i krahut të djathtë Matt Gaetz, ka nisur një mocion për shkarkimin e tij.

Tensionet mes dy republikanëve janë përkeqësuar përgjatë fundjavës, pasi McCarthy e ka miratuar një projektligj me ndihmën e demokratëve për t’i financuar agjencitë qeveritare.
Deri më tani, askush në historinë amerikane në këtë pozitë, nuk është shkarkuar përmes një mocioni të tillë.

Udhëheqësia tani ka dy ditë për ta vënë masën për votim, ndonëse mund të nisen procedura tjera për ta penguar procesin.

Pozita e udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve është e dyta në linjë për pozitën e presidentit, pas pozitës së nënpresidentit.

Ai apo ajo që e udhëheq këtë trup të Kongresit, i kontrollon punët e komiteteve dhe mund ta bëjë ose zhbëjë axhendën e Shtëpisë së Bardhë.

Në marrëveshjen e arritur të shtunën, e cila e ka shmangur mbylljen e Qeverisë amerikane, nuk është përfshirë ndihma ushtarake për Ukrainën në vlerë të gjashtë miliardë dollarëve, sepse Gazetz, prej Floridas, dhe disa ultrakonservatorë tjerë, kanë insistuar se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar shumë mjete në këtë luftë të nisur nga Rusia.

Nëse shkarkohet McCarthy, një listë e re duhet të bëhet publike dhe personi që ngjitet në krye do ta marrë atë pozitë deri në zgjedhjet e ardhshme për Kongres.

Për ta shkarkuar atë nga pozita nevojitet një shumicë e thjeshtë, mirëpo deri më tani pak republikanë kanë thënë se kanë gatishmëri për të bërë diçka të tillë. /REL

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu