Rrugë “me porosi” për pallatin e Ajola Xoxës

0

Mes zhvillimit të vrullshëm dhe shpesh të pamëshirshëm, Tirana po humb shtresat e fundit të identitetit. Por jo të gjithë heshtin. Në një cep të vjetër të qytetit, aty ku kryqëzohen rrugët Qemal Stafa, Hoxha Tahsin dhe Faik Tërnova, një familje vendosi të mos dorëzohet.

Familja Çoku, e vendosur të ruajë shtëpitë tiranase të trashëguara brez pas brezi, u përball me një plan të Bashkisë së Tiranës që do të sillte shembjen e banesave të tyre për të hapur një rrugë të re. Një rrugë që, sipas dokumenteve, do t’i shërbente drejtpërdrejt zhvillimit të pronave të familjes Xoxa, bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj.

Lindita Çoku, sot banon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku punon si mjeke. Ajo udhëheq një shoqatë që punon për promovimin e vlerave identitare të kryeqytetit “Shoqnia Tirona Autoktone”.

Përmes një bisede telefonike, Lindita na rrëfen historinë e familjes së saj dhe pronave të tyre në zonën e rrugës Qemal Stafa që nga periudha e Mbretit Zog, përndjekja gjatë diktaturës dhe rimarja e pronave pas rënies së regjimit.

“Babai im është i vetmi nga familja Çoku që është lindur dhe rritur aty (në rrugën Qemal Stafa) në pronat tona, sepse pjesa tjetër u përndoqën nga sistemi komunist, mendo se sa e shenjtë dhe sublime është për të që të mbyllë sytë në shtëpinë e vet”, rrëfen Lindita.

Por Bashkia Tiranë kishte plane të tjera.

Duke punuar nën rogoz, Veliaj po përgatiste ndryshimet e nevojshme që do t’i hapnin rrugë krijimit të një rrugë në favor të familjes së bashkëshortes Ajola Xoxa dhe ndërtimit të një pllati në tokën e saj. Projekti përfshinte edhe shembjen e banesave të vjetra.

Ajola ishte zotëruese e një shtëpie me truall në afërsi me pronat e familjes Çoku, të trashëguara nga babai i saj, Arben Xoxa, të cilën pas vitit 2019, familja Xoxa vendos ta zhvillojë me ndërtimin e dy pallateve 8-11 kate.

Lindita Çoku, mëson në fillim të vitit 2022 se me vendim të kryetarit të Bashkisë ishte hartuar një Plan i Detajuar Vendor (PDV), i cili i hapte rrugë shembjes së shtëpisë së saj të vjetër dhe ndërtimit mbi truallin e saj të një rruge që do t’i shërbente pallatit që do të ndërtohej.
“Që të ndërtohej kompleksi kishte nevojë për tre rrugë, ndërsa toka që kishte Ajola kishte vetëm dy,” shprehet Lindita Çoku duke përmendur rrugët “Faik Tërnova” dhe “Qemal Stafa”. Më tej Lindita shton se u detyrua të bëjë punë hulumtuese për të zbuluar “hilet që po përdoreshin”.

“Duke gënjyer në letër sikur përgjatë shtëpive tona ishte një rrugë, dolën me atë planin që ‘Ne do t’ua shëmbim shtëpitë, se do zgjerohet rruga’…” thotë Lindita.

Në letër, bashkia kishte krijuar një rrugë me emrin “Hajdar Kërçiku”, që sipas dokumenteve lidhte rrugën “Hoxha Tasin” me rrugën “Qemal Stafa”, por në fakt bëhej fjalë për një rrugicë pa krye. Në realitet dy anët e rrugëve kryesore kanë qenë të lidhura vetëm me rrugën “Faik Tërnova”.

“Edhe sot e kësaj dite nuk ka rrugë aty, shtëpitë tona hyrjen e kanë nga Qemal Stafa dhe kemi dhe një rrugicë qorre që është rrugica Çoku”, thotë Lindita për Citizens.

Bashkia e miratoi PDV-në për ndërtimin e rrugës “Hajdar Kërçiku” në vitin 2022, pjesë e njësisë strukturore TR/7. Ajo e prezantoi ndërtimin e rrugës së re si nevojë për zhvillimin e infrastrukturës dhe lidhjes së zonave.

Por Lindita shprehet se në fakt vendimi ishte favorizim i Veliajt ndaj bashkëshrotes dhe familjarëve të saj.

“Përpjekjet e Ajolës dhe Veliajt kanë qenë që në mandatin e parë [2015-2019], sapo mori mandatin e dytë [2019-2023] filloi lëvizja [e interesimeve] me arkitektë, ne ja premë shkurt që s’kemi ndërmend të shembim shtëpiat tona”, kujton Lindita.

Ajo shprehet se familja e saj do të mirëmbajë dhe ruaj traditën duke synuar të lërë trashëgimi për qytetin.

“Ata duke parë rezistencën tonë filluan planet për të na asgjësuar dhe për të ndërtuar në interes të tyre”, shton Lindita.

Në vitet 2022-2023 bashkia dha tre leje ndërtimi në lagjen e Linditës, e cila konstatoi se kryetari i bashkisë Veliaj kishte vepruar në shkelje të kompetencave për t’i hapur rrugë projekteve.

Pas këtyre konstatime ajo iu drejtua qendrës “Res Publica” për të ngritur padi në gjykatën Administrative me argumentin se miratimi i PDV-së nuk kishte respektuar procedurat ligjore, pasi nuk ka pasur bazë të qartë urbanistike.

Ajo dhe “Res Publica” këmbëngulën se miratimi i PDV-së qe bërë pa konsultim të duhur publik dhe pa pasur analizë të plotë të ndikimit të tij në pronat dhe jetën e qytetarëve të zonës.

Më 3 prill, familja Çoku arriti ta fitojë çështjen, duke rrëzuar vendimin e kryebashkiakut Veliaj për ndërtimin e rrugës “Hajdar Kërçiku” për të lidhur rrugën “Hoxha Tahsin” me “Qemal Stafën”.

Gjykata argumentoi se PDV-ja e miratuar nga bashkia, e cila parashikonte ndërtimin e kësaj rruge, është e pavlefshme. Sipas saj hapja e saj nuk ishte e justifikuar duke qenë se dy rrugët kryesore lidheshin prej rrugës “Faik Tërnova” rreth 40 metra më tutje.

“Në saj të një studioje ligjore tepër profesionale, ne arritëm të fitojëm gjyqin me një rezultat spektakolar ku 5 gjakëts ngritën kartonin jeshil në favorin e familejs Çoku dhe hodhën poshtë githë planin korruptiv të Xoxës dhe Veliajt”, shprehet Lindita.

Ajo shton më tej se në shtator të 2024 e ka paditur kryebashkiakun edhe ne SPAK, dhe se ka edhe procese të tjera gjyqësore që lidhen me Xoxën dhe Veliajn.

Vendimi i gjykatës në favor të familjes Çoku, provoi po ashtu se ndërtimi i rrugës “Hajdar Kërciku” është marrë në kushte te konfliktit të interesit, si pasojë e lidhjeve familjare të Veliajt me zotëruesit e pronës.

“Rasti jonë ka haspur një kaptiull të ri për komunitetin dhe kryeqytetin, nëse ne humbim rrënjët e identitetit si individ e si komunitet do humbasim Shqipërinë, ne shohim në pikturën e madhe, jo vetëm tullën llaçin dhe qerpiçin”, shprehet Lindita.

Zona mes rrugëve “Hoxha Tahsin”, “Faik Tërnova” dhe “Qemal Stafa” u dend me tre leje ndërtimi mes viteve 2022-2023. Ato u dhanë brenda 6 muajve nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

Më 19 tetor 2022, bashkia miratoi lejen për pallatin 10-katësh me dy kate parkimi nëntokë për kompaninë “A&G Construction” të Gentian Bruzjës dhe Florjan Sulës. Projekti qe konceptuar nga studio Atelier 4 e Altin Premtit dhe vëllezërve Olsi, Andi dhe Alban Efthimi.

Më 27 dhjetor 2022, bashkia miratoi lejen e ndërtimit për një pallat tjetër 10-katësh, por me tre kate parkimi nëntokë për kompaninë “Tirana-1 Konstruksion” të sipërmarrësve Arben Dibra dhe Luigj Paloka. Projekti qe hartuar nga Studioarch4 e Lorin Çekrezit dhe Rezart Strugës.

Të dyja lejet ishin për objekte banimi dhe shërbimesh me orientim dhe lidhje me rrugën “Qemal Stafa”. Rreth katër muaj më vonë, më 25 prill 2023, bashkia miratoi lejen e tretë në të njëjtën zonë.

Kësaj here për një pallat 8-katësh me një kat parkimi nëntokë për sipërmarrësin Artan Dumi dhe kompaninë “Gramozi Ndërtim Projektim” të Idajet Alushit dhe Genci Hadajt. Edhe ky projekt u konceptua nga studio Atelier 4 e Premtit dhe vëllezërve Efthimi, por kishte dalje nga rruga “Faik Tërnova”.

Hetimet e SPAK zbuluan se përpara miratimit të këtyre lejeve pati transaksione të dyshimta mes bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj dhe një të afërmi të saj.

Në vitin 2019, Ajola Xoxa rezulton se trashëgoi nga i ati, Agron Xoxa, pjesë nga dy shtëpi 147 m2 dhe 130 m2 dhe një sipërfaqe totale trualli prej 915 m2 (Pronat 3/173; 3/197 ZK 8150). Këto prona kanë qenë pas pallatit ekzistues ku ka aktualisht zyrat shoqata “Shoqnia Tirona Autoktone” e Lindita Çokut.

Në vitin 2020 Ajola ia shiti këto prona kushëririt të saj Valmir Xoxa, muzikant në bandën frymore të Bashkisë së Tiranës, për një vlerë prej rreth 140 mijë euro.

Prokuroria dyshon se ky transaksion ka qenë fiktiv pasi Valmir Xoxa, nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për krimjimin e një shume të tillë kursimesh, ndërsa figuron edhe përfitues i një kredie të butë nga bashkia Tiranë.

Për më tepër përballë prokurorëve Valmir Xoxa ka ndryshuar disa herë versionet e dëshmisë. Ai nuk ka treguar dijeni të saktë se kush ishin ndërtuesit e pallatit, marrëveshja me to dhe përfitimi konkret që ai do të kishte nga investimi: një apartament, një dyqan dhe një post parkimi.

Pas vitit 2020 bashkia me në kyre bashkëshortin e Ajolës, Erion Veliajn, ka vepruar duke nisur hartimin e PDV-së së zonës (TR/7) dhe më pas në vitin 2021 e ka miratuar. Në shkurt 2022 PDV-ja është saktësuar dhe botuar me hartën përkatëse. PDV-ja ka pasur të shtuar rrugën “Hajdar Kërçiku”.

Sipas vendimit të gjykatës Administrative, rruga që i jep akses ish-pronës së Xoxës, i shton vlerë investimit për pallatet dhe është dhënë nga Veliaj, përveçse në konflikt interesi, edhe në shkelje të kompetencave pasi miratimi i ndërtimit të rrugëve të reja bie nën juridiksionin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe jo të Bashkisë.

SPAK akuzon Veliajn dhe bashkëshorten për korrupsion, pastrim parash dhe deklarim të rremë pasurie. Prokuroria dyshon se ata përfituan qindra mijëra euro nga një skemë korruptive qarkullimi parash publike përmes OJF-ve të Xoxës.

Veliaj i ka mohuar akuzat, duke i quajtur sulm politik nga kundërshtarët e tij./ Citizens.al

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu