Shkruan Zef Ndreka
I ka kënduar mjaft bukur e me elegancë valles, nje tradite popullore ku mund të njiheshin djemt dhe vajzat.
E titulluar “Vallja ziliqare”, të sjell vertetë një zili, pikërisht në lëndinat me bar, pranë malit, ku vajzat dhe djemt veshur bukur, si asnjëherë tjetër sfilojnë për të fituar një çmim që është më i madh se xherdani…
Ta shijojmë këtë poezi të dashur miq!
Vallja ziliqare
Vajzat veshur dhe stolisur po kërcejnë, po këndojnë
Herë i ulin sytë e shkruar, herë matanë djemtë vështrojnë.
Por dhe djemë veshur-ngjeshur me pisqollë e jataganë
Po këndojnë e shkelin syrin për mikeshat tej matanë.
Ja dhe pleqve nën hije po u bëhet zemra mal
Se mbi lulet e lëndinës shket një vajzë me një djalë.
Shoqëni c’u bë Banushja?!
Shokëni c’u bë Petriti?!
Vjen Banushja me ngadalë se mos shket-o nëpër lule
Me jelekun e qëndisur edhe linjën me baxhule,
Fshehur syte nen qepallet, ngjeshur belin e këputur.
Përgëzohet me zambakët edhe shkon porsi një flutur.
Hajt, Banushe, hiqe vallen se të gjithë ne na panë:
Kush kërcen me mirë nga shoqet do të marrë një xherdan,
Nje xherdan me gurë të çmuar që ka blerë Petriti vetë,
Nxirr shaminë, moj naze-madhe, se ty vallja po të pret:
Hiqe vallën shtruar-o,
Moj fustan shkurtuar-o…
Dhe Banushja si një xhinde fluturonte nëpër ëndërr
Drithte belin e këputur përmbi gjishta përmbi thembër
Dhe pastaj sa lehtë e shtruar ndalte këmbët porsi fletë
Që këputet nga veriu dhe mbi ujin rri e qetë.
Hiqe vallën rëndë-rëndë,
Moj fustanja pendë-pendë…
Po ia nisi vallës dyshe, vet ia mori vet ia hoqi
I mahniti si gjahtarin kur nga pas thëllëzën ndoqi ,
Pastaj ulesh edhe ngrihesh porsi degë trëndafili
Që nga kënga nis e dridhet kur mbi të këndon bilbili .
Mjaft e hoqen vallën ti ,
Moj të prefshin synë e zi…
Faqe-bardhë-qumeshtorja, po na skuqësh porsi shega
Kur fillojnë të hyjnë rrezet nepër fleta nepër dega,
Sepse shoqet po kërkonin: – O Banushi shtat-argjendi
Hoqe vallën më të mirë, merr gjerdanin është tëndi!…
Shokëni çu bë Petriti?!
Ja nga mali sapo zbriti
Dhe xherdanin prej floriri vet ia vuri në kraharuar,
Pa po uli sytë Banushja edhe qeshi e turperuar!…
Psherëtitën pleqt matanë dhe rënkonin me të dredhur
Sepse shihnin vashat-nuse si selvitë në qiell të hedhur
Edhe shtatin e vërvitur që lëkundesh si billoje,
Si billonja kur veriu fërfëritet nëpër ftonjë .
Shoqëni çu bë Banushja?!
Shokëni çu bë Petriti?!
Po mbledh lule sy-larushja
Dhe dragoji malit ngjiti!
Nexhat Haki
Promoted Content