Dy anije tregtare u goditën teksa përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Hormuzit të shtunën. Lajmi u konfirmua nga tre burime të sigurisë detare dhe të transportit detar, menjëherë pasi Irani njoftoi se po rriste sërish kontrollin mbi këtë rrugë ujore strategjike.
Sipas burimeve për mediat e huaja, incidentet ndodhën në një moment të rritjes së tensioneve në rajon, ku lëvizjet e fundit të Teheranit kanë ngritur shqetësime për sigurinë e trafikut detar ndërkombëtar.
Autoritetet detare nuk kanë bërë publike identitetet e anijeve të përfshira, ndërsa ende nuk ka një bilanc të qartë për dëmet e shkaktuara apo rrethanat e plota të ngjarjes.
Ndërkohë, Irani ka deklaruar se do të forcojë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, duke e lidhur këtë vendim me presionin dhe kufizimet ndaj anijeve që lidhen me portet iraniane.
“Për sa kohë që kalimi i anijeve me origjinë iraniane në destinacionin iranian mbetet nën kërcënim, statusi i Ngushticës së Hormuzit do të mbetet në gjendjen e mëparshme”, deklaroi marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Teksa raportohet për anije luftarake iraniane që kanë qëlluar një anije cisternë pranë Ngushticës së Hormuzit, udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei reagoi duke përgëzuar aftësitë ushtarake të vendit të tij.
“Në të njëjtën mënyrë që dronët e Iranit, i godasin SHBA-të dhe vrasësit sionistë si rrufe, marina e saj e guximshme është gjithashtu e gatshme t’u shkaktojë disfata të reja të hidhura armiqve të saj”, tha ai.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, dhe çdo incident në këtë zonë ka potencial të ndikojë në tregjet globale.
Kujtojmë se, Presidenti amerikan Donald Trump theksoi se një bllokadë detare ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi deri sa të arrihet një marrëveshje e plotë me Teheranin. Nuk dihet se kur dhe ku mund të takohen përsëri dy palët, pas dështimit të raundit të parë të bisedimeve në Islamabad fundjavën e kaluar.
Një zëdhënës ushtarak iranian raportoi sot se Teherani ka lejuar “një numër të kufizuar anijesh nafte dhe tregtare” të kalojnë përmes Ngushticës.
“Por fatkeqësisht, amerikanët, me shkeljet e tyre të përsëritura të besimit që janë pjesë e historikut të tyre, vazhdojnë të angazhohen në pirateri dhe grabitje detare nën të ashtuquajturën bllokadë”, tha zëdhënësi, sipas Fars.
“Kontrolli i Ngushticës do të jetë sërish nën menaxhimin dhe kontrollin e rreptë të forcave të armatosura, derisa SHBA t’i japë fund bllokadës ndaj anijeve që dalin dhe hyjnë në portet iraniane”, shtoi ai.
Trump tha më herët se negociatat me Iranin për një armëpushim të qëndrueshëm do të vazhdojnë gjatë fundjavës, por ka paralajmëruar se nuk do të ketë zgjatje të tij nëse nuk arrihet një marrëveshje deri të mërkurën.
Ende nuk ka një njoftim të qartë se kur do të mbahen negociatat e ardhshme. Trump gjithashtu u shpreh se ka pasur disa “lajme mjaft të mira” lidhur me Iranin, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Përveç shkeljes së marrëveshjes për Hormuzin, Irani ka kundërshtuar deklaratën e Trumpit se Teherani do t’u dorëzojë SHBA-ve uraniumin e pasuruar. Irani e ka cilësuar si “pikë të panegociueshme” dhe ka refuzuar edhe ndalimin e pasurimit të uraniumit.








