Kastriotët dhe Bushatlinjtë

0

Shkruan Zef Bushati

Folkloristi i shquar shqiptar Thimi Mitko (1820-1890) në përmbledhjen e vet të këngëve popullore “ Bleta shqyptare” botuar më 1878 në Sofje, duke shpjeguar më hollësisht ngjarjen e parashtruar në një këngë trimërie në lidhje me luftimet e Kara Mahmut Pashë Bushatlliut vë në dukje se në popull thuhet se familja e përmëndur e Princave Shkodranë rrjedh prej Fisit të Skënderbeut.

Në Kurbin si dhe në vënde të tjera të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme, ekzistojnë shumë toponime në lidhje me emrin e Skënderbeut dhe me familjen e Kastriotëve. Një nga shumë gojdhana të Lidhjes së gjakut midis Familjes së Kastriotëve (familja e Skënderbeut) dhe Bushatllinjve që është përmendur në disa burime historike. Ekzistojnë disa pista që lidhen me këtë tezë. Kanë qarkulluar gojëdhëna që flasin për një lidhje gjaku ndërmjet Kastriotëve dhe Bushatllinjve.

Një Degë e familjes Kastrioti u shpërngul në veri dhe u lidh me familjen fisnike Bushati. Të dyja familjet vijnë nga shtresat e larta Aristokrate Shqiptare. Kastriotët ishin Princër të Arbërisë në shekullin XV, ndërsa Bushatllinjtë u shfaqën si një familje e fuqishme Aristokrate Feudale në shekullin XVIII. Disa historianë mendojnë se ngritja e Bushatllinjve në pozitë të lartë nuk ishte vetëm për arsye ushtarake dhe ekonomike, por edhe për shkak të një prejardhjeje të njohur fisnike të lidhur me familjen e Princerve të Kastriotëve. Martesat mes familjeve fisnike ishin mënyra për të ruajtur aleancat dhe gjakun aristokrat. Ka mundësi që një martesë ndërmjet familjes Kastrioti me një paraardhës të familjes Bushati të ketë ndodhur në shek. XV ose XVI. Studiues të historisë shqiptare si Giuseppe Valentini, Eqrem bej Vlora apo Kristo Frashëri, kanë përmendur lidhje midis familjeve aristokrate Kastrioti e Bushati.

Në historinë shqiptare, rrallëherë ka familje që kanë lënë gjurmë kaq të thella e në periudha të ndryshme sesa Kastriotët dhe Bushatllinjtë. Kastriotet, një Dinasti Princërore që udhëhoqi rezistencën kundër Perandorisë Osmane në shekullin XV nën udheheqjen e Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Bushatllinjte një Dinasti e fuqishme Princerore Feudale që në shekullin XVIII e XIX e shndërroi Shkodrën në një Principate Shqiptare Autonome gjatë sundimit te Perandorisë Osmane. Edhe pse të ndara nga një distancë kohore prej afro tre shekujsh, hipoteza e një lidhjeje gjaku ndërmjet tyre është një çështje që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe trashëgimtarëve të historisë kombëtare. Në zonat e veriut të Shqipërisë, sidomos në Shkodër, Krujë dhe Mat, janë ruajtur me fanatizëm rrëfime për lidhje të hershme fisnore ndërmjet familjeve të mëdha shqiptare.

 

Kara Mahmut Bushatliu

Sipas disa gojëdhënave, një Degë e familjes Kastrioti, pas vdekjes së Skënderbeut dhe shpërbërjes së Aleancës Arbërore, gjeti strehim në veri, duke u martuar me familje të njohura të trevave veriore, përfshirë edhe Familjet e Bushatllinjve. Këto rrëfime e paraqesin këtë lidhje si një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë fisnike dhe për të siguruar vazhdimësinë e gjakut të Kastriotëve te Skënderbeut. Të dy familjet, Kastrioti e Bushati, ndajnë një karakteristikë të rëndësishme: statusin Aristokratik Autokton. Familja Kastrioti rrjedh nga një trung princëror shqiptar me zotërime në Mat, Dibër dhe zonat përreth. Bushatllinjtë, u shfaqën në skenën historike në mënyrë të organizuar në shekullin XVIII, dhe sipas shumë studiuesve, kishin një bazë të hershme familjare me rrënjë fisnike që datonin që nga koha e principatave shqiptare. Kjo e bën të arsyeshme mundësinë që dy Familjet të kenë prejardhje të përbashkët ose të ndërthurur nëpërmjet martesave.

Disa referenca të tërthorta janë gjetur në arkiva osmane dhe veneciane që flasin për ekzistencën e një lidhjeje indirekte ndërmjet Kastriotëve dhe familjeve të tjera fisnike veriore që lidhen me Bushatllinjtë. Në mënyrë të veçantë, është përmendur një Duka i Matit, pjesë e familjes Kastrioti, i cili sipas disa burimeve mendohet të ketë pasur pasardhës që më vonë rezultojnë të vendosur familjarisht në rrethinat e Shkodrës. Ka mundësi që edhe ndonjë nga bijat e Kastriotëve (veçanërisht nga degët anësore të familjes) të jetë martuar me ndonjë prej paraardhësve të familjes Bushati, duke i dhënë kësaj të fundit një trashëgimi prestigjioze. Kjo do të shpjegonte edhe ambicien dhe përmasën gjeopolitike që morën Bushatllinjtë në fund të shek. XVIII. Interesant është fakti që Bushatllinjtë e konceptonin veten jo vetëm si prijës lokalë, por si liderë të një “Arbërie ” të një Principate Shqiptare me Autonomi de facto.

Për shumë studiues, ky koncept është trashëgimi e strategjise së Kastriotëve. Në këtë prizëm, lidhjet familiare dhe e vetëdijes fisnike e forcojne më tej hipotezën e një trashëgimie të përbashkët të Kastriotëve dhe Bushatllinjëve. Lidhja e gjakut ndërmjet Kastriotëve dhe Bushatllinjve nuk është ende e vërtetuar përmes dokumentacionit zyrtar, por ka mjaft elementë që e bëjnë shumë të mundshme dhe historikisht të arsyeshme. Tradita gojore, përputhjet e statusit fisnik, mundësia e martesave strategjike, si dhe zhvillimi i një vetëdije të përbashkët politike dhe kulturore, krijojnë një narrativë të besueshme për një lidhje dinastike që meriton vëmendje më të thelluar akademike. Nëse këto lidhje provohen më tej përmes kërkimeve arkivore ose gjenealogjike, ato do të shërbenin jo vetëm për të ndriçuar më tej historinë e dy familjeve më të mëdha shqiptare, por edhe për të kuptuar vazhdimësinë e elitës shqiptare nga mesjeta deri në prag të rilindjes kombëtare.


Familja Kastrioti dhe familja Bushati kanë origjinë të hershme katolike dhe më pas disa familjarë prej tyre u konvertun në islam, si edhe disa familje të mëdha feudale shqiptare gjatë periudhës osmane. Familja Bushati rrjedh nga qyteti i Bushatit, afër Shkodrës, një zonë që ka pasur një traditë të fortë katolike. Ka fakte historike që familja Bushati ka pasur lidhje gjaku apo trashëgimie me fisnikë katolikë shqiptarë të mëparshëm, edhe me familje që kanë shërbyer nën Republikën e Venedikut dhe Vatikan. Në shekullin XVII, pjesë e elitës shqiptare në trojet veriore, përfshi edhe disa në familjen Bushati, u konvertuan në islam për të forcuar pozitat e tyre në administratën Osmane. Mehmet Pashë Bushati dhe pasardhësit e tij u bënë bejlerë të fuqishëm, duke krijuar Principaten Autonome të Bushatllinjëve në Shkodër. Kalimi i tyre në islam nuk nënkuptonte një shkëputje të plotë kulturore nga rrënjët e mëparshme shqiptare apo katolike. Ata ruajtën lidhjet e gjakut me familiaret e tyre dhe bashkëpunim me komunitetin katolik të Shkodrës dhe Malesinë e Dukagjinit që ishin katolik të fortë e me influence të madhe me Papën, mbretin e Spanjes, të Italisë,etj. Në Shkodër, ku dominonin Bushatllinjtë si sundimtarë, bashkëjetesa fetare ishte një realitet: qyteti kishte të krishterë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë që bashkëjetonin në mënyrë relativisht paqësore. Bushatllinjtë shpesh mbështetën ndërtimin e kishave, ruajtën marrëdhënie me krerët katolikë dhe u kujdesën për ekuilibrin mes komuniteteve. Bushatllinjtë vijnë nga një shtresë katolike dhe u konvertuan në islam gjatë zgjerimit të perandorisë osmane, për arsye strategjike dhe politike. Ata ishin pjesë e asaj elite shqiptare që luajti rol të madh në historinë e Shqipërisë, duke ruajtur një identitet kombëtar të fortë, përtej dallimeve fetare.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu