Izraeli dhe Hamasi janë dakordësuar për fazën e parë të planit të paqes nga SHBA në Rripin e Gazës. Donald Trump, i cili bëri njoftimin përmes një postimi në Truth Social, thekson se shumë shpejt do të dorëzohen të gjithë pengjet izraelite dhe se IDF do të tërheqë të gjithë trupat në një vijë të rënë dakord.
“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar Fazën e parë të Planit tonë të Paqes. Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord, si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë! Kjo është një DITË E MADHE për Botën Arabe dhe Muslimane, Izraelin, të gjitha kombet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë Ngjarje Historike dhe të Pashembullt. TË BEKUAR QOFSHIN PAQËBËRËSIT!”, ka shkruar Trump.
Sipas mediave izraelite, marrëveshja do të nënshkruhet në orën 11:00 të mëngjesit, e më pas do të mbahet një mbledhje e kabinetit izraelit. IDF do të tërhiqet nga pjesa më e madhe e Rripit të Gazës (duke mbetur vetëm në Rafah) brenda 24 orëve të ardhshme, dhe pengjet e mbetura do të lirohen brenda 72 orëve. Presidenti i SHBA-së zhvilloi një telefonatë me Netanyahun, i cili e ftoi atë në Knesset.
Më parë, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u largua nga konferenca për shtyp në Shtëpinë e Bardhë pasi mori një shënim nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ku i kërkohej të miratonte një postim në mediat sociale në lidhje me marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit.
Hamasi tha të enjten se kishte arritur marrëveshjen pas bisedimeve mbi propozimin e presidentit amerikan, duke konfirmuar se marrëveshja përfshin një tërheqje izraelite nga enklava dhe një shkëmbim pengjesh-të burgosurish.
Hamasi i bëri thirrje Trump dhe shteteve garantuese të sigurohen që Izraeli të zbatojë plotësisht armëpushimin. Grupi tha gjithashtu se do të lirojë 20 pengjet ende gjallë që këtë fundjavë, me burime që thonë se një shkëmbim me të burgosurit palestinezë do të ndodhë brenda 72 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve, i cili pritet të jetë të enjten.
Në një intervistë më vonë të mërkurën, Trump tha se besonte se pengjet do të “ktheheshin” të hënën.
Duke iu përgjigjur njoftimit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha: “Me ndihmën e Zotit, ne do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi.”








