Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka folur pa ekuivok për sfidat serioze që përballet institucioni që ai drejton. Në një deklaratë të fortë, ai nënvizoi rrezikun e presioneve të jashtme nga politika, mediat dhe krimi i organizuar, të cilat sipas tij cenojnë integritetin e prokurorëve dhe funksionimin kushtetues të SPAK.
“Doja të theksoja presionin e jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë dhe krimi i organizuar, gjë që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve. Kjo kërkon një reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese të SPAK”, theksoi Dumani.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e një kuadri të qartë ligjor mbi statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit të tyre, gjë që sipas tij krijon pasiguri dhe mund të ndërpresë hetimet e ndjeshme në vijim. Mungesa e këshilltarëve ligjorë, mbështetja e pamjaftueshme analitike dhe referimet minimale nga institucionet publike për rastet e korrupsionit janë disa prej problematikave të tjera që u përmendën.
“Ka një heshtje të pajustifikuar nga shumë institucione që duhet të ishin partnerë të drejtësisë. Referimet për raste korrupsioni janë minimale. Ky është një problem politik dhe institucional”, u shpreh Dumani.
Ai shtoi se SPAK është në pritje të finalizimit të sistemit elektronik të administrimit të çështjeve, me ndihmën e BE-së, dhe theksoi domosdoshmërinë e ngritjes së një njësie të veçantë analize për të përballuar hetimet komplekse dhe për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare.
Në fund të fjalës së tij, Dumani kujtoi se në dhjetor SPAK mbush 6 vite dhe se është koha për ta forcuar më tej institucionin, jo vetëm në burime njerëzore dhe teknike, por edhe me mbrojtje ligjore dhe politike të qartë.
Problematikat e renditura nga Dumani
-Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatikë, i cili cenon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK-ut, si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK.
– Vijimi i mungesës së përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. SPAK konstaton se, kjo problematikë nuk është adresuar ende dhe thekson se mos përcaktimi i qartë i këtij statusi mund të cenojë vijimësinë e ruajtjes së standardeve të larta profesionale të hetimit, të kërkuara nga publiku, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucionet ndërkombëtare. Siç është nënvizuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, nga mungesa e një statusi të qartë për prokurorët e veçantë do të cenohej gjithashtu dhe vazhdimësia e hetimeve të rëndësishme të kryera nga SPAK.
-Vijimi i mos adresimit të akordimit të këshilltarëve ligjor pranë Prokurorisë së Posaçme. Cilësojmë në mënyrë të përsëritur se mungesa e këtij standardi burimi njerëzor është një vështirësi cilësinë e hetimit dhe përqasjes së SPAK në ndjekjen e çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit dhe në Gjykatën Kushtetuese.
-Vijon ende të ngelet problematike numri i ulët i referimeve nga institucionet publike, përfshirë Policinë e Shtetit, në lidhje me veprat penale në kuadër të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
-Përfundimi i ngritjes së sistemit të administrimit të çështjeve (Case Management System) mbetet një prioritet për Prokurorinë e Posaçme. Sistemi ka një ndërtim modular dhe në dhjetor 2024 ka përfunduar zhvillimi/ndërtimi i moduleve. Për shkak të përfundimit të projektit të mbështetur nga ICITAP, ky proces është parashikuar të përmbyllet brenda vitit 2025 me fonde të BE-së.
-Ngritja e njësisë së analizës së SPAK që do të shërbejë për të mbështetur hetimet komplekse, mbetet e rrezik, dhe raportimet në lidhje me negociatat me Eurojust, Moneyval dhe raportimet në kuadër të strategjive kombëtare të ndryshme, ngelet sfidë. Po bashkëpunojmë me ekspertë ndërkombëtarë për të përshtatur një model sipas kërkesave dhe funksionimit të SPAK.








