Shkruan Zef Ndreka
Iluzion krenar
Sonet
Shkruan fjalë nazike në tjegullën e fatit
beson se mrekullia ndodhi për herë të parë
dhe fluturon si shterg, zgalem, albatros
po deti askund nuk duket në horizont…
Rrathët e lisit s’vizatohen në flamur
gjurmët e dëborës tretën në ujë e në gur,
i vërtetë është veç plisi i dheut me vlagë
fija e barit që lind e vdes si heroinë…
Mos u turr me e puth veten në ballë
se të shfaqet si lungë syri i katallanit,
mister është aleluja – këndellja e fatit.
Para se me e shpallë veten kalorës të yllit
thuaje si psalm apologjinë e Sokratit,
njih vetveten – është lufta e humbur.
THETHI
Thethi ka një ujëvarë t’argjandët në mal
Islanda thonë ka nja dhjetë mijë;
Islanda është Islandë dhe pa ujëvarat e saj,
Thethi s’është Theth pa ujëvarën e tij.
ANDRRAT
Nuk kam shkrue për andrrat kur isha i ri
Poezitë me andrra më dukeshin fluturake.
Si zogj pranvere që shkonin degë m’degë…
Melodi alegro për adoleshentë.
E dija se andrra kishin vetëm ata
Se andrra kishte veç ajo moshë.
Nuk kam shkruar për andrrat kur isha i ri
Por nuk asht çudi që për to shkruaj tani!…
SHESHI “SKËNDERBEJ”
Sheshi “Skënderbej në Tiranë
Sillëm e përsillëm si kali në lëmë.
Përziej baltën e pllakave katrore
Që do të piqen nga saçi i mesditës.
Më merren mendët, më merren këmbët
Prej gjatinave ekstravagante rrokaqiej.
Gjergji i pafuqishëm sodit karuselin
Ku ngrihën zogjtë e ulën fëmijët.
Kali i tij pesëqind vjet me lot në sy,
Pse e bëre, biri im, këtë të pabërë!?
Kjo asesi nuk është një kështjellë…
Është klithmë e ajrit të xanë!
Sheshi “Skënderbej” në Tiranë
Sillëm e përsillëm si kali në lëmë.
Kërkoj një levë ta ngre njerinë
Përmbi grataçela, përmbi hënë…
2025
AUTOGRAF PËR PEMËT
Flas me dorë në zemër,
zemra kërcen nga foleja në lis
më futet në grusht si zog…
Më duhet një autograf për pemët
gjethet një për një i njoh
janë ato që ishin vjet
me ndonjë penel më tepër.
Vitet e mija aty i lexoj
herë qeshin, herë vrahen
aq sa rritën, zvogëlohen…
“Fija e barit vdes si heroinë”.
Ka cikle me poezi që të flasin për botën, dhe ka cikle me poezi që të mësojnë si ta shohësh botën. Cikli poetik “Fija e barit vdes si heroinë” është i këtij lloji të dytë, që nuk të jep shumë zëra, por një zë të vetëm, të kthjellët, të përkorë, të ngulitur në dhè e në qiell dhe ta jep me një thjeshtësi që ka brenda peshën e shekujve.
Në këto poezi, Ndue Dedaj nuk shkruan për gjëra të largëta, ai shkruan për të afërmen e përjetshme. Për lëvizjet e brendshme që njeriu i ndjen para se t’i kuptojë. Për vijat që koha gdhend tek ne, siç gdhend rrathet e lisit. Për atë dritë të vogël që ndizet në shpirt kur njeriu sheh një pemë, një shesh, një ujëvarë, një fjale të harruar që i ngjan fëmijërisë së vet.
Ky cikël është një udhëtim i ngadaltë në tri shtigje, njeriu, vendi dhe koha. Dhe të tria janë të lidhura me një fijë bari.
A thua poeti e ka kuptuar se madhështitë e mëdha nuk përballojnë dot stuhinë e kalimit të kohës, por fijet, ato që ndjekin erën, që rriten, përkulen dhe ringrihen, janë monumentet e vërteta të botës?
Mbase për këtë ai i shpall heroinë.
Thethi që s’mund të tjetërsohet, Sheshi që s’është më i yni.
Në këto poezi ka dy atdhe, ai i natyrës që të fal dritë dhe ai i qytetit që të merr frymën.
Thethi shfaqet si një metaforë e identitetit që nuk ka frikë nga krahasimi me botën, ai është vetvetja deri në dhimbje, deri në ujëvarë.
Ndërsa Tirana, ajo që ka harruar shpirtin e saj, është një skenë ku madhështia historike e Skënderbeut bëhet spektatore e vetmisë së njeriut modern.
Poeti sillet “si kali në lëmë” rreth sheshit të zhurmshëm, dhe kjo nuk është thjesht figurë, por është një lloj ligësimi shpirtëror ndaj asaj që ne i bëjmë vetes, kur ndërtojmë lart dhe shikojmë pak.
Ëndrrat që ikën dhe u kthyen.
Në poezinë e ëndrrave ka një trishtim të ëmbël, pa mllef, pa britmë.
Njeriu i ri nuk ka frikë nga ëndrrat, ai ka frikë ti shkruajë, mos ia ulin flatrat.
Vetëm kur vitet rëndojnë si gjethet e pemëve në dimër, njeriu kthehet te ëndrra si te një mik që ka qenë gjithmonë aty.
Dedaj e di këtë kthim. Dhe e shkruan pa zhurmë, si një njeri që ka jetuar më shumë sesa ka treguar.
Pema që ruan vitet më mirë se ne.
Në poezinë “Autograf për pemët”, poeti Ndue Dedaj i dorëzon natyrës diçka që njeriu nuk ua beson dot njerëzve, vitin, dhimbjen, rënien, rritjen.
Pemët e tij janë arkiv i heshtur, janë kujtimet që nuk i shpëlanë shiu, janë ato që qëndrojnë kur njeriu i harron.
Dhe vetë zemra, ajo që “kërcen nga foleja në lis”, është një zog i vogël që kërkon strehë në një botë të madhe.
Poeti, fijet e barit dhe heshtja.
Në këtë cikël nuk ka fjalë të tepruara. Ka një maturi që i ngjan zërit të gurit dhe butësi që i ngjan ujit.
Dokumenti më i fortë i kësaj poezie është heshtja midis vargjeve, e cila ka më shumë peshë se frazat.
Fija e barit vdes si heroinë, sepse ajo nuk ka nevojë të shpallet, ajo jeton, jep fryt, tretet, ringrihet.
Ashtu si njeriu i heshtur që bëhet monument pa u shfaqur në asnjë shesh.
Ashtu si poeti që zgjedh të mos bërtasë.
Ky cikël është një dorë e shtrirë drejt lexuesit, jo për ti treguar botën, por për t’ia kujtuar atë që ai e ka ditur gjithmonë, se bukuria është e vogël, e brishtë, e përulët dhe pikërisht për këtë është e pavdekshme.








