Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister ka deklaruar se çështja e Belinda Ballukut është një test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit.
Deklarata e zyrtarit të BE u bë kur ai u pyet sesi do të vepronte Gjermania nëse aty do të ishte një rast i ngjashëm me atë të Belinda Ballukut.
“Unë nuk mund të komentoj me hollësi për çështje individuiale. Por për këtë rast që përfshin zonjën Balluku, do të thosha që është një cështje që do bëjë test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit”, tha David McAllister.
McAllister theksoi se çështja e Ballukut ka qenë pjesë diskutimeve gjatë vizitës dhe takimeve në Tiranë, ndërsa u shpreh se nuk është në pozicion për të komentuar një çështje individuale. McAllister theksoi se përtej aspektit ligjor, ekziston edhe një dimension i përgjegjësisë politike.
“Kjo çështje ka pasur një rol gjatë vizitës dhe takimeve tona në Shqipëri. Nuk jam në pozicion të komentoj një çështje individuale. Po vij nga Brukseli dhe kam dijeni mbi rastin, por nuk do të përfshihem në çështjet ligjore të këtij rasti”, deklaroi ai.
Gazetarët këmbëngulën sërish për të marrë më shumë mendim nga ai në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut, por McAllister tha: “I kam thënë të gjitha çfarë kam për të thënë për këtë çështje, nuk kam komente për çështje të brendshme. Nuk kam komente të mëtejshme. Kam qenë shumë i qartë në atë që thash, PE, KE, dhe shërbimi i punëve të jashtë të PE e mbështesin dhe janë partnerë të Shqipërisë. Shqipëria dhe ne kemi shumë punë për të bërë në këtë vend për të forcuar shtetin ligjor, për të forcuar luftën kundër korrupsionit. Ne suportojmë ato institucionet e pavarura që luajnë këtë rol, jemi në anën e qytetarëve të këtij vendi drejt përmbushjeve për të qenë anëtarë të BE”.








