Shkruan Kastriot Dervishi
Këshilli i Ministrave me anë të një deklarate, mbrojti figurën e Enver Hoxhës duke deklaruar se emri i EH nuk do hiqej nga universiteti. Ky qëndrim e acaroi më shumë gjendjen.
Më 19.2.1991 sindikatat bënë një mbledhje në pallatin e kulturës në Tiranë. Morën vendimin që të nesërmen të lihej puna e të dilnin në protestë.
Në orën 8.00 të datës 20.2.1991 ndërmarrjet e Tiranës raportuan se punëtorët nuk dolën në punë, por iu ishin drejtuar qytetit Studenti. Duke shkuar atje hidhnin parulla kundër regjimit. Në ora 10:00 sheshi i emërtuar “Demokracia” u mbush si asnjëherë më parë. U montua një qendër zëri, të cilën policia u kërkoi ta hiqnin. U mbajtën fjalime të ashpra. Aktorja Rajmonda bulku ftoi gratë të drejtoheshin te selia e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe televizioni për të protestuar. Në një nga ballkonet e konvikteve u shpalos një banderolë ku shkruhej “drejt sheshit Skënderbej”.
Rreth 1200 forca policie filluan përpjekjen për ndalimin e njerëzve drejt sheshit. U arrit të bllokohej sheshi, por përkohësisht.
Ora 13.00, Ramiz Alia mblodhi anëtarët e Komitetit Qendror që ishin në Tiranë. Dha urdhër që monumenti të mbrohej me armë. Por ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, duke e kuptuar që do ta kishte përgjegjësi personale, refuzoi ta zbatojë. Këtë ky e pohoi në një intervistë të mëvonshme për gazetën “Zëri i rinisë”.
Po atë ditë u shemb monumenti në Korçë, si dhe bustet në Fier, Durrës (port), Shijak, si dhe pati orvatje për të hequr monumentin e Gjirokastrës.








